Kurti s’lë derë pa trokitur për Asociacionin përveç në Gjykatë Kushtetuese, i refuzohet edhe mënyra e fundit
Nuk ka lënë derë pa trokitur për ta dërguar draft-Statutin e Asociacionit përveç në derën e Gjykatës Kushtetuese, ku edhe i kërkohet ta dërgojë për rishikim kushtetues.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zotohej se me të ardhë në qeverisje do ta dërgonte Marrëveshjen e Parimeve për Normalizim të Marrëdhënieve (2013) në Komision të Venecias.
Pa pasur nevojë të themi që s’e ka bërë, sytë kah Venecia i ka kthyer sërish kur kohëve të fundit – pasi iu flak tutje kërkesa nga Berlini, Parisi dhe Roma për rishikim të draft-Statutit të Asociacionit nga ekspertë të Këshillit të Evropës – ai lëshoi këtë propozim në një intervistë në A2CNN.
“Lajçaku le ta dërgon në Komision të Venecias”, tha Kurti, pas një-mijë-e-një pshtjellimesh me draft-Statutin të cilin e ka në tavolinë që nga fundi i tetorit të vitit të kaluar; dokument ky, që në fjalët e tij, ishte “pakrahasimisht më i mirë se ç’kanë qenë” teksa refreni i shpjegimeve të tij ishte se “tash dihet se ku ndodh ky Asociacion; në Republikën e Kosovës”.
Kaosi total që e ka shoqëruar marrëdhënin e tij me këtë dokument, veçsa shkoi edhe në oktava më të larta me propozimin e fundit, i cili, sërish, iu refuzua nga Bashkimi Evropian në kërkesën për dërgim në Komision të Venecias.
Madje edhe vetë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë kërkesë të fundit të Kurtit tha se “e kam dëgjuar vetëm në media” dhe se “një ide e tillë, formalisht, nuk më është prezantuar”.
“Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kohëve të fundit në një deklaratë për media.
“Draft Statuti Evropian u shkrua nga ekipi i EUSR-së së bashku me ekspertë të njohur ligjorë ndërkombëtarë, si dhe ekspertë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, pasi palët nuk ishin në gjendje të angazhoheshin vetë në një proces hartimi. Pas prezantimit të draftit evropian kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në tetor 2023, Kosova duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm në përputhje me Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, siç u theksua më lart”.

Ndërsa sa i përket adresimti të çështjeve për vlerësim ligjor në Komision të Venecias, BE e dha prerazi se kjo çështje “i takon Kosovës vet”; por se çka pritet nga Prishtina zyrtare “është që të veprojë me shpejtësi dhe të ndalojë shtyrjen e mëtejshme të kryerjes së detyrimit të saj”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e quajtur “amaterizëm dhe mashtrim klasik” këtë përdredhje të re të Kurtit.
“Kurti duhet ta dijë që në emër të Republikës së Kosovës, asnjë palë e tretë nuk mund dhe nuk ka mandat të dërgojë akte për shqyrtim. Por ajo që fshihet prapa rreshtave është që Kurti përmes përdorimit të emrit të BE-së në raport me Venecia, po paralajmëron që do të ketë një draft i cili mund të përfundojë në këtë Komision”, ka shkruar Tahiri në reagim.
“Pse nuk e pyet veten ky njeri, deri kur dhe deri ku do të vazhdojë të qeverisë pa asnjë guxim që kërkon pozita ku është ulur. Thjesht, ky njeri përfaqëson një zero të madhe në lidership!”, ka thënë ai.
Kurti synoi edhe një “derë” tjetër kohëve të fundit, por ama pa ia kumtuar publikut fare. E kuptuam nga letra e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe Kryeministre së Italisë, Giorga Meloni, kur këta të tret e qortuan për përpjekjen e tij që draft-Statutin e Asociacionit ta dërgojë për vlerësim te ekspertë të Këshillit të Evropës.
“Dorëzimi i këtij drafti te ekspertë të Këshillit të Evropës nuk do të përbënte hap decidiv pasi që opinioni i tyre nuk është ligjërisht obligues. Kjo arrihet vetëm duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës...”, kishin shkruar tre liderët evropianë.
