Kurti në Kosovë e Vuçiqi në Serbi folën në të njëjtën kohë për Asociacionin - NACIONALE

Kurti në Kosovë e Vuçiqi në Serbi folën në të njëjtën kohë për Asociacionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, folën në të njëjtën kohë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për planin franko-gjerman.

Derisa kryeministri Kurti bëri një hap të madh duke e pranuar në mënyrë eksplicite mundësinë formimi i Asociacionit “të konsiderohej”, presidenti serb në anën tjetër po përballej me opozitën pas qëndrimit të tij se mund ta pranonte planin franko-gjerman.

Kurti habiti të gjithë kur tha këto fjalë:

“Asociacioni i Komunave i dalur në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq apo marrëveshja e parë e parimeve siç njihet ndryshe, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte...”

Kurti kishte qenë refuzues kategorik i Asociacionit, duke e shpallur madje edhe të vdekur më 13 shkurt të vitit 2016.

Kjo u interpretua nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si “pranim i Asociacionit” me një kusht të vetëm, atë për të cilin kishin dhënë garancën e tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, në të njëjtën kohë sa Kurti po tregonte se mund të pranonte Asociacionin, në Kuvendin e Serbisë po fliste për të njëjtën temë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Ai theksoi që edhe nëse Kosova do të pranonte formimin e Asociacionit, ajo nuk mund të ishte si një organizatë jo-qeveritare.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë ashtu siç është nënshkruar në Bruksel – dhe marrëveshja e parë e nënshkruar, që në gjashtë pikat e para flet për formimin dhe funksionimin (e Asociacionit) e më pas me marrëveshjen për zbatimin, dhe parimet e përgjithshme me të cilat Asociacioni formohet – 22 parimet me përgjegjësi të mëdha për ne...” – tha ai.

Vuçiq pretendoi se nuk kishte diçka tjetër për t’u negociuar apo pajtuar, sepse këto obligime tashmë janë marrë.

Presidenti i Serbisë tha se ishte i brengosur që Prishtina do të provonte të negocionte sërish për këtë çështje duke kërkuar reduktimin e kompetencave të Asociacionit.

“Ata nuk janë të gatshëm ta zbatojnë atë që e kanë nënshkruar,” – u shpreh Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës në mënyrë krejtësisht të papritur kishte folur për çështjen e Asociacionit, gjë që i zuri në befasi edhe deputetët opozitarë – e ndoshta, edhe ata të pushtetit. Megjithatë, nëse është për t’i besuar, ai tha që këtë fjalim do ta kishte dhënë edhe dje nëse do të ishte mbajtur seancë e Kuvendit.

A ishin në sinkron këto dy deklarime të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, apo e gjitha ishte koincidencë?

Nacionale ka kontaktuar me Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë për t’i kërkuar koment mbi deklaratat e sotme nga kryeministri Kurti por deri në këtë moment nuk ka marrë një përgjigje.

Lajme të ngjashme