Mickoski i kapet Mexhitit për UÇK-në, VLEN-i s’bën zë
11 gusht 2025 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sërish ka goditur partnerët e tij shqiptarë nga VLEN-i.
Ai i është kundërpërgjigjur një deklarate të bërë para disa dite nga zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë, Izet Mexhiti, se lufta e UÇK-së në Kosovë e Maqedoni ishte e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër, përcjell Nacionale.
“Kemi pikëpamje të ndryshme rreth gjërave”, ka thënë fillimisht Mickoski gjatë një vizite të bërë në komunën e Petrovecit.
“Nuk mund të jetë luftë e arsyeshme dhe e drejtë, dhe pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes të vriten në pritë. Këto janë tema që janë pjesë e së kaluarës, të mbyllura me Marrëveshjen e Ohrit, dhe me amendamentet e fundit ligjore”, ka thënë ai. “U bëj thirrje të gjithë politikanëve të arsyeshëm të mos luajnë me kartën e BDI-së dhe të atyre që duan të na kthejnë 25 vite pas. Le të shohim përpara, të sjellim investime, ta bëjmë një vend më të mirë për të gjithë qytetarët, Ky është thelbi dhe ky është boshti rreth të cilit duhet të bashkohemi”.
Ndryshe, ditë më parë zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili tani është kandidat për kryetar të komunës së Çairit, ishte shprehur në përkrahje të protestës me moton ‘Drejtësi për Çlirimtarët’, që u mbajt të enjten në Prishtinë.
“Qëndrimi im ka qenë dhe ngelet i palëkundur: Lufta e UÇK-së në Kosovë, në Preshëvë dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër”, kishte thënë Mexhiti, teksa kishte dënuar përpjekjet për të barazuar agresorin me viktimën.
Sidoqoftë, në protestën e javës së kaluar në mbështetje të krerëve të UÇK-së nuk u pa asnjëri nga përfaqësuesit e VLEN-it.
Në protestë mori pjesë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, Musa Xhaferi e përfaqësues të tjerë të kësaj partie ashtu sikurse edhe qytetarë të shumtë nga Shkupi, Tetova, Kërçova e Struga. /Nacionale/