Kurti e zbuti se Macroni "u interesua edhe për dialogun me Serbinë", por cilat janë qëndrimet e rrepta të tij?
Parisi ka qenë nga qendrat më të ashpra perëndimore ndaj Kosovës për kursin e ndjekur në veri të vendit: prej bllokimit të anëtarësimit në Këshill të Evropës me kushtëzim të miratimit të draft-Statutit të Asociacionit për rishikim kushtetues e deri te hezitimi për heqje të sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës pa u rivendosur pushteti lokal në veri. Ditëve të fundit, Macron në urimin ndaj Albin Kurtit si kryetar qeverie u thirr menjëherë në obligimet e marra nga në Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit, e që ishte produkt i asaj që ishte plani franko-gjerman i bazuar në modelin e dy-Gjermanive. Kurti fill pas kësaj letre udhëtoi për në Paris në një takim bilateral për të cilin tregoi në përgjithësime se çfarë ka biseduar; ndërsa pala franceze nuk ka dhënë verzionin e vet të natyrës dhe përmbajtjes së bisedimeve. Kurti në konferencë për shtyp tha se Macron “u interesua edhe për dialogun Kosovë – Serbi.” Macron në letrën që mban datën e 23 shkurtit, 2026, i shkruan Kurtit se zbatimi i Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, të qendërzuar në dy shtylla (Neni 4, mospengimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe Neni 7, autonomia për serbët e Kosovës), përbën “dimensionin integral të procesit së afrimit me Bashkimin Evropian.” Më tej aty vazhdohet se kjo marrëveshje “ka vendosur kursin” dhe shton se palët duhet të zbatojnë obligimet e marra. Ndërkaq Kurti, pas takimit me Macron, e dha vetëm si “duhet të zbatohet marrëveshja për normalizimin e plotë,” formulim ky që nuk përkon me emrin zyrtar të marrëveshjes së Brukselit, e cila quhet “Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit” dhe e cila duhet t’i paraprijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe finale.

Qëndrimet më të rrepta të Francës
Në një artikull të “Financial Times” të datës 7 maj 2023, gazetari Marton Dunai, kishte ndarë me burime të veta të larta diplomatike një “mesazh të rëndë” që Macron ia kishte thënë Kurtit për çështje të moszbatimit të marrëveshjes së Bruksel/Ohrit. Teksa shtjellon me burime që kjo marrëveshje, në mënyrën se si ishte hartuar, ishte bërë “që secila palë merr pak e jep pak. Përpiqeshim të kënaqnim të dy palët”, aty i njëjti burim i thotë se Macron i drejtohet ashpër Kurtit.”
“Në një pikë, (Presidenti francez) Macron i dha një mesazh të ashpër Kurtit: duhet të bësh prioritet këtë nëse do që gjërat të ecin para...ai po ashtu i tha Kosova nuk mundet të kthehet mbrapa ose të ndërrojë qëndrimet e veta.”

Franca kishte vazhduar të mbanta pozicioni rigjide ndaj Kosovës saqë edhe në Këshill të Sigurimit pohonte mbështetje edhe për një mision si UNMIK-u të vazhdojë të jetë, pavarësisht kërkesave të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar në KS të OKB-së si Anëtar të Pëherhshëm me të drejtë vetoje.
Në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit të Sigurimit për raportin gjashtë mujor në vitin 2025, përfaqësuesi i Francës në Këshill të Sigurimit kishte dënuar ashpër qeverinë kosovare për mbyllje të strukturave paralele serbe në veri të vendit.
“Ky vendim është i dëmshëm për jetën e përditshme të serbëve në Kosovë. Franca shpreh keqardhje për këtë veprim të njëanshëm dhe rithekson se statusi i strukturave serbe duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASMM) në bazë të draft statutit evropian. Franca do të vazhdojë të monitorojë situatën e popullatës serbe të Kosovës,” pati thënë ambasadori francez në KS të OKB-së, Jerome Bonnafont.
Po ashtu më 2024, përfaqësuesi francez në KS të OKB-së Nicolas de Riviere, ishte i zëshëm në kërkim të palës kosovare që të themelojë Asociacionin.
“Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është pritur nga autoritetet kosovare për një kohë të gjatë. Mungesa e progresit në këtë pikë mbetet një pengesë për zbatimin efektiv të të drejtave të njerëzve që i përkasin pakicës serbe, dhe rrjedhimisht për perspektivën evropiane të vendit. Shpresojmë që sa më shpejt të arrihet progres i pakthyeshëm, në përputhje edhe me aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi trajtimi i duhur i minoriteteve është në qendër të mandatit të kësaj organizate,” shprehej ai.
Letra e përbashkët Macron/Scholz/Meloni
Tre liderët e vendeve më të forta të BE-së patën refuzuar të lejonin Kosovën të anëtarësohej në Këshill të Evropës pikërisht me çështje të Asociacionit dhe “bishtnimit” që Albin Kurti në pranverën e 2024’ës kishte provuar të bënte.
“Topi është në fushën tuaj,” kishin shkruar Macron, Scholz dhe Meloni, ku i kërkoni Albin Kurtit që të miratonte me dekret qeveritar draft-Statutin e BE-së për Asociacionin, si garanci për votat për anëtarësim në Këshill të Evropës.

