Kurti kërkonte që Odaloviqi të shkarkohej e merrej në pyetje, sot ia njohu “punën e rëndësishme” - NACIONALE

Kurti kërkonte që Odaloviqi të shkarkohej e merrej në pyetje, sot ia njohu “punën e rëndësishme”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deklarata për Personat e Zhdukur e miratuar sot nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tashmë është publikuar në faqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Disa rreshta të saj përbëhen nga preambula, derisa në pjesën tjetër, janë nëntë pika. Çka thuhet në preambulë, dhe çka rreth Veljko Odaloviqit të cilin Kurti kërkonte edhe që të merrej në pyetje?

Kosova dhe Serbia po vazhdojnë edhe më tej bisedimet në Bruksel, por fillimisht, është kryer puna për pikën e parë të takimit – Miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Pikërisht në premabulë, ndodhet një prej pjesëve interesante të kësaj deklarate, ku bëhet e qartë se Kosova dhe Serbia pranojnë “punën e rëndësishme të Grupit Punes”.

Odaloviq?

“Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK. Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare.”thuhet në një prej rreshtave të preambulës.

Dhe këtu, vlen të theksohet se kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë është Velko Odaloviq.

Në qershor të vitit 2021, në një prej takimeve të para prej kur u bë kryeministër për herë të dytë, kryeministri Kurti e kishte përmendur këtë person.

Pikërisht atë kohë, Kurti kishte bërë “katër propozime”, ku kërkonte shkarkimin e Odaloviqit, kjo për shkak që siç deklaronte kryeministri, “në viet 1997-1999 ishte naçelnik i qarkut të Kosovës dhe udhëhiqte Kosovën e okupuar…”.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.” – kishte thënë ai.

Ndërkohë, në lidhje me deklaratën që u miratua sot kishte folur Odaloviq, duke thënë se “pret që të e njëjta të miratohet”.

“Është me rëndësi që të arrihet tek ky dokument, për rikthim të procesit dhe vazhdim të punës për kontakt me familjet dhe rikthimin e shpresës për ta. Është me rëndësi sepse shpresa për ta ka humbur, për shqiptarë e serbë të cilët po i kërkojnë të dashurit. Marrëveshja është një dimension politik, por që nuk është çështje politike, por një çështje humanitare.” – tha ai.

Pikat e deklaratës:

Ne angazhohemi së bashku;

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

-për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,

-për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,

-të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur,

-për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,

- mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

-për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur,

-krijimi dhe bashkëpunimi përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur,

-të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

Lajme të ngjashme