Kurti në intervistë: S'ka Zajednicë, ekziston një ekip për draftimin e statutit të Asociacionit - NACIONALE

Kurti në intervistë: S'ka Zajednicë, ekziston një ekip për draftimin e statutit të Asociacionit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar mbi Marrëveshjen e Ohrit të rënë dakord me Serbinë, më 18 mars.

I ftuar në ‘Debat Plus’, Kurti është pyetur në veçanti për pikën e Vetëmenaxhimit, të cilën ai prapë ka tentuar ta paraqesë si çështje jo shumë urgjente. E duke vënë fokus në çështjen e personave të pagjetur, kryeministri ka theksuar vazhdimisht se Asociacioni nuk është në preambulë të marrëveshjes dhe ka shtuar se nga marrëveshja ka njohje de fakto.

Ai madje 'njohjen de fakto' e ka cilësuar si arsye se pse kjo marrëveshje nuk po nënshkruhet nga Serbia.

“Është njohje de fakto, kjo është arsyeja pse nuk po e nënshkruan Serbia,”- ka thënë Kurti.

Megjithatë, ndërsa ka vazhduar komentimi i Asociacionit, që në marrëveshje kalon me emrin "Vetëmenaxhim", Kurti ka treguar ekipin e mundshëm që mund ta shkruajë statutin për të.

“Duhet të dihet mirë statusi i ekipit menaxhues, para se të draftojnë statute për vetëmenaxhim. Ekipi përbëhet nga gjashtë veta, janë emëruar në shtatorin e vitit 2020 dhe vendimin e ka marrë ish zv-kryeministri Goran Rakiq nga Lista Serbe, e cila dha dorëheqja nga qeveria ime,"- ka thënë Kurti, duke shtuar se në këtë ekip janë, "dy serbë nga veriu, dy serbë nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.”

Më tej bazuar në marrëveshjen e vitit 2015, Kurti ka treguar se ky ekip do të duhej ta bëjë statutin për Asociacionin.

“Në bazë të marrëveshjes së 2015 ky ekip menaxhues do duhet ta draftojë statutin e Asociacioni. Nuk e di saktësisht kush është në përbërje, por është evidente që duhet të dihet statusi i ekipit,”- ka thënë ai, ndërsa ka vazhduar të theksojë se “Vetmenaxhimi” i përket nenit 7-të dhe i referohet komunitetit serbë, e jo komunave.

“Vetëmenaxhimi i përket nenit 7, nuk thotë për komunat, por për komunitetin serb. Nuk i referohet serbëve në territorin ku banojnë, por në identitetin që kanë,”- është shprehur ai.

Pyetjen se a do të ketë kryetar ky organ, Kurti e ka lënë pa përgjigjje.

E ajo që bie në sy gjatë këtij debati është se kryeministri i Kosovës duket se nuk ka shumë konsistencë, pasi përderisa ka folur për ‘Vetëmenaxhimin’ deri te detajet mbi ekipin e mundshëm që mund ta shkruajë statutin për të, ai sikur harroi që në nismë të fjalës së tij potencoi se nuk kishte ndryshuar qëndrim për sa i përket Zajednicës.

Duke dashur gjatë gjithë kohës që të tregoj një dallim mes termit “Vetëmenaxhim” dhe “Vetëqeverisje” ose "Vetëadministrim”, Kurti ka thënë se nuk do të ketë Zajednicë me marrëveshjen evropiane dhe se vazhdon t’i qëndrojë parimit të tij opozitar.

“Ajo që është më e vlefshme, nuk e cenon mundësinë të ecim përpara. Mos kërkoni prej meje të flasim për mua në vitin 2013. Parimi jonë atëherë ka qenë “jo Zajednicës”, edhe sot jemi “jo Zajednicës’”- ka thënë ai.

Kurti po ashtu e ka cilësuar si obsesion përdorimin e deklaratave të tij të kaluara kundër tij.

“Konsiderohen me nga një sekond larg njëra tjetrës. Nuk mund të çoj veten tash në veten 2011 e ta lexoj këtë dokument sepse janë 13 vjet ndërmjet. Unë nuk mund të kthej kohën. A do të dëshiroja të jem kryeministër prej vitit 2011, besoj që do të ishte më mirë edhe për Kosovën, por tash jam kryeministër më 2023,”- ka thënë Kurti.

“Vullneti i popullit na ka sjellë këtu. Na kanë votuar për të qeverisur mire,”- ka shtuar ai.

Lajme të ngjashme