Maçoku që bën si luan – Kurti nuk hoqi asnjë barrikadë serbe
Paraditen e së enjtes, kryeministri në detyrë Albin Kurti iu ngërmua me kërcënime protestës paqësore të bizneseve. Duke i vënë në një thes me strukturat paralele në veri, ai tha se koha e barrikadave ka kaluar dhe se ato janë hequr njëherë e nuk do të kthehen më. Në të vërtetë, Kurti dhe Sveçla asnjëherë nuk kanë hequr ndonjë barrikadë në veri. Në shtatorin e 2021-s, pjesa veriore u paralizua për 13 ditë me radhë nga barrikaduesit serbë. Edhe në dhjetorin e 2022-s, rrugët drejt veriut mbetën peng i barrikadave për 18 ditë me radhë. Në të dyja rastet, kryeministri Kurti dhe ministri i tij Sveçla nuk patën zemër për të dhënë urdhër për heqjen e barrikadave. I vetmi rast kur ato u hoqën nga Policia e Kosovës ishte në maj të 2019-s në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Col Mehmeti
29 maj 2025 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti duket se është jotolerant ndaj cilësdo formë proteste.
Në mbledhjen e sotme me anëtarët e kabinetit të tij, ai tërhoqi paralele mes protestës paqësore të bizneseve dhe barrikadave të dhunshme të serbëve në veri të vendit.
“[…]Ata po duan të bëjnë barrikada në hyrje të Prishtinës. Por, koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, i kemi hequr ato kudo që kanë qenë dhe jemi zotuar se nuk do të lejojmë të vendosen barrikada të reja”, tha Kurti.
Megjithëse një deklarim i tillë përmban kërcënime tacite për përdorim force, këtu ka diçka që nuk përkon me të vërtetën.
Prej 22 marsit të vitit 2021 kur e mori mandatin e deri më 23 marsin e sivjetmë kur e konsumoi atë, Kurti si kryeministër nuk ka hequr asnjë barrikadë të vetme.
Rënia nga provimi i parë (2021)
Nëse aluzioni i tij ishte për barrikadat që ngriheshin dikur në veri, atëherë Qeveria e tij ka rënë keq prej provimi në dy raste.
Le ta ftillojmë historinë e harruar…
Më 20 shtator 2021, Qeveria e Kurtit vendosi t’i ndalonte targat e lëshuara nga Serbia për të gjitha automjetet që hynin në Kosovë.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ish-ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, automjetet me targa serbe obligohshin të pajiseshin me targa të përkohshme.
“Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa mjetit”, thuhej në vendim.
Ky vendim shërbeu si vëng për fillimin e protestave nga struktura të organizuara të serbëve lokalë.
Qindra serbë bllokuan dy rrugët kryesore drejt pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak – ata, si zakonisht, vunë kamionë midis rruge dhe barrikadat i përforcuan me drunj e zhavorr.
Për trembëdhjetë ditë me radhë, veriu u paralizua i tëri dhe dy pikëkalimet kufitare u gjendën para vështirësive serioze logjistike.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës u detyruan të lëviznin në këmbë deri në pikëkalimet në Jarinje dhe Bërnjak.

Kurti bëri kompromis
Gjatë gjithë kohës, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla nuk dhanë asnjë urdhër për largimin e barrikadave fizike.
Më 26 shtator, ushtria serbe u pa ta lëvizte makinerinë e saj ushtarake drejt kufirit me Kosovën.
Marrëveshja e arritur me 30 shtator i gjeti një çare të përkohshme shtrëngicës.
Kurti pranoi ekzistencën e targave të Serbisë në Kosovë, që u reciprokua edhe nga Serbia për targat e Kosovës, me kushtin që në targat e të dyja vendeve të vendoseshin ngjitësa për t’i mbuluar simbolet shtetërore.
Me ndërmjetësimin e KFOR-it, njësitë speciale të Policisë së Kosovës u tërhoqën nga veriu ashtu sikurse edhe barrikadat e vendosura në veri.
Rrjedhimisht, heqja e tyre nuk u bë nga Policia, por pasoi kompromisin e parë të Kurtit kundrejt Serbisë.
Rënia nga provimi i dytë (2022)
Zavallet me barrikada nuk përfunduan me krizën e shtatorit të vitit 2021.
Perdja e një drame të re u ngrit me 10 dhjetor 2022 kur Policia e Kosovës e arrestoi ish-policin serb, Dejan Pantiq.
Ndaj tij rëndonte dyshimi se më 6 dhjetor kishte organizuar një sulm terrorist ndaj zyreve të KQZ-së në Mitrovicën e veriut—e gjithë kjo në përpjekje për t’i sabotuar zgjedhjet lokale për komunat veriore që ishin paraparë të mbaheshin me 18 dhjetor.
Pikërisht në ditën e arrestimit të Pantiqit, dhjetra serbë mësynë me barrikadim të rrugëve drejt pikëkalimeve kufitare.
Në pamundësi të lëvizjes nëpër rrugë tokësore dhe në mungesë të helikopterit, Policia e Kosovës u shtrëngua ta mbante Pantiqin në kontenjerët e pikëkalimit në Jarinje.
Kurti sërish ngriti flamurin e bardhë
Për tetëmbëdhjetë ditë radhazi, rrugët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok u mbajtën të bllokuara, por Kurti e Sveçla nuk patën zemër për të dhënë urdhër për largimin me forcë të barrikadave.
Edhe gjatë këtij episodi u përsëdytën skenat e një viti më parë me avitjen e ushtrisë serbe drejt kufijve të Kosovës.
Me 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Kjo u pasua me largimin e barrikadave nga rrugët pas kërkesave të Beogradit për lirimin e ish-policit serb, mosndjekjen penale të barrikaduesve serbë dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Maj 2019 – koha kur barrikadat u hoqën
Megjithatë, në veri të Kosovës ishte kënduar një tjetër këngë më 2019.
Më 28 maj, Policia e Kosovës ndërmori një operacion të gjërë në pjesën veriore të vendit, me ç’rast u vunë në pranga njëmbëdhjetë policë serbë, katër shqiptarë dhe katër serbë si të dyshuar për përfshirje në krim, korrupsion dhe keqpërdorim detyre.
Strukturat paralele serbe kishin marrë masa që, përmes barrikadave e pengesave të tjera fizike, të pamundësonin aksionin e njësive elitare të Policisë së Kosovës.
Megjithëse ata u përballen me të shtëna armësh nga prita të organizuara anash rrugës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës me autoblindat e tyre pastruan lehtësisht rrugët nga kamionët e pengesat e tjera.


Me këtë rast, pjesëtarët elitarë të Policisë së Kosovës arrestuan edhe një zyrtar rus të UNMIK-ut, i cili dyshohej si agjent i shërbimeve ruse të sigurisë.
Po atë ditë, ish-presidenti Hashim Thaçi mblodhi të gjitha strukturat e larta të sigurisë.
Kërcënimit që bëri presidenti serb Aleksandër Vuçiq se do të ndërhynte në Kosovë, Thaçi iu përgjigj duke thënë se deklarime të tilla bëheshin vetëm sa për konsum të brendshëm.
“Është një deklaratë populiste, një deklaratë e cila kryesisht ka opinionin e brendshëm në Serbi. Presidenti Vuçiq e dinë shumë mirë se nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur dhe e pa imagjinueshme, ku edhe ai vet është i bindur. Në çdo rast, institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe FSK-në janë në gjendje gatishmërie”, kishte thënë asohere Thaçi. /Nacionale/