Intervistë | Haradinaj: Për targat Kurti po i bën favor Lajçakut dhe jo Blinkenit - NACIONALE

Intervistë | Haradinaj: Për targat Kurti po i bën favor Lajçakut dhe jo Blinkenit

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kundërshtuar vazhdimin e bisedimeve për targat me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai e ka vlerësuar si gabim shkuarjen e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, në Bruksel për të diskutuar për këtë çështje, duke e injoruar kërkesën amerikane.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haradinaj ka thënë se në këtë mënyrë Kosova po e injoron kërkesën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe po i bën favor përfaqësuesit të BE-së.

Mendoj se është gabim sot pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit në Bruksel për të diskutuar për targat në prezencë të z. Lajçak, ndërsa në anën tjetër kryeministri i thotë jo sekretarit amerikan”, ka thënë Haradinaj.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të reflektojë në raport me kërkesën e ShBA-së për targat.

Nëse fuqia e zëvendëskryeministrit është për me negociu me Serbinë, tërheqjen e vendimit për targat, unë një pyetje publike ia kisha bërë kryeministrit, se cili është roli yt në këtë proces? Domethënë, nëse sot zëvendëskryeministri shkon e diskuton me delegacionin serb për vendimin për targat, ndërsa amerikanëve ju thuhet jo, është një gabim. Besoj që kryeministri është i vetëdijshëm, e di çfarë pozicioni politik ka dhe do të reflekton”, ka thënë Haradinaj.

Ish-deputeti i AAK-së, ka bërë me dije se tani është krejt e parëndësishme nëse Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje për targat në Bruksel.

Sipas tij, tashmë Kosova e ka dëshmuar padëgjueshmërinë ndaj SHBA-ve.

Shumë e parëndësishme është. Çfarëdo marrëveshje që mund të ndodh, ajo do të këtë impakt shumë pak. Sepse kemi dëshmuar një padëgjueshmëri në raport me fuqitë e mëdha, më saktësisht me SHBA-të. Sot nëse ne këtë favor ia lëshojmë në tavolinë Lajçakut, mendoj se është një lëshim tepër i madh. Në vend se sot me shku në Prishtinë, te ambasadori amerikan dhe me i thënë, që ne jemi të gatshëm”, është shprehur Haradinaj.

Pasojat për Kosovën

Daut Haradinaj ka treguar se mosdëgjueshmëria e kërkesave amerikane për targat, mund t`i sjell Kosovës pasoja në të ardhme.
Ai ka thënë se tani pasojat ndaj disa ministrave vetëm janë parë.

Sinjalet e para janë kur iu mohohet lëvizja(ministrave) drejt ShBA-ve, ky është një mesazh i qartë, kujdes se ne këtu jemi faktor kryesor i sigurisë. Pra, flasim për siguri. Nuk mundemi me thanë se amerikanët kanë me heq dorë prej Kosovës, por a do të jemi aletë të sigurt në të ardhmen për ta. Kjo është pak në rrezik që unë mendoj se z. Kurti duhet të reflektojë shpejt”, është shprehur Hardinaj.

Sipas tij, ende nuk janë parë pasojat në raport me Kosovën.

Për fillim këto janë sanksione individuale, nuk janë sanksione që i vendosen Kosovës. Se sot ne e kemi kryetarin e Deçanit në vizitë atje. Nuk do të me thanë që ata e kanë sanksionuar Kosovën. Por, te jemi të qartë, ne rrezikojmë humbjen e veriut. Sepse Serbia gjithmonë ka pretendime territoriale në Kosovë. Për këtë arsye, ne pse po i bëjmë favore pretendimeve të Serbisë, kur ne ishim shumë në avantazh në raport me Serbinë. Tash pyetja është a më të rëndësishme janë targat, apo veriu. Për mua është veriut, dhe besoj për krejt Kosovën”, ka deklaruar ai.

Sa i përket planit franko-gjerman, Haradinaj ka thënë se është një bazë e mirë për marrëveshjen finale.

