VLEN-i si VLAN-i në Kosovë – nisi me katër parti mbeti me tri - NACIONALE

VLEN-i si VLAN-i në Kosovë – nisi me katër parti mbeti me tri

7 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Zgjedhjet lokale të vjeshtës shërbyen si shkas që aleatë e miq të shndrrohen në kundërshtarë e armiq mes vete. E tillë paraqitet gjendja në atë që para një viti u kurorëzua si koalicioni VLEN duke pasur si ‘kumbarë’ ish-kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kështu, peizazhi politik në Maqedoninë e Veriut po ndryshon nga muaji në muaj.

Col Mehmeti

Në qershor të vitit 2014, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ishin betuar për koalicion paszgjedhor.

Burrat e këtyre tri partive, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, e kishin bërë nijet që PDK-në ta hidhnin në opozitë.

Akronimi i tyre LAN do të ndryshohej formalisht në VLAN kur bashkë me ta do të bëhej edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Por, nuk ishte e thënë që katërshja e partive ta çonte larg ndërmarrjen e përbashkët pasi LDK-ja u shkëput prej tyre dhe, në fund të vitit, Isa Mustafa u zgjodh kryeministër në një qeveri ku hisedare ishte edhe PDK-ja.

Për dy vitet në vijim, opozita në Kosovë do të radikalizohej me veprime e deklarata. Kuvendit i zihej fryma dhe i pamundësoheshin seancat prej gazit lotsjellës, kurse rrugët ishin bërë skena protestash të dhunshme e deri te goditja e ndërtesës së legjislativit me predhë.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, te kampi politik shqiptar, koalicioni VLEN është kthyer në LEN – kjo pasi Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit i ka ndarë përfundimisht rrugët me tri partitë tjera shqiptare.

Kështu, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa janë kthyer ashtu siç kishin qenë në fillim të vitit të kaluar.

Kolicioni i tyre fillimisht ishte quajtur Lëvizja Evropiane për Ndryshim, duke pasur si bërthamë Lëvizjen Demokratike, Lëvizjen Besa dhe Alternativën, e pastaj më 17 shkurt ai u formalizua si VLEN kur u bënë pjesë edhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Taravarit), si dhe filiali i Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut i përfaqësuar nga Bekim Çoku.

Gjithsesi, bashkimi i forcave të këtyre pesë forcave politike nuk u konkretizua me farë suksesi.

VLEN-i mori vetëm 106,937 vota ose 10.92 për qind, një dallim ky i shënueshëm me Frontin Evropian me 137,690 vota ose 14.06 për qind – i cili përbëhej nga BDI, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, PDSh, Lëvizja Populli, dy parti turke, një boshnjake dhe një rome.

Kasami thirret në 107 mijë vota

Në këtë rezultat ende po ngulmon njëri nga eksponentët e koalicionit VLEN.

Duke komentuar përçarjet brenda këtij koalicioni, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka thënë të martën se legjitimitetin si koalicion e kanë marrë nga 107 mijë votat e shqiptarëve.

“Legjitimitetin e kemi me 107 mijë votat nga zgjedhjet e fundit ku ishim koalicion i përbërë prej partish shqiptare. Partitë tjera kanë përfshirë edhe komunitete të tjera që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, pra të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve e ka koalicioni VLEN”, ka thënë Kasami me rastin e shënimit të Ditës Ndërkonbëtare të Tokës në qytetin e Tetovës.

Ai ka vlerësuar se cilido subjekt politik që largohet nga ky koalicion nuk e përkrahjen e votuesve shqiptarë.

“Pa marrë parasysh numrin e deputetëve, koalicioni VLEN vazhdon dhe vetëm në ditët në vijim do të merret vendimi formal në kuadër të qeverisë për hapat e radhës”, ka thënë Kasami.

Bashkimi në një parti

Tutje, ai ka paralajmëruar se tre subjektet politike, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa, brenda javës do të vendosin për t’u shkrirë në një parti të vetme.

“Do të vendoset për anëtarët në kryesinë e përbashkët prej 23 anëtarësh dhe më pas kjo kryesi do të vazhdojë me procedurat e mëtejshme drejt ngritjes së shtabeve të përbashkëta në nivel lokal dhe sigurisht edhe për një kongres përbashkues ku do të finalizohet subjekti i vetëm”, ka bërë me dije Kasami, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i komunës së Tetovës.

I pyetur se kush do të jetë kryetar i këtij subjekti, ai ka thënë se kjo ka pak rëndësi kundrejt faktit se ai duhet të punojë për të mirën e shqiptarëve.

“Me rëndësi është që të funksionojë harmonia brenda anëtarëve të VLEN-it, kushdo që të jetë kryetar, unë besoj se do të jetë më i miri për VLEN-in dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë mes të tjerash Kasami.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari nuk është deklaruar gjatë ditës, hiç këtu një afishim të shkurtër në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

“Unë kam vetëm një busull orientimi: Popullin! Ai është ndërgjegjja ime, zëri im, forca ime!”, ka shkruar Taravari.

Përçarjet brenda koalicionit VLEN kishin pluskuar prej muajsh.

Ato nuk arriti t’i fashisë as ish-kryeministri Albin Kurti i cili, më 28 mars të këtij viti, pati shtruar iftar për aleatët e tij politikë nga Maqedonia e Veriut.

Përveç liderizmit brenda koalicionit, çështja e pozicionit për zgjedhjet e sivjetme lokale i ka bërë pikë e pesë katër partitë përbërëse të VLEN-it.

Gjërat morën rrjedhën e vet të pakthyeshme kur Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, vendosi që në zgjedhje të shkojë me listë të ndarë për këshilltarë komunalë.

Pos shashkave që hodhën ish-aleatët ndaj njëri-tjetrit, vendimi pasues që thelloi përçarjen përfundimtare ishte vendimi i tri partive të mbetura në koalicion, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa, të shkrihen në një subjekt të vetëm politik. /NACIONALE/

Lajme të ngjashme