Kurti në Spanjë: Flet për filozofin Kant, por s'e kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës - NACIONALE

Kurti në Spanjë: Flet për filozofin Kant, por s'e kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti i kthehet përsëri dëshirës së tij për filozofi. Më konkretisht për të folur rreth filozofisë e filozofëve. Kësaj radhe ishte Immanuel Kanti, filozof gjerman, që zuri gati gjysmën e kohës së fjalimit të Kurtit në takimin e Internacionales Socialiste, e cila u zhvilluar në Madrid të Spanjës. Pasi dha një “ligjeratë” mbi teorinë e paqes demokratike, Kurti foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fjalimin e tij, lideri i LVV-së foli gjërësisht për marrëdhëniet jo të mira mes shtetit kosovar dhe atij serb. Kurti vlerësoi se demokratizimi i Serbisë është çëlësi për një paqe të vërtetë.

Ajo që ra në sy, ndonëse Kosovës vazhdimisht i referohej si Republikë, Kurti nuk kërkoi njohjen direkte të pavarësisë. Natyrisht, Kurti e ritheksoi se Serbia nuk e pranoi jo vetëm pavarësinë, por s’e respektoi as vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth legalitetit të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë fjalimit 9-minutësh, z.Kurti përmendi edhe arritjet e Kosovës gjatë udhëheqjes së tij, duke theksuar se shteti kosovar është “një nga vendet më demokratike në rajon”.

Çfarë tha Kurti?

Në gati gjysmën e fjalimit të tij, Kurti foli për teorinë e Kantit rreht paqes së përhershme dhe atë të mos luftimit të vendeve demokratike mes vete. Ai ua shpjegoi pjesëmarrësve të Internacionales Socialiste ndërlidhjen mes mungesës së luftës dhe demokratizimit të një vendi. Madje, ai tregoi se nuk pajtohet me interpretimin që i bëjnë teorisë së Kantit shkollarët e marrëdhënies ndërkombëtare, duke treguar mëpastaj mendimin e tij mbi këtë çështje.

Ndryshe nga interpretimi më i ngushtë i dhënë nga teoricienët e marrëdhënies ndërkombëtare, Kant supozoi se paqja e vërtetë do të mbretëronte në çështjet botërore vetëm nëse plotësoheshin të tre kushtet e mëposhtme: 1) institucionet demokratike-republikane, 2) një bashkim paqësor i shteteve dhe 3) një etos i mikëpritjes universale.” – thkesoi Kurti.

Kur e kreu ligjeratën mbi Kantin, z.Kurti theksoi se në mes Kosovës dhe Serbisë ka vetëm armëpushim.

Përbërësi i munguar për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor është Serbia demokratike. Fatkeqësisht, fqinji ynë në veri, dhe njëri me të cilin Republika e Kosovës ndan kufirin më të gjatë, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh, dhe lidhje të gjera e të ngushta me Kremlinin,” është shprehur Kurti, ndërsa ka vazhduar duke treguar edhe për operacionet ushatarake të Serbisë në kufi me Kosovën.

Tutje, ai përmendi se Serbia nuk e ka respektuar mendimin e GJND-së, e cila theksoi se nuk është shkelur asnjë rregull e së drejtës ndërkombëtare kur Kosova e shpalli pavarësinë.

Deri më sot, ata mirëmbajnë 48 instalime ushtarake dhe të xhandarmërisë përreth kufirit të tyre me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja jonë e pavarësisë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që kërkojnë të minojnë shtetndërtimin tonë. Edhe pse në vitin 2010 Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ajo ka zgjedhur të mos respektojë gjetjet e gjykatës. Së fundmi, është përpjekur të përdorë ndikimin e saj në pjesën veriore të vendit tonë për të minuar sundimin e ligjit në atë rajon” – tha Kurti.

Kurti në fund foli edhe për rritjen e madhe ekonomike, duke përmendur shifra të ndryshme nga viti i kaluar, por duke e anashkaluar vitin aktual, ku Kosova po përballet me inflacion e rritje të çmimeve të produkteve bazë.

“Që nga ngjitja e partisë sonë në pushtet, dhe pavarësisht efekteve të pafavorshme nga pandemia globale COVID-19, ekonomia jonë ka arritur disa rezultate të dukshme. Për shembull, vitin e kaluar patëm një rritje dyshifrore prej 10.7% të PBB-së. Një pjesë domethënëse e kësaj rritjeje u nxit nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur 22 për qind rritje të investimeve të huaja direkte, këtë vit deri më tani është 47 për qind, ndërsa eksportet në vitin 2021 janë rritur për 83 për qind, ndërsa këtë vit për 29%. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën me 34 përqind,” ka thënë Kurti.

Ndryshe, Kurti si lider i LVV-së mori pjesë në Kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste që u zhvilluar në Madrid, ku kryetar i ri u zgjodh kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Lajme të ngjashme