Problemi kryesor tani, sipas tij, është çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo i ka pasur elementet e veta pozitive. Gjithçka që sillet tash rreth tavolinës është çka nënkupton Asociacioni i komunave serbe. Ky është problemi kryesor që në propozim marrëveshje nuk ekziston. Është vetëm një pikë që flet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, sa i përket njohjes reciproke, mendoj se hala ka hapësirë për me u negociu, por që decidivisht është se të dyja palët respektojnë sovranitetin e njëra-tjeres”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova duhet të bëj përpjeke për njohjen reciproke.

Me tej, ai ka folur edhe për qëndrimin e Qeverisë ndaj këtij plani.

Haradinaj ka thënë se vendimi për targat ka nënkuptuar se Qeveria ka pasur rezerva për targat.

Nuk e di a ka gatishmëri. Refuzimi për shtyrjen e vendimit për targat nënkupton se qeveria ka pasur rezerva. Nuk e di se çfarë logjike kanë përdorur në këtë rast. Ata po thonë se ne jemi koordinuar me aleatët tanë, ndërsa në anën tjetër po e shohim reagimin e zyrtarëve të lartë amerikan që nuk është e vërtetë që janë koordinuar. Se është një vendim i njëanshëm dhe i ngutshme”, është shprehur ai.

Zgjedhje në veri nuk do të mbahen

Zyrtari i AAK-së ka folur edhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore.

Ai ka thënë se këto zgjedhje nuk do të mund të mbahen për shkak të rrethanave që mbizotërojnë në atë pjesë të vendit.

Sipas tij, presidentja e vendit nuk është dashur ta caktojë tani datën e mbajtjes se këtyre zgjedhjeve.

Nuk do të mbahen zgjedhjet, për shkak se qytetarët atje janë të kontrolluar nga strukturat ilegale, apo ish-legale, që sot janë instrument i Beogradit. Pra, nuk do të këtë zgjedhje në veri”, ka thënë Haradinaj.

Duke e komentuar situatën në veri pas dorëheqjeve të shumta, ai ka përmendur ndërhyrjen e ndryshme atje.

Kur i kemi të zhveshura uniformat e Kosovës, pavarësisht nacionalitetit serb, i bije që shumë pak kontrollohet pjesa kufitare e veriut. Bukfalisht kisha thënë se është një zonë e pakontrolluar prej institucioneve të Kosovës që i bije se mund të ketë elemente të ndryshme që qarkullojnë”, ka vlerësuar Haradinaj.

Ai i ka bërë apel kryeministrit Albin Kurti që të reflektojë karshi situatës në veri, duke dëgjuar kërkesat e amerikanëve.

Sipas tij, Kosova duhet ta gjejë një zgjidhje për këtë çështje, meqenëse gjendet në prag të marrëveshjes finale.

“Te jemi të qartë, ne pse kemi insistuar në shtyrjen e afatit për zbatimin e këtij vendimi, nuk është se nuk ka të drejtë Qeveria e Kosovës. Por, kur bëhet fjalë për marrëveshjen finale, e cila është në tavolinë që po quhet propozimi franko-gjerman, që e dimë se e ka përkrahjen e fuqishme të Shtëpisë së Bardhë. Për këtë arsyeje i kemi thënë z. Kurti që mos u nxito, por koordinohu me SHBA-të, jepu një afat për targat. Sepse ajo marrëveshje brumin e ka të mirë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, Kosova do t`i vuajë edhe në aspektin e brendshëm pasojat e kryeneçësisë së Qeverisë Kurti.

Sot e kemi zëvendëskryeministrin e Kosovës, i cili negocion me delegacionin serb pikërisht për targat në Bruksel. Pra, i bije që gozhda që u ngulë nga z. Kryeministër edhe mund të hiqet, por vrimat do të mbesin. Do të mbesin pjesëtarët e policisë jashtë, kryetarët e komunave pa mandat, do të kemi zgjedhje tjera në pjesën veriore. Do të kemi situatë të çuditshme sa i përket institucioneve të drejtësisë. Sepse prokurorët dhe gjyqtarët nuk e kanë mandatin e emërimit. Pra, do të jetë një proces krejt i ri”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës po ndjek politikë të çuditshme në raport me çështjen e targave.

Lajme të ngjashme