Kurti fton sërish krerët opozitarë - këta të fundit në gatishmëri për t'u takuar - NACIONALE

Kurti fton sërish krerët opozitarë - këta të fundit në gatishmëri për t'u takuar

3 vjet më parë

nga Halim Kafexholli

Ngjarjet e fundit të krijuara në veri të vendit, kanë shtyrë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që t’i ftoj përsëri në takim krerët e opozitës. Siç merr vesh gazeta Nacionale, ky takim planifikohet të mbahet në ditën e nesërme.

Ftesën për Nacionalen e ka konfirmuar Lulzim Blaka, Drejtor për Informim në AAK. Ai ka thënë se ka ardhur ftesa në adresë të kryetarit Ramush Haradinajt dhe se i njejti e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

“Në adresë të kryetarit Haradinaj ka ardhur një ftesë për takim nga Kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes. Tema e diskutimit është diskutimi për zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit. Kryetari Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, ka thënë Blakaj.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka dërguar një letër Kryeministrit Albin Kurti për situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke i shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit të PDK-së për ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit.

Në letrën e tij drejtur Kurtir, Krasniqi ka thënë se situata në pjesën veriore është shqetësuese, me rrezik të përshkallëzimit, ndërsa epilogu nuk është i qartë. E që sipas tij, një koordinim i Qeverisë me Opozitën dhe harmonizimi i veprimeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, ju shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, ka thënë Krasniqi.

Kujtojmë që ftesë për opozitën nga kryeministri Kurti kishte edhe në muajin e kaluar, ku pa u treguar detajet e takimit Kurti kishte ftuar lideret opozitarë për takim të premten e 21 tetorit të këtij viti. Mirëpo, këtij takimi iu kishte përgjigjur pozitivisht vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kreu i këtij subjekti më pas kishte deklaruar se me Kurtin kanë diskutuar rreth propozimit franko-gjerman për marrveshjen finale me Serbinë, që sipas ish-kryeministrit Haradinaj, në këtë dokument parashihet edhe njohja e Kosovës nga Serbia.

Lajme të ngjashme