Kurti s’vuan nga astrafobia: Çka provoi VV-ja të na thoshte me videon e vetëtimës?
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka shpërndarë në Facebook një video shtatë-sekondëshe të kryeministrit Albin Kurti që shfaq këtë të fundit ‘sypatrembur’ ndaj vetëtimës. Por, çka po provon të na thotë njeriu kryesor i pushtetit për medie?
Për dikë mund të jetë e paimagjinueshme se si zëdhënësi i partisë në pushtet përcjell një video të kryeministrit Kurti dhe nga e gjithë fjala vendos që ta prejë videon në pjesën ku dëgjohet bubullima.
Për më tepër, e paimagjinueshme është edhe që ai ta shpërndajë videon në Facebook. Por, e gjithë kjo duket se është pëlqyer nga simpatizantët e kryeministrit të vendit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, është në mesin e më shumë se dyqind reaguesve të deritashëm (20:33), ashtu siç është edhe asambleisti i partisë në Prishtinë dhe asistenti i Kurtit, Arianit Beqiri.
Për fat të keq të zëdhënësit, 73 reagime janë “haha” ose tallëse me atë që ka bërë ai.
Disa gazetarë shihet se frikësohen dhe ky mund të jetë një tjetër moment i shfrytëzuar nga partia në pushtet për të sulmuar mediet, por megjithatë besohet se ndërtimi i kultit të personalitetit të Kurtit është më i rëndësishëm në këtë rast.
Aktivistët e Vetëvendosjes kishin shpërthyer në gëzim edhe në lidhje me mbajtjen e çadrës që e kishte bërë Kurti, përkundër që një gjë të tillë në atë event e kishin bërë të gjithë pjesëmarrësit tjerë.
Por, t’i kthehemi vetëtimës!
Ka persona të cilët njëmend e vuajnë frikën nga vetëtima, dhe të tillët quhen astrafobë. Ata zakonisht ndihen të angështuar gjatë kohës sa veton, edhe pse e kanë të qartë se rreziku për mirëqenien e tyre është krejtësisht minimal.
Disa prej simptomave janë dridhja e trupit, të qarit, të djersiturit, reagimet e panikut etj.
Një prej shenjave të para që tregon se një person ka astrafobi është kur kanë interes të theksuar për parashikimin e motit.
Krejt çka mësuam nga postimi i zëdhënësit të VV-së është se shefi i tij nuk vuan nga astrafobia.
Por, askush nuk e ka bërë një pretendim se Kurti vuan nga një fobi e tillë.
Çka duhet të dijë Kurti?
Megjithatë, kryeministri Kurti nuk duhet të vazhdojë të tregojë trimërinë e tij në raste vetëtimash. Ta zëmë, po të ishte afër Shtëpisë së Bardhë më 5 gusht, ai mund të përfundonte i vdekur siç kishin përfunduar tre qytetarë.
Kurti duhet ta dijë po ashtu se – në bazë të shpërndarjes së bërë në Facebook – vartësit e tij nuk po respektojnë ‘këshillën’ e tij të dhënë në mbledhjen e XLVIII të Këshillit të Përgjitshëm të partisë së tij kur kërkoi praktikisht prej tyre që të mos merreshin me çikërrima.
Po ashtu, ai duhet ta dijë se fjala e tij është bërë e papeshë nëse marrim për bazë që një vetëtimë është bërë më e rëndësishme për vartësit e tij.


