Kurti s’e dërgoi kurrë Asociacionin në Komision të Venecias, zotohej se do ta bëjë porsa të vijë në Qeveri
Më vështirë është të ndalosh se sa të nisësh së foluri për qëndrimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në raport me Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe.
Është gjë e mbarëditur dhe s’ka nevojë askujt t’i rikujtohet se çfarë ka qenë, për të, “Zajednica”.
Qëndrimet dhe kundërshtimet e tij prej (asobote) opozitare qëndrojnë pezull ende të freskëta në ajr: prej “bosnjëzimit” të Kosovës e deri te Asociacioni si prelud i shkëputjes nga shteti; si dhe atributet që ua mëveshte kujtdo për të cilin mund të ishte ky Asociacion i pranueshëm si: “serbofil, mazohist, i korruptuar/shantazhuar”.
Zotimet e tij (dhe atë jo prej opozitari, por të Qeverisë Kurti II) se “nuk japim gjë për njohje” (dhe atë fjala ishte për njohje juridike) gjithashtu jo që s’i kanë mbijetuar kohës por as mandatit të tij qeverisës.
Një premtim (para)zgjedhor i tij, megjithatë, jo vetëm që ai është harruar nga ai, por edhe nga opinioni publik, ia vlen të rikthehet pas pranimit të draft-Statutit të Asociacionit; e ku për referencë - siç s'ka ndodhur asnjëherë më parë - e ka edhe Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit.
Zotohej se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës këtë Asociacion – por edhe tërë Marrëveshjen e Brukselit të 2013 (që ai e quante Marrëvshja Thaçi-Daçiq – do ta dërgonte për vlerësim në Komision të Venecias.
Ishte i bindur se kur ta dërgonte atje do t'i rrotllonte hesapet. Asnjë hesap, megjithatë s'rrotlloi, përveç Kurtit.
“Marrëveshja e Parë e Parimeve Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013 do të dërgohet te Komisioni i Venedikut. Për të gjitha këto, Qeveria jonë do të kërkojë ndihmën dhe do të bashkëpunojë ngushtë me Komisionin Evropian, posaçërisht me Zyren e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, znj.Federica Mogherini”, shprehej Kurti më 26 qershor të vitit 2017.
Ndërkaq sot, atë marrëveshje jo që s’e ka dërguar (që edhe s’do të mund ta dërgonte) në Komision të Venecias, por të njëjtën e ka nënshkruar edhe më të zgjeruar në marrëveshjen dy-gjermanëshe mes Kosovës dhe Serbisë; dhe atë të fascilituar nga pasardhësi i Mogherinit (me të cilin shprehej se do të bashkëpunonte ngushtë) Josep Borrell.
Por, se me çfarë kritere dhe matje bën Kurti këso zotime dhe premtime?
“Kurti kur bën premtime nuk mendon ‘a bëhet’, por ‘a shitet’”.
Kështu na thotë gazetari Lirim Mehmetaj, pyetur rreth këtij zotimi të harruar nga gjithkush, të Kurtit.
Kjo “a shitet?”, është i bindur Mehmetaj, “është e vetmja përllogaritje” që futet në konsideratën e Kurtit.
Në lidhje me vetë idenë e gabuar të të dërguarit një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme dhe atë të ratifikuar në Kuvend të Kosovës e që automatikisht bëhej pjesë e rendit juridik të shtetit; Mehmetaj na thotë se “se sa ka ai dhe kjo qeveri njohje juridike mjafton të rikujtohet fakti që Gjykata Kushtetuese i nxjerr si anti-kushtetuese ligjet e sponzorizuara nga Ministria e Drejtësisë”.
“Paramendojeni! Mbase do të ishte e kuptueshme që të dal jo kushtetues ndonjë ligj i sponzorizuar nga Ministria e Bujqësisë (edhe pse edhe ata do të duhej të kishin ekspertët ligjorë e kushtetues), por t’i rrëzohen ligjet në Kushtetuese ministrisë që supozohet se është aty për të përmirësuar infrastrukturën ligjore kjo është përtej absurdit. Edhe në këtë rast të dërgimit të Marrëveshjes në Komisionin e Venecias kemi këtë përzierje të mosdijes bazike dhe moskokëçarjes absolute se a prekë me të vërtetën diku premtimi”.
E në dritë të kësaj, që për Mehmetajn për bën mashtrim të padiskutueshëm, ai ngren pyetjen se “si?” po u bëka që të jesh i sigurt në deklarimet e sotme “kur është aq i gënjeshtër premtimi i së djeshmes?”.
“Por, është mirë të kthehen në kujdes këto budallallëqe të adhura në formë të gënjeshtrave dhe atë në shumë dimensione. E para, për faktin fillestar se kanë gënjyer, por më e rëndësishme është të kontekstualizohet e kaluara në funksion të së ardhmes. Pra, nëse ka gënjyer dikur, përse nuk po gënjen sot? Si mund të jesh i sigurt në të vërtetën e deklarimit të sotëm, kur është aq i gënjeshtërt premtimi i së djeshmes?”.
Gazetari për të shpjeguar më tej se pse është siç thotë se është ngren një varg argumentesh me të cilat operon kryeministri kosovar, e që përkthyeshëm, përçojnë një tablo moskuptimi rrënjësor të një shteti me pushtete të ndara.
“Kjo është fatkeqësia e të pasurit një qeveri populistësh. Ata (populistët) janë të rrezikshëm edhe në shtetet me institucione mirë të konsoliduara dhe me histori qindra-vjeçare të operimit demokratik. Tash, paramendojeni çfarë erozioni i shkaktojnë populistët një shteti si Kosova ku institucionet janë me moshë në adoleshencën e tyre. Ata gërryejnë besimin e njerëzve që akoma s’ka qenë krejtësisht i formësuar dhe i nxjerrin krejtësisht nga traseja demokratike”.
“Për të sqaruar më shumë, po marrë një shembull nga një intervistë e Kurtit në Rubikon me Adriatik Kelmendin kur Kurti, i pyetur për një ligj që Gjykata Kushtetuese ua kishte nxjerr anti-kushtetues shpreh mllefin e tij me faktin që partia e tij ka marrë 400 mijë vota derisa 9-të gjyqtarë në Kushtetuese po ia rrëzojnë nismat ligjore. Këtu ai nxjerr pretendimet jo vetëm të mos besimit në ata gjykatës, por mos besimit në modelin shtetëror të funksionimit”, thotë Lirim Mehmetaj.
“Populistët i urrejnë institucionet, sepse janë presa penguese në mes lidhjes direkte të liderit me popullin. Populisti do lidhje të shkurtër me klientin e manipuluar dhe institucioni i prishë punë sepse është hallka e vetme racionale në atë lidhje emocionale dhe manipuluese. Prandaj populistët janë shumë të rrezikshëm kudo në botë, prandaj Kurti është jashtëzakonisht i rrezikshëm këtu në Kosovë”, përfundon Lirim Mehmetaj.

