Kurti kundërthënës: Optimist për 'marrëveshje politike' me LDK-në, ama 'synoj jo 81, por 85 vota' për presidentin
Për herë të parë Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, përmendi “marrëveshje politike,” referuar çështjes së Presidentit pas takimit me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. “Marrëveshje politike” është ajo çfarë kërkon LDK-ja, çka gjerësisht është lexuar për bashkëqeverisje apo ndarje e pushtetit në këmbim të 15 votave sa peshon parlamentarisht kjo parti; mjaftueshëm për t’i bërë 80(+) votat e nevojshme në kuti për të zgjedhur presidentin e ri, moszgjedhja e të cilit deri më 28 prill e çon vendin vendin në zgjedhje sipas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Por, Kurti përtej “marrëveshjes politike,” që përmendi e për çka tha se është “optimist” që mund të arrihet, ai e ngriti numrin e kërkuar të deputetëve në 84-85 si “caku që synoj”, shifra këto që me LDK-në veçmas nuk i arrin dot. Dhe, menjëherë nga pjesëtarë LDK-së, ndonëse jo nga Abdixhiku, kjo u lexua si përjashtim në rend të parë i një marrëveshje me LDK-në. Ermal Sadiku, deputet i këtij subjekti, tha deklarimi i Kurtit për 84-85 deputetë është veçse parathënie e synimit për ta dërguar vendin në zgjedhje ose “të shkojë në koalicion me PDK-në.” Po ashtu, kështu e pa edhe vetë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Kurti pasi kreu takimin tri orësh me Abdixhikun foli për “atmosferë konstruktive” dhe shprehu “shpresë e besim...dhe optimizëm” se mund të arrihet një “marrëveshje politike.” Por, vijoi ai, “caku që synojmë është 84-85 deputetë.”
“Unë vazhdoj të jem optimist, se mund të arrijmë marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them që e kemi sot. Atmosfera konstruktive dhe dashamirësia që të shmangim zgjedhjet, më bënë optimist për këto tri javët e mbetura, që mos t’i shfrytëzojmë deri në orën e fundit”, tha Kurti.
“Unë vazhdoj ta kem qëndrimin e njëjtë, që nëse kemi emër të pëveçëm dhe po synojmë që të jenë veçse 80 apo 81 veta në sallë, në këtë legjislaturën e dhjetë ky do të ishte rrezik tepër i madh, vetëm një shumicë prej 84-85 do të na bënte komod për emrat e përveçëm. Edhe më tutje besoj që numri 80 apo 81 nuk është caku ynë për të ecur përpara, është më shumë se aq. Duhet të synojmë deri në fund, që të kemi 84-85”, tha Kurti.
Kurti tha se pas takimin me Abdixhikun do të synojë të takojë edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, ndërsa u shpreh se për president “synon” dikë që është, kushtetuetshmërisht, “përfaqësues i unitetit të popullit” – derisa në procedurë vazhdon t’i ketë dy kandidatët partiakë: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun.
Abdixhiku pas takimit me Kurtin tha se “nuk ka zhvillime të reja”s dhe se kanë më pak se tri javë për të arritur konsensus. Palët po ruajnë “konfidencialitetin”, tha ai, ndërsa shtoi se për partinë që e drejton zgjedhjet konsiderohen të padëshiruara.
Ai theksoi se çdo marrëveshje që siguron kuorum është e pranueshme, por duhet përfshirje “e të gjitha partive”.
“Çdo marrëveshje që siguron kuorumin për presidentin është e mirëseardhur, por kërkon përfshirjen e të gjitha partive. Po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje konsensuale për të shmangur zgjedhjet. Diskutimet janë ende në nivel parimesh, sidomos nëse një parti duhet të kontrollojë të gjitha institucionet. LDK e kundërshton këtë. Nuk ka ende emra konkretë, përveç dy kandidatëve të VV-së që janë në proces.”
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustrafa, tha se me deklarimin se 80-81 vota nuk janë caku i tij, Albin Kurti veçse e konfirmoi që nuk dëshiron zgjedhje të presidentit me LDK-në.
“Albini sapo përsëriti “80-81 vota për President nuk është caku ynë”. Pra, NUK po don me gjetë zgjidhje për president bashkë me LDK-në. Veq mos thuani pastaj “LDK po na qon në zgjedhje”, tha ai.