Drama e Kurtit për targat: Tensionimi i situatës u shmang, por cilat janë dëmet? - NACIONALE

Drama e Kurtit për targat: Tensionimi i situatës u shmang, por cilat janë dëmet?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dakordimi në mes të Kosovës dhe Serbisë për targat ilegale është arritur, por situata në terren nuk është si më parë.

Shmangja e përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore nuk do të thotë edhe kthim i normalitetit.

Drama e krijuar për targat ilegale, duke mos respektuar kërkesën e SHBA-së dhe BE-së, ka krijuar disa dëme të cilat nuk mund të rikuperohen shpejt.

Rikthimi i serbëve që braktisen institucionet qendrore dhe lokale do të marrë kohë.

Pas ujdisë për targat në Bruksel, askush nuk po merret me çështjen e kthimin e serbëve në institucione.

Largimi i qindra policëve dhe dhjetëra prokurorëve e gjyqtare ka krijuar pasiguri të madhe në katër komunat veriore. Zvogëlomi i numrit të policeve atje do të mund të ndikojë në ngritjen e kriminalitet.

Opozita ka akuzuar kryeministrin Kurti se me veprimet e tij ka zhbë gjitha të arriturat që janë bërë në atë pjesë në shtrirjen e sovranitetit dhe integrimin e serbëve.

Sipas tyre, tani pjesa veriore e vendit ka mbetur në duart e kriminelëve, të cilët nuk njohin etni.

Dorëheqja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve

Dorëheqja e punonjësve të administratës, policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve ka lënë zbrazëtira të mëdha në institucione.

Për plotësimin e disa prej këtyre pozitave do të duhet të shpallen konkurse, të cilat kërkojnë kohen e vetë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë për gazetën Nacionale se dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve ende nuk ka efekt juridik.

Ai ka bërë me dije se ata edhe mund të kthehen në vendet e tyre te punës.

Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në Kosovë dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb mund të konsiderohen se kanë efekt juridik vetëm kur të njëjtat miratohen nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial dhe të njëjtat dërgohen tek presidentja e Kosovës, e cila lëshon dekret për t`i liruar nga detyra”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri me tani asnjëra prej këtyre institucione nuk ka marrë ndonjë veprim në këtë drejtim.

Deri në këtë fazë, as Këshilli Gjyqësor dhe as ai Prokurorial nuk i kanë miratuar dorëheqjet e tilla, andaj ne duhet të shpresojmë që partnerët ndërkombëtar do t`i bëjnë presion Listës Serbe dhe Beogradit që të mos i përdorim më serbët lokal për agjenda politike në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të kthen në vendet e tyre të punës.", ka deklaruar Miftaraj.

Ai ka thënë se përjashtim këtu bëjnë vetëm gjyqtarët dhe prokuroret që kanë marrë pjesë në tubime politike të Listës Serbe.

Sipas tij, ata duhet të përjashtohen nga puna.

Ndërsa, për plotësimin e vendeve të qindra policëve që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, duhet të shpallet konkurs.

Lëndimi i raporteve me aleatët

Një tjetër dëm që ka shkaktuar veprimi i qeverisë për ta zbatuar vendimin për targat është lëndimi i raporteve me aleatët perëndimor.

Përfaqësuesit e opozitës kanë bërë me dije se do të duhet kohë për rikuperimin e këtyre raporteve.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniq, dje në Kuvend ka thënë Qeveria gaboi që nuk u koordinua me kohë me aleatët.

Ne e mirëpresim dakordimin në lidhje me targat që ka ndodhur dje në Bruksel, që shmang përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të vendit, duke besuar se do të ndikojë edhe në kthimin e normalitetit dhe funksionimit të plotë institucional atje. Gjithsesi, Qeveria gaboi që nuk u koordinua me kohë me aleatët strategjikë të Kosovës, para së gjithash me SHBA-të, por shkoi e negocoi me Serbinë për vendimet që ka mundur t’i marrë vetë, duke e bërë Serbinë palë në këtë çështje, pa asnjë arsye”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se veprimi i Qeverisë ka bllokuar proceset integruese të vendit.

LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Faceboo”.

Edhe politologu Agon Maliqi mendon se drama e Kurti me targa do t`i kushtojë Kosovës.

Dramë e panevojshme për me u arritë te e paevitueshmja. Për nevoja të teatralitetit, apo prej pasigurisë, u dëmtua kredibiliteti dhe u humbën pikë që mund të fitoheshin me ndjekjen e këshillës fillestare amerikane. Sidoqoftë, lajm i mirë dhe të shpresojmë sa ma shpejt drejt marrëveshjes finale”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore

Pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave veriore, institucionet e Kosovës kanë marrë veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Pas konsultimeve me partitë politike, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka caktuar 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve shtetit të Kosovës do t`i kushtoj edhe financiarisht.

Meqenëse nuk kanë qenë zgjedhje të parapara, KQZ-ja duhet të kërkoj nga Qeveria e Kosovës një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Ndërsa, sot Presidentja Osmani ka cakton 25 dhjetorin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit

Pas Vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendeve Komunale në Zveçan dhe Leposaviq, pas konsultimit me partitë politike dhe duke pasur parasysh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me afatet dhe detyrimet ligjore, caktoi 25 dhjetorin, datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit”, është thënë në njoftimin e presidentes.

Zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit do të mbahen pas dorëheqjes së anëtarëve të Kuvendeve Komunale dhe shpërndarjes së tyre më 18 nëntor nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Pas disa javëve tensione, Kosova dhe Serbia të mërkurën janë dakorduar për çështjen e targave ilegale.

Sipas ujdisë, Kosova nuk do t`i gjobitë serbët për mbajtën e atyre tabela, kurse Serbia nuk do të prodhoi më tabela të cilat në Kosovë cilësohen si ilegale.

Lajme të ngjashme