Kurti e Osmani s’e përmendën, Chollet kërkon që të formohet Asociacioni - NACIONALE

Kurti e Osmani s’e përmendën, Chollet kërkon që të formohet Asociacioni

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë qëndrimit në Prishtinë ka thënë se Kosova duhet të përmbushë zotimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk dihet nëse një kërkesë e tillë është bërë në takimet me liderët shtetërore, pasiqë asnjëri nga ta, s’e ka përmendur.

Radio Evropa e Lirë raporton se Chollet i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke.” – citohet të ketë thënë Chollet.

Çka tha Kurti për takimin?

Zyra e Kryeministrit ka lëshuar një komunikatë për media pas takimit të tij me nënsekretarin Chollet, por aty nuk përmendet diku fjala “Asociacion”.

Në komunikatën për media, u bë e ditur se Kurti fillimisht, e ka falenderuar Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe angazhimin e tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.” – thuhet në komunikatë.

Planit franko-gjerman, tash Qeveria e Kosovës po i referohet si evropian, duke konfirmuar se është diskutuar edhe një çështje e tillë.

“U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.” – bëhet e ditur mes tjerash.

Çka tha presidentja?

As presidentja e Kosovës nuk ka lënë të kuptohet se është disktuar rreth një kërkese të tillë, por ka shkruar se kanë folur rreth “zhvillimeve të fundit në rajon”.

“E gëzuar që mirëprita një delegacion të nivelit të lartë nga qeveria e ShBA-ve, të udhëhequr nga nënsekretari Derek Chollet. Diskutuam zhvillimet e fundit në rajonin tonë dhe theksuam rëndësinë parësore të angazhimit amerikan. Mbetemi të përkushtuar në forcimin e aleancës së hekurt Kosovë-ShBA,” – ka thënë Osmani.

Ndërkohë, edhe liderët opozitarë kanë zhvilluar takime me këshilltarin Chollet, ku deri më tani, vetëm Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai ka thënë se në takim, kërkoi marrëveshje finale me njohje reciproke me Serbinë.

“Njëkohësisht, shtrova nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit.” – tha Haradinaj.

Megjithatë, kreu i AAK-së nuk ka cituar ndonjë deklaratë të Chollet dhe nuk ka treguar se çfarë i ka thënë ky i fundit në takimin e mbajtur.

Ndryshe, hollet ishte përfshirë mes zhvillimesh politike sa i përket dialogut të Kosovës me Serbinë qysh në kohën e tensioneve të mëdha në veri të vendit. Ai ishte shfaqur haptas “i zhgënjyer” me Kosovën dhe me Qeverinë Kurti II për çështjen e targave ilegale.

“... ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit.” – shprehej z. Chollet pas një bisede telefonike me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Lajme të ngjashme