Kurti krenohet me qeverisjen në arsim: Furnizimin e disa shkollave me paisje higjenike e konsideron si sukses
Gjendja e arsimit në Kosovë, padyshim që mbetet sektori më sfidues i secilës qeveri deri tash. Rrjedhimisht edhe i kësaj qeverie.
Ndonëse në vitin 2022, kryefjala e zhvillimeve ishte në arsim, i përcjellur me greva që prodhuan shumë orë të humbura të nxënësve, përplasjet mes qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit e shumë problem tjera nga ky sektor, për kryeministrin Albin Kurti, viti 2022 ishte një vit i sukseshëm në këtë sektor. Përveç kësaj, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet e fundit në ranglistën e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA.
Në një status të fundit në Facebook, të titulluar “2022: Qeveria për arsim”, Kurti ka radhitur disa të arritura, që siç shkruan kryeministri, kanë qëllim të zhvillimit të potencialit për një arsim cilësor.
Lirimi i studentëve nga pagesa, ndërtimi i katër shkollave e sallave të edulatës fizike, furnizimi i dhjetra shkollave me paisje sportive e higjenike, janë disa nga të arriturat që liston kryeministri Albin Kurti.
Mirëpo, sipas njohësit të arsimit, Shkëlzen Gashi, është “dëshpëruese” se si Kurti po e konsideron si sukses furnizimin e sallave të edukatës fizike “me topa të basketit”.
Kryeministri i Kosovës një prej “sukseseve” të qeverisë së tij në fushën e arsimit për vitin 2022 po e konsideron që 22 sallave të edukatës fizike ju ka ble topa të basketit”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në Facebook, i cili në shumë paraqitje është kritik sa i përket edhe mungesës së programit të kësaj qeverie në sektorin e arsimit.
Ndërkohë, programi qeveritar 2021 – 2025 nuk i kushton më shumë se 2 faqe e gjysmë tekst, parashihen gjashtë pika kyqe për një arsim të transformuar.
“Edukimin parashkollor, tekstet e reja shkollore, shkollimin profesional, sistemin e bursave, arsimin e lartë pa pagesë dhe themelimin e fondit për hulumtime shkencore”, përmenden në Programin qeveritar si gjashtë zona të domosdoshme që i duhen arsimit.
Disa nga këto pika qeveria tashmë i ka zbatuar siç është ajo për lirimin nga pagesa të 43 mijë studentëve dhe bursa të ndara për studentët e dalluara për shkollim jashtë vendit dhe bursa për nxitjen e vajzave dhe djemve për studime në profile deficitare, ndonëse deri tani në këtë drejtim janë ndarë vetë, 100 sosh.
Ndërtimi i 160 qerdheve, larg përmbushjes
Njëra nga projektet më të mëdha kapitale të Qeverisë Kurti, ishte edhe i ndertimit të 160 qerdheve. Pra, Kurti dhe Vetëvendosje zotoheshin se do të ndërtohen 40 çerdhe për çdo vit.
Mirëpo, kur është konsumuar gati gjysma e mandatit, Qeveria Kurti ka vendosur gurthemel vetëm në tri çerdhe, përkatësisht një në Prishtinë, një në Gjilan dhe një në Gjakovë. Që i bie 157 qerdhe larg nga përmbushja e premtimit.
“Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes”, theksonte Kurti në Kuvend, gjatë prezantimit të plotë të programit qeverisës për vitet 2021-2025.
Por a është I realizueshëm ky premtim?
Në një prononcim të para disa javëve, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, e ka cilësuar si revolucionar për arsimin parashkollorë, nëse zbatohet premtimi i Kurtit për investime në ndërtim të institucioneve parashkollore.
Qehaja tha se kërkesa për përmbushjen e premtimit të kryeministrit Kurti, duhet të nxitet nga vetë komuniteti i prindërve, të cilët ndikohen më së shumti nga këto investime.
“Premtimi elektoral për investime në ndërtim të institucioneve parashkollore nëse jetësohet është me të vërtet revolucionar për arsimin parashkollorë! Sa do të arrij qeveria të përmbush këtë premtim është debat që duhet të nxitet nga çerdhet që veçse janë ndërtuar gjatë këtij mandati, ato të cilat janë në prokurim dhe të tjerat për të cilat veçse është ndarë buxhet. Kërkesa për përmbushje të këtij premtimi duhet të jetë e nxitur nga vet komuniteti i prindërve – investimet në parashkollor kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë familjare”, thuhet në përgjigjien e Qehajes për Nacionalen.
Mirëpo, ndonëse qeveria konsideron se po bën hapa para në avansimin e përmisimit të kushteve dhe cilësisë në arsim, ky sektor po vazhdon të çaloj pothuajse më së shumti.
Në vlerësimin e Indeksit të Kapitalit Njerëzor të Bankës Botërore në vitin 2020 —u vlerësua se një fëmijë që fillon shkollën në moshën katër-vjeçare në Kosovë, pritet që deri në moshën 18-vjeçare t’i përmbush 13.2 vite shkollim. Sipas indikatorit të tyre, përmes së cilit maten vitet e shkollimit me mësimin e fituar, 18-vjeçarët në Kosovë, në fakt kryejnë 7.9 vjet shkollim, pra 5.3 më pak se ç’do duhej të kishin.

