Kurti e përsërit veten në Paris: Duhet marrëveshje me Serbinë, s’frikësohemi, sepse e kemi NATO-n
Kryeministri Albin Kurti që nga dje po qëndron në Francë, ku po merr pjesë Forumin e Paqes në Paris. Në një diskutim në Forum të titulluar “Dalja nga kriza e shumëfishtë”, Kurti ka folur për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbië, duke theksuar se dialogu duhet të jetë parimor e simetrik.
Në një diskutim që zgjati gati 16 minuta, Kurti foli për paqen dhe sigurinë në Evropë, për rrezikun e Kosovës nga Serbia dhe për nevojën për dialog e marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Si gjithnjë, Kurti theksoi kërkesën e tij që dialogu të rezultojë me një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke.
Deklaratat...
Që në hyrje të fjalimit, Kurti ngriti një paralele interesante mes luftës në Ukrainë dhe situatës në Evropën juglindore. Në analizën e tij, Kurti vlerësoi se Rusia dhe Serbia po sfidojnë paqen në Evropë.
Sipas tij, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të ngjashëm, pasi nuk besojnë në vlerat e demokracisë.
“E vërteta është që paqja dhe siguria nuk po sfidohet vetëm në Lindje nga Rusia, por edhe një juglindje nga Serbia. Ato nuk kanë kufijë të përbashkët, por kanë qëllime të përbashkëta për dominim, i shohin shtetet me thjerrëzat e etnisë, sepse nuk besojnë në vlerat e demokracisë”, theksoi Kurti.
Kurti foli konsiderueshëm edhe për çështjen e dialogut dhe të marrëveshjes finale. Sipas tij, marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen.
“Bashkimi Evropian po përpiqet fort që të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të normalizohen marrëdhëniet. Kosova është vend normal dhe më duhet ta pranoj që marrëdhëniet e vendit tonë me Serbinë nuk janë normale. Duhet t’i normalizojmë dhe dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve, por jo dialog për statusin e Kosovës”, theksoi Kurti gjatë fjalës së tij.
“Pra bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve. E ky normalizim nënkupton marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obligative me njohjen në qendër të saj. Sigurisht mund të ketë pika të tjera edhe në atë marrëveshje, por njohja e ndërjselltë do të jetë pika qëndrore. Me mua si kryeminsitër dialogu me Serbinë është parimor, është semitrik dhe është i barabartë barabartë. Jam absolutisht i përkushtuar e konstruktiv e kreativ në gjithë procesin”, deklaroi Kurti.
E gjersa foli për Serbinë, ai tha se shteti serb është rrezik i madh për Kosovën.
“Serbia është hegjemon regjinal…Serbia është rrezik mjaft i madh për vendin tonë, jemi shumë vigjilent, pos asnjëherë të frikësuar. Kosova nuk është në NATO, por ka NATO-n brenda”, theksoi z.Kurti ndër të tjera.

“Unë besoj që Serbia duhet të distancohet më së pari nga e kaluara e Millosheviqit dhe nga e tashmja e Putinit”, shtoi Kurti.
Ndryshe, Kurti sot është takuar me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

