Dekada e humbur e Kosovës: Nga shtetndërtimi te stagnimi - NACIONALE

Dekada e humbur e Kosovës: Nga shtetndërtimi te stagnimi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Jemi shumë me fat si gjeneratë që kemi qenë dëshmitarë dhe e kemi jetuar kohën kur Kosova fitoi çlirimin e saj historik gjatë vitit 1999, e gjithashtu u bë shtet i pavarur më 2008.

Kemi qenë me fat që kemi pasur mundësi dhe kemi qenë pjesë e ndërtimit të institucioneve të shtetit nga themeli. Prej thuajse pluhurit e hirit më 1999, Kosova ndërtoi gjithçka dhe u bë shteti ky që është! Këtë mundësi nuk e kanë pasur kurrë kosovarët në histori dhe kjo është diçka me u ndi mirë dhe me shumë vlerë.

Në anën tjetër, jemi të pafat që po humbim aq shumë kohë vitet e fundit dhe po stagnojmë me kriza politike dhe probleme me qeverisje. Gjatë viteve të fundit do të mund të bënim shumë gjëra e projekte me rëndësi.

Sidomos në energji! Do të mund të krijonim kapacitete energjetike që do të mundësonin pavarësi dhe sovranitet energjetik. Kjo do të mund ta transformonte Kosovën nga një vend i varur thelbësisht nga importi në një eksportues. Kjo do ta ringjallte ekonominë dhe do të mund të sillte shumë resurse për zhvillimin e sektorit privat e të prodhimit, dhe do të mund ta dyfishonte BPB/GDP-në nëse kishim lëvizur me kohë dhe si duhet.

Është për keqardhje gjithë kjo kohë e humbur dhe energji e humbur në një narrativ që përçau e ndau shoqërinë dhe kanalizoi energjitë në sulme dhe beteja politike mes nesh, në vend se të krijohej sinergji, bashkim dhe kohezion social.

Këto vite janë të humbura, janë një mundësi e humbur për Kosovën dhe shoqërinë e saj, e cila ka arritur aq shumë dekadat e fundit.

E tani, duket se jemi në stagnim dhe pa ndonjë indikator që diçka do të ndryshojë shpejt. Kjo nënkupton që një gjendje e tillë do të dominojë edhe, eventualisht, nëse nuk ndryshon diçka rrënjësisht, edhe disa vite.

Keqardhje, për shkak se kjo shoqëri e re dhe dinamike do të mund të punonte e bashkuar për projekte ekonomike e infrastrukturore dhe do të mund të krijonte stabilitet e të ishte frymëzim edhe për vendet tjera të rajonit. Sot është e ngujuar, derisa Shqipëria dhe Mali i Zi po bëhen gati ta përfundojnë rrugëtimin e anëtarësimit në BE.

Sot do të mund të flisnim për projekte të ekonomisë digjitale dhe të ekonomisë së re të AI. Por pa energji dhe ujë në dispozicion, pa shkathtësitë e duhura dhe një kornizë të nevojshme, kjo duket tashmë më shumë utopi sesa realitet.

Ditët, javët, muajt e vitet po kalojnë, e ne po vazhdojmë, fatkeqësisht, të stagnojmë dhe të flasim për kriza mbi kriza që kaluam dhe nëse do të përballemi ende me kriza të reja politike.

Një mundësi e humbur, por gjithashtu duhet të jetë një mësim për të gjithë. Nëse nuk mësojmë, do të përsëritet dhe do të bëhet normale e rutinore.

Themelet tona të forta, liria dhe pavarësia, shtetndërtimi, ende janë aty. Ne kemi dështuar vitet e fundit të shkojmë një hap përpara në zhvillim që sjell stabilitet dhe prosperitet, si dhe në konsolidimin e vendit tonë ndërkombëtarisht.

Themelet tona të forta të lirisë dhe pavarësisë do të na mundësojnë, hipotetikisht, ta rikuperojmë kohën e humbur, nëse kjo kohë nuk bëhet standard dhe rutinë.

Kosova ka pasur mundësi të bëjë shumë dhe të përfitojë duke i përmirësuar kapacitetet e energjisë, ekonominë dhe sektorin privat, si dhe ta fuqizojë individin në mënyrë që të ndërtojë mbi bazën e lirisë dhe pavarësisë.

Vitet '20 të shekullit XXI do të njihen në histori, me siguri, si vitet e humbura të stagnimit të Kosovës. Por koha nuk do të ndalet. Ne do të kemi mundësi ta vazhdojmë rrugëtimin tonë pozitiv dhe të bëjmë gjëra të mira për këtë shoqëri dhe rajonin, duke kontribuar dhe duke ofruar vlerë të shtuar edhe për Evropën.

Lajme të ngjashme