Albin Kurti: S’ka “Bac u kry”, s’është përmbushur aspirata e bashkimit me Shqipërinë - NACIONALE

Albin Kurti: S’ka “Bac u kry”, s’është përmbushur aspirata e bashkimit me Shqipërinë

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Albin Kurti, kryeminsitër i Kosovës, ka dhënë një intervistë të gjatë, shumë të gjatë për revistën e njohur “Shenja”, e cila menaxhohet nga shqiptarët në Shkup. Në këtë intervistë, ai ka folur gjerë e gjatë për shumë tema, përfshirë temën e bashkimit kombëtar. Madje që në pyetjen e parë, z. Kurti, që së fundmi u pajtua në Bruksel për të nënshkruar një marrëveshje me Vuçiqin, vlerësoi se ideali i dëshmorëve për bashkim nuk është plotësuar.

Në përgjigjen e tij, Kurti vlerësoi se “aspirate kombëtare e shqiptarëve”, ka qenë bashkimi me Shqipërin.

“Kosova është ëndrra historike e popullit të saj, është ideali i shumë gjeneratave të dëshmorëve përgjatë 87 viteve nën pushtimin serb e jugosllav në shekullin XX. Sigurisht, aspirata kombëtare e shqiptarëve, që kanë qenë gjithnjë shumicë e madhe në Kosovë, ka qenë vetëvendosja demokratike dhe bashkimi me shtetin tjetër të shqiptarëve, Shqipërinë. Ky ka qenë edhe betimi i ushtarëve të UÇK-së, edhe dëshira e heronjve, që nga Shaban Polluzha e deri te Adem Jashari. Në këtë aspekt, natyrisht, nuk mund të thuhet se ideali është përmbushur. Por nga ana tjetër, historia na vendos edhe një imperativ tjetër. Përgjatë një shekulli të vetëm shqiptarët janë rrudhur në shtrirjen e tyre gjeografike, nga rreth 90.000 km2 ku ata jetonin, deri në vitet 1870, sot ata jetojnë në gjysmën e asaj hapësire. Janë spastruar prej sanxhakut të Nishit e të Leskocit, prej Toplicës e Vranjës. Po ashtu, janë spastruar prej Çamërisë apo edhe prej shumë pjesëve ku jetonin në vilajetin e Manastirit.” – tha fillimisht ai.

Në vazhdimin e përgjigjës së tij, z. Kurti vlerësoi se nga ai nuk do të dëgjoni parullën “Bac u kry!”, një shprehje të cilën kosovarët e theksuan në kohën e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Pra, imperativi tjetër me të cilin ballafaqohet secili politikan me ideale kombëtare sot është që në asnjë mënyrë të mos lejohet zvogëlimi i mëtejshëm i sipërfaqes sonë. Sigurisht, kërkesa të kohës sonë janë edhe demokracia, zhvillimi arsimor e kulturor, rritja ekonomike dhe ajo e mirëqenies. Mendoj se këto të gjitha përbëjnë vizionin tim për Kosovën. Për këto punojmë. A janë realizuar dëshirat tona? Jo, sepse po të qe ashtu, do të duhej të ndalej puna e përpjekja e të pushonim të gjithë. Nga unë nuk do ta dëgjoni kurrë parullën “Bac u kry!”. Por do të dëgjoni vazhdimisht thirrje që të punohet më shumë e të përpiqemi më shumë. Puna e përpjekja për rritjen e forcimin e Kosovës në të gjitha aspektet, nuk bën të ndalen, kurrë.” – theksoi tutje kryeministri Kurti.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për Ukshin Hotin, filozofin e zhdukur, dhe Epopeënë e UÇK-së, duke thënë se tash Kosova po zhvillohet.

“Por, le ta themi kështu, nëse deri dje theksi është vënë te Kosova si rast i veçantë, si rast “sui generis”, si një lloj laboratori për eksperimente të llojllojshme, përpjekja jonë është që Kosova të jetë dhe të konsiderohet një shtet si gjithë të tjerët. As me sovranitet absolut, as me sovranitet të kufizuar, por me një sovranitet të vërtetë e të ndërvarur në raport me ligjin e marrëdhëniet ndërkombëtare, si të gjitha shtetet e tjera. E, natyrisht, një shtet në funksion të demokracisë. Me krenari i publikojmë arritjet e qeverisë sonë, përparimet në indekset demokratike për zbatimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, transparencën, luftën kundër krimit. Do të hidhen hapa vendimtarë për principin e “Shtetit në funksion të demokracisë” kur të nisë punën edhe Byroja për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pra, siç e shihni, shumë nga politikat tona janë të ndërlidhura me frymëzimet që rrjedhin nga Ukshin Hoti.” – tha ai.

Një pjesë interesante e intervistës ishte edhe deklarata e tij për Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Hashim Thaçin, kontributi i të cilëve, sipas Kurtit, duhet respektuar.

“Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra. Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur.” – tha Kurti.

Lajme të ngjashme