"Kurti të instalojë administratë të përkohshme në veri": Jabllanoviq jep ide pas zgjedhjeve - NACIONALE

"Kurti të instalojë administratë të përkohshme në veri": Jabllanoviq jep ide pas zgjedhjeve

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Tejet skeptik se kryetarët e rinj të katër komunave veriore të vendit mund të bëjnë ndonjë gjë shprehet Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, i cili edhe u tërhoq nga kandidatura për kryetar të Leposaviqit, Aleksandar Jabllanoviq. “Si do ta kontrolloni një komunë si kryetar me mbështetje prej 100 votave?”, shtron pyetjen Jabllanoviq në një bisedë me Nacionalen pas konkludimit të zgjedhjeve, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut ndërsa Partia Demokratike e Kosovës në Zubin Potok dhe Zveçan. Këto zgjedhje komuniteti serb në ato zona i bojkoti gjerësisht, ku vetëm 13 serbë dolën të votojnë. Me vetëm 1 mijë e 500 votues, ai thotë se nuk mund të prodhohet legjimitet derisa vëren se gjendja është kthyer në vitin 2012.

Ne këtë situatë e kemi pasur para vitit 2013. Sepse atëherë kishim kryetar, mund të themi edhe si administrator, që kurrë në veri s’kanë ardhur as për të pirë kafe. Kanë punuar prej ndonjë garazhe dhe çfarë ka ndodhur në terren. Asgjë. Ne kemi organizuar zgjedhje në 2013 me shumë serbë, edhe në ato zgjedhje kemi pasur një numër të madh serbësh të cilët nuk kanë dashur të dalin të votojnë. Dhe, tash, 9 ose 10 vite më vonë, cili është rezultati, kthehemi aty më 2012. Askush nuk i prek ato që KQZ-ja i quan kryetarë, por për një asamblist në Asamblenë Komunale duhet që së paku të kenë 100 vota në një proces të rregullt zgjedhor”.

Për një gjë që Jabllanoviq është i sigurt është se kryetarët e rinj mund të futen në zyren e të parit të komunës ku kanë fituar, por kjo nuk u jep eshte pushtet politik. Kjo, për një të arsye të vetme – nuk kanë vota. “Zyra nuk është ajo çfarë të jep pushtet të qeverisësh. Ajo që të të jep pushtet si kryetar është se sa e ke numrin e votave në zgjedhje. Zyra nuk është me rëndësi”.

Sipas tij, në krejt këtë situatë, Qeveria e Kosovës do të duhej të instalonte një administratë të përkohshme qeverisëse në komunat veriore të populluara me shumicë serbe, ndonëse as ai nuk e sheh se si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mund ta bënte këtë duke qenë se, siç beson ai, nuk ka kontakt me serbët atje. “Besoj se qeveria duhet të instalojë një adminitsratë të përkohshme në veri. Sepse e di që dy kandidatët për kryetar në Leposaviq, njëra nga PDK-ja dhe tjetri nga Vetëvendosja as që jetojnë në Leposaviq. Ata kanë thjesht letërnjoftimet ashtu, por jetojnë në Mitrovicë të Jugut”.

Nuk e di se si zoti Kurti mund ta organizojë një administratë të përkohshme me serbët, sepse e di fare mirë që ai komunikim me serbë nuk ka. Ai komunikon me vetëm me disa serbë të përfshirë në organizata joqeveritare. Me politikanë në veri nuk ka komunikim”, thotë mes tjerash ai.

ShBA njeh legjimitetin e zgjedhjeve

Se këto zgjedhje kanë legjitimitetit nuk beson Jabllanoviq. Me deklaratën e ambasadës amerikane ai nuk ka problem, teksa i kthehet asaj të ambasadës franceze. “Ajo është një deklaratë e ambasadës amerikane, unë s’kam gjë kundër kësaj. Por ama mendimi im personal si një njeri që jetoj këtu e di situatën. Ne ishim të gatshëm të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, por ky proces kishte shumë gabime brenda vetes”, tha ai për Nacionalen.

Nëse shihni deklaratat nga disa ambasada, organizata ose parti politike në Kosovë, është ndryshe. Nëse merrni deklaratën e ambasadorit francez, ajo është shumë në ndryshe. Por përtej kësaj. Ne kemi vendimin tonë. Ne deshëm të marrim pjesë në zgjedhje, por ama jo në aso kushtesh çfarë ishin dje”.

Ky proces zgjedhor ka rënë. Sepse keni vetëm 1 mijë e 500 votues. P.sh, në Leposaviq, si do të merrni pushtetin me 100 vota. Nuk mjafton as sa për një strukturë lokale ku janë 500 të punësuar. Kush do të punojë në atë komunë, sepse kur serbët kanë bojkotuar kanë bojkotuar edhe institucionin. Nëse nuk keni numër të mjaftueshëm për një komunë funksionale, ju nuk mund të jeni ai njeriu që do të sjellë edhe ndryshime”, përfundoi ai./Nacionale/

Lajme të ngjashme