Pas anulimit të vizitave në ShBA, mund të vijë në shprehje edhe lista e zezë - NACIONALE

Pas anulimit të vizitave në ShBA, mund të vijë në shprehje edhe lista e zezë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Anulimet e disa vizitave të ministrave në ShBA po konsiderohen si sanksionet e para amerikane ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi kjo e fundit po e refuzon kërkesën për targat ilegale.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë treguar se këto janë vetëm sanksionet e para.

Ata kanë paralajmëruar se, nëse nuk dëgjohen kërkesa e aleatëve perëndimorë, pasojat për liderët institucionalë dhe shtetin e Kosovës do të jenë edhe me të mëdha.

Sipas tyre, në shprehje mund të vijë edhe shpallja “non grata” e politikanëve të caktuar.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për gazetën Nacionale se pasojat e këtyre veprimeve mund të jenë në rrafshin individual dhe atë shtetëror.

Anulimi i disa vizitave të ministrave dhe kryetarëve të komunave të Kosovës në ShBA është shenja e parë e mospajtimeve të ShBA-së me politikat momentale të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, këtu do të ketë pasoja. Ato do të jenë në dy rrafshe. E para, do të jenë në rrafshin individual”- ka thënë ai.

Në këtë drejtim, ai nuk ka e përjashtuar as mundësinë e futjes në listë të zezë të politikanëve që bëjnë veprime destruktive.

Nëse na kujtohet urdhëresa presidenciale e presidentit Joe Biden, ka qenë që të gjithë personat në Ballkanin Perëndimor, që janë të kyçur, në një formë a në një tjetër, në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por edhe personat apo politikanët, të cilët i pengojnë apo nuk i zbatojmë marrëveshjet ndërkombëtare, mund të futen në listën e personave non grata. Shpresojmë që të mos arrijmë në këtë pikë”- ka thënë ai.

Më tej, Arifi ka treguar se në rrafshin shtetëror, pasoja më e madhe do të jetë vazhdimi i status quo-së.

Ndërsa në rrafshin shtetëror, nuk do të ketë pasoja në kuptimin e drejtpërdrejtë për shtetin e Kosovës, por do të ketë status quo. Ajo është dëmtimi që ne mund të ia bëjmë vetes, sepse pa ndihmën e ShBA-së dhe vendeve të BE-së, Kosova do të mbetet në status qou dhe kjo do të thotë moszhvillim dhe mosavancim për Kosovën”- ka thënë ai.

Sanksione të tjera ndaj Kosovës ka paralajmëruar edhe drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se nuk duhet përjashtuar as ndërprerjen e ndihmave dhe të bashkëpunimit të aleatëve me Kosovën.

Pasojat e para janë “sanksionet e mençura”, të buta, që rezultuan në de facto anulimin e vizitave të planifikuara të qeveritarëve të Kosovës në ShBA. Por këtu nuk duhet përjashtuar as të tjerat, si p.sh. ngrirjen e ndihmave dhe bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë dhe sidomos në atë të mbrojtjes”- ka thënë Peci.

Sovraniteti i kushtëzuar në veri

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për gazetën Nacionale se të gjithë duhet të kuptojnë se institucionet e Kosovës në veri të vendit kanë sovranitet të kushtëzuar.

Sipas tij, në atë pjesë, institucionet vendore nuk mund të lëvizin pa koordinim me aleatët.

Një gjë duhet të kuptojmë: se Kosova ka sovranitet të kushtëzuar dhe të kufizuar në veri. Ata që nuk dëshirojnë ta kuptojnë, ose janë naivë, ose nuk dëshirojnë të kuptojnë. Pra sovraniteti në veri është i kufizuar dhe i përgjysmuar. Ne nuk mund të lëvizim asgjë pa koordinim apo pa na dhënë leje partnerët ndërkombëtarë. Ne ndoshta mund ta bëjmë, por pasojat do të jenë të mëdha për Kosovën”- ka thënë ai.

Edhe juristi i njohur, Albert Krasniqi, e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të ketë kujdes me kërkesën amerikane për targat.

Ai ka treguar se tashmë hapi i parë për sanksione është ndërmarrë.

Kjo nuk është rruga e duhur për mirëmbajtjen e aleancave dhe rritjen e besimit. Aleancat funksionojnë, kur investimi është i dyanshëm. Kështu, vetëm duke kërkuar ndihmë e duke mos i koordinuar veprimet, për pasojë i ka izolimin dhe stagnimin. Hapi i parë veç është bërë me anulimin e vizitave zyrtare. Prandaj zbatimi i vendimit pas dhjetë muajsh është koha e duhur e koordinimi me aleatët është mënyra më efikase. Kaq mund të bëjmë! ”- ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Shpjegimi i ShBA-së për anulimin e vizitave

Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të zhgënjyer me veprimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për targat ilegale.

Në fillim të kësaj jave, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë njoftuar nga ambasada e ShBA-së në Prishtinë se vizitat e tyre në ShBA nuk mund të realizohen në këtë kohë.

Ambasada e ka dhënë shpjegimin e saj për këtë rast.

Ne jemi në një krizë tani. Ne jemi shumë të fokusuar në këtë krizë; ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar këtu”- ka deklaruar zëdhënësja e ambasadës amerikane, Katherine Judd, për RTV “Dukagjinin”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë reagime të shumta nga serbët.

Policët e rajonit të Mitrovicës së Veriut kanë bërë me dije se nuk do ta zbatojnë këtë vendim. Pas deklarimeve të tilla, institucionet e Kosovës e kanë pezulluar komandantin e stacionit policor të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq. Ky veprim e ka nxitur Listën Serbe që të largohet nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës. Pas Listës Serbe, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e asamblistët e komunave veriore. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe shumë punonjës të organeve të drejtësisë dhe policisë.

Lista Serbe e ka kushtëzuar kthimin në institucione me pezullimin e vendimit për targat dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme të ngjashme