Kurti i egër me bizneset vendore, barrikadat serbe i quante ‘paqësore’
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot kërcënoi me përdorim ‘shkopi’ në rast se protestat përshkallëzohen.
Agjenda e protestës paqësore të përfaqësuesve të bizneseve ishte paralajmëruar prej ditësh, me bllokim dyorësh të rrugëve kryesore në hyrje dhe dalje të kryeqytetit.
Paçka se nuk u shënua asnjë incident i vetëm, kryeministri në detyrë kërcënoi se këto barrikada “do t’i heqim kudo.”
Këtë kërcënim e bëri në kurriz të bizneseve punëdhënëse, të cilat e mbushin gati 80 për qind të buxhetit të shtetit.
Sidoqoftë, gjuha e Kurtit dallon nga vendi në vend.
Krejt ndryshe nga qasja mujshare kundrejt bizneseve vendore, ai barrikaduesit e dhunshëm serbë në veri të Kosovës i quante ‘paqësorë’.
Më 10 dhjetor 2022, Policia e Kosovës kishte arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq.
Ky i fundit ishte i dyshuari kryesor për organizimin e sulmit terrorist ndaj zyrave të KQZ-së në veri të Mitrovicës —përpjekje kjo për t’i sabotuar zgjedhjet lokale për komunat veriore që ishin paraparë të mbaheshin me 18 dhjetor.
Dhjetra serbë, të organizuar nga strukturat paralele në veri, kishin sfiduar institucionet e sigurisë duke barrikaduar rrugët kryesore në veri.
Duke qenë se Policia e Kosovës nuk zotëronte helikopterë, ajo u detyrua të ‘ngujohej’ në barakat e pikëkalimit kufitar në Jarinje bashkë me serbin e arrestuar.
Për tetëmbëdhjetë ditë me radhë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i tij i Brendshëm Xhelal Sveçla nuk guxuan të japin urdhër për largimin e barrikadave ashtu që të garantohej liria e lëvizjes në këtë pjesë të Kosovës.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe ShBA-së, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti u pajtuan për gjetjen e një zgjidhje për deeskalimin e gjendjes në veri.
Në një kumtesë që e kishte lëshuar Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Kurti dhe udhëheqja kosovare kishin pranuar një nga kërkesat kryesore të Serbisë: mosarrestimin e atyre që i bllokonin rrugët në veri përmes barrikadave.
“Ne mirëpresim garancitë e udhëheqësisë së Kosovës që konfirmon se nuk ekzistojnë kurrfarë listash për arrestimin apo përndjekjen e qytetarëve serbë të Kosovës për protesta e barrikada paqësore”, thuhej në njoftimin e Brukselit. /NACIONALE/