Kurti s’e përpilon as një letër zyrtare se si e mendon procesin e zgjedhjes së presidentit, "kjo është hajgarallak" - NACIONALE

Kurti s’e përpilon as një letër zyrtare se si e mendon procesin e zgjedhjes së presidentit, "kjo është hajgarallak"

4 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Takimin e fundit e kishte përmbyllur me një kundërthënie.

‘Optimist për marrëveshje politike’ me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por ama ‘synoj jo 81, por 85 vota.’

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, ishte lexuar menjëherë si përjashtues nga LDK-ja, me ta kryer këtë prononcim për media.

Burime brenda LDK-së bënin të ditur se Kurti kishte bërë ‘një lloj’ oferte, por jo diçka që do të ‘arsyetonte’ Vetëvendosjen të kishte tre pushtete në duar veç të veta.

Nga PDK-ja (s’)i ishin përgjigjur ftesës jo-formale të Kurtit.

I kërkuan që përmes një letreje zyrtare të shtronte ftesën, dhe bashkë me ftesën ‘të konkretizojë’ se çfarë procesi synon të ndërtojë për zgjedhje të presidentit.

Presidenti duhet të zgjidhet më së largu më 28 prill ose vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme ‘jo më larg se 45 ditë.’

‘Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së,’ patën thënë nga kjo parti.

Dhjetë ditë që nga kjo kërkesë e PDK-së, Kurti as Vetëvendosje s’kanë dërguar as letër as proces të propozuar për president.

‘Asgjë të re, kur të ketë të re ju lajmërojmë’ tha dje shefja e deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci, dhe gjënë e njëjtë e përsëriti sot Kurti fare shkurt me të çarë mespërmes gazetarëve.

Enver Hoxhaj i PDK-së ditë më parë tha se PDK as sheh arsye për takime si të mëparshmet të thirrura nga Kurti, të cilat, sipas tij, janë veçse për konsum të brendshëm dhe kohe.

“Kur ka vullnet ka rrugë. Nëse ka vullnet zoti Kurti, natyrisht që ka rrugë. Jo 34 ditë, po 3 orë e 40 minuta,” tha ai ditë më parë në Kanal 10.

Derisa dy kandidaturat partiake, Glauk Konjufcën dhe Fatmir Kollçakun i kanë ende formalisht në fuqi, deputeti i VV-së, Driton Hyseni, pretendoi se janë “në rrugë të drejtë” për zgjedhje të presidentit, dhe se dy javë kohë “janë shumë ditë” për të pretenduar ndonjë nguti.

Konjufa në anën tjetër, tha se presin emra ‘konkretë’ nga opozita dhe se Vetëvendosja nuk insiston në emrat e vet nëse jepet ndonjë emër ‘i pakapërcyeshëm.”

Sipas tij, opozita madje dhe po synon ta përdorë Osmanin për të ulur mbështetjen elektorale të partisë në pushtet.

‘Ka ndryshuar kalkulimi i opozitës… mendojnë që kjo do ta zbriste përqindjen e LVV-së’, deklaroi ai. Por, vazhdoi, ‘shkojmë në zgjedhje të reja nëse është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë.’

Dardan Sejdiu, ish-Nënkryetar i Vetëvendosjes, veçse konstaton që Albin Kurti nuk e ka ndërmend të zgjedh president, por veçse ‘po bën hajgarallak.’

Në dritën e kësaj, Sejdiu i kërkon opozitës që edhe të deklarojnë se nuk do t’u përgjigjen këtyre ftesave takime veç-sa-për takim.

“Në fakt, unë çka kisha propozu, subjekteve politike. Është tashmë me deklaru që nuk kanë interesim me komuniku me një njeri i cili nuk është në gjendje as një letër me dërgu, ku e bën procesin, me shkru një proces.

Jo, sepse kjo ësht me bë hajgare jo veç me parti politike, por me bë hajgare me krejt idenë e konsensusit politik në liberal-demokraci. Kjo është hajgarallak çka është ka bën ky njeri,” tha ai dje në Rubikon.

Lajme të ngjashme