Kurtin e merr vërtet malli për Opozitën, e fton pa ia treguar arsyen - NACIONALE

Kurtin e merr vërtet malli për Opozitën, e fton pa ia treguar arsyen

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Javë më parë deklaronte i buzëqeshur se e kishte marrë malli për opozitën. Kuptohet, në një variant tallës.

Tani, duket ta ketë marrë me të vërtetë. Kjo pasi, kryeministri i ka ftuar krerët opozitarë për një takim këtë të premte, por pa treguar arsyen.

Në një email që ka siguruar Gazeta Nacionale (shih foton 1), është posta elektronike zyrtare që u ka shkuar opozitarëve.

Aty u bëhet thirrje që të vijnë në takim, ndërsa këto takime do të jenë të formatit 1+1.

"Shpresoj që ky email t'ju gjejë mirë. Po ju shkruaj në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti për të ftuar në një takim të përbashkët kryetarët e partive politike opozitare. Takimi mbahet këtë të premte me datë 21 tetor, në ora 12:00, në Zyre të Kryeministrit. Në takim është i ftuar kryetari i partisë politike bashkë me një shoqërues", thuhet në "e-mail".

S'ka temë

Temë nuk ka, ani pse mund të parashikohet lehtë, kjo shkaku i zhvillimeve të fundit.

Kujtojmë me opozitën është takuar edhe emisari Escobar, takim ky për të cilin raportohet të jetë mbyllur para pak çastesh.

Se Kurti i ka bërë ftesë drejtuesve të opozitës e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Në një prononcim për Nacionalen ai tha se detajet tjera do të shpalosen me vonë, por takimi pritet të mbahet në fund të javës.

"Kryeministri Kurti i ka ftuar për takim liderët e opozitës. Takimi është planifikuar të mbahet të premten në mesditë. Për detaje tjera rreth takimit ju njoftojmë ndërkohë", deklaroi Kryeziu.

Konfirmimet

Nga opozita e kanë konfirmuar për Nacionalen një ftesë të tillë.

"Para pak minutash kemi pranuar një e-mail nga Kabineti i Kryeministrit, nëpërmjet të cilit ështe ftuar kryetari i PDK-së Memli Kransiqi për takim të përbashkët me krerët e subjekteve opozitare dhe kryeministrin. Por, në këtë e-mail nuk është specifikuar tema dhe agjenda takimit. Pasi të marrim informacione të sakta nga Zyra e Kryeministrit për qëllimin dhe agjendën zyrtare të takimit, kyetari do të vendosë se a do të merr pjesë në këtë takim apo jo", thuhet në përgjigjen e Zyrës së Komunikimit të PDK-së.

Nga kjo përgjigja mësohet se PDK ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë apo jo.

Sipas tyre, krejt kjo ka të bëjë me atë nëse shefi i ekzekutivit do t'i tregoj temat ose diçka të tillë rreth asaj se për çka do të flasin.

Gjithashtu, zyra për media e AAK-së deklaroi për gazetën se Haradinaj do të marrë pjesë.

Parashikimet

Gjithsesi, ani pse nuk është precizuar asgjë rreth temës, kjo e fundit mund të parashikohet.

Pra, pritet të jetë në kuadër të koordinimit para ndonjë marrëveshjeje potenciale, për të cilën foli edhe Escobar.

AAK po, PDK ende e pavendosur, ndërsa nesër pritet edhe përgjigja e Lidhjes Demokratike karshi ftesës së njeriut që dikur refuzonte çdo takim.

Ka qenë interesant fakti se në takimet e mëparshme të thirrura nga shefi aktual i ekzekutivit, asnjëherë nuk ka ndodhur që të gjithë të jenë të bashkuar, pra ose ka munguar Ramush Haradinaj, ose ka munguar Memli Krasniqi.

Foto 1

Lajme të ngjashme