Kurti pyetet se çka do t’i thoshte vetes 25 vjet prapa: Ai djalosh ende vazhdon të veprojë me të njëjtin zell
Në intervistën e tij për “Shenjën”, Albin Kurti, kryeminsitër i Kosovës, është përballur edhe me një pyetje jo aq të zakonshme.
Gazetari ia shtroi Kurtit një pyetje interesante.
“Z. Kryeministër, për fund, nëse do të ktheheshit 25 vjet prapa, çfarë do t’i kishit sugjeruar atij djaloshit me flokë të gjata të demonstratave studentore?” – ishte pyetja e intervistuesit të Kurtit.
Kurti vlerësoi se ende nuk ia ka shtruar vetes këtë pyetje, duke theksuar se ai djalosh vazhdon të veprojë edhe sot.
“Gandi ka thënë se dallimi mes asaj që bëjmë dhe asaj që kemi mundësi të bëjmë do të mjaftonte për të zgjidhur çdo problem në botë. Por, nuk e kam menduar ende se çfarë do ta kisha këshilluar veten po të kthehesha pas në kohë. Kjo është pyetje që mbase do t´ia shtroj vetes kur të vijë koha për të shkruar kujtime. Tash për tash ai djaloshi ende vazhdon të veprojë, me flokë të shkurtra vërtet dhe me mbi 25 vite përvojë, por me të njëjtin zell e vendosmëri për të kontribuar, bashkë me kolegë, shoqe e shokë, që të kemi një shoqëri më të drejtë, një vend më të mirë, një komb më të respektuar. Asokohe frymëzimi im më i madh u bë familja heroike Jashari, të cilën do ta përkujtojmë me nderime të mëdha në 25-vjetorin e therorit të tyre. Çfarëdo sakrifice përballë tyre ngjan aq minore. Ata janë frymëzimi që bëhet obligim. Për brezin tonë dhe gjeneratat që do të vijnë.” – vazhdoi tutje.

