"Njeriu amerikan i zhgënjimit me Kurtin" në Kosovë: Çka dimë deri tash? - NACIONALE

"Njeriu amerikan i zhgënjimit me Kurtin" në Kosovë: Çka dimë deri tash?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënsekretari amerikan i Shtetit, Derek Chollet, së bashku me një numër zyrtarësh tjetër amerikanë kanë qëndruar sot në Kosovë dhe ka zhvilluar takime me aktorët e skenës politike kosovare. Deri tash, ka mungesë informacionesh përmbajtjesore nga takimet e tij. Por, megjithatë çka dimë deri tash?

Chollet ishte përfshirë mes zhvillimesh politike sa i përket dialogut të Kosovës me Serbinë qysh në kohën e tensioneve të mëdha në veri të vendit. Dhe, ai ishte shfaqur haptas “i zhgënjyer” me Kosovën dhe me Qeverinë Kurti II për çështjen e targave ilegale.

“... ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit.” – shprehej z. Chollet pas një bisede telefonike me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e kishin rritur jashtëzakonisht shumë presionin ndaj Kosovës në lidhje me çështjen e targave ilegale. Qeveria Kurti efektivisht do të pranonte më 23 nëntor që të shtynte këtë çështje, por jo pa i bërë dëme raporteve të Kosovës me miqtë e saj.

Vizita e Chollet në Kosovë erdhi në kohën e qetësimit të tensioneve në veri të vendit. Ai kishte planifikuar vizitë fillimisht në muajin dhjetor – kur tensionet ishin ende të larta – por siç kishte njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit, ishte sëmurë me Covid.

Takimin e parë, z. Chollet e bëri me presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmani.

Kjo e fundit, përmes një komunikate për medie, ka treguar se temë kryesore e takimit ishte cështja e dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas njoftimit zyrtar, Presidentja Osmani ka thënë se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, ka thënë Osmani.

Sipas njoftimit, shefja e shtetit me diplomatin amerikan ka biseduar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike.

Gjithashtu, e para e shtetit në këtë takim ka konfirmuar partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës. Pas presidentes, diplomati amerikan ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti.

E PËRDITËSUAR: Në komunikatën për media, u bë e ditur se Kurti fillimisht, e ka falenderuar Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe angazhimin e tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.” – thuhet në komunikatë.

Planit franko-gjerman, tash Qeveria e Kosovës po i referohet si evropian, duke konfirmuar se është diskutuar edhe një çështje e tillë.

“U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.” – bëhet e ditur mes tjerash.

Chollet takon edhe opozitën

Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, do të takohet edhe për liderët e partive opozitare.

Burimet brenda subjekteve opozitare kanë thënë për gazetën Nacionale se diplomati amerikan do t`i takojë përfaqësuesit e tyre pas takimeve me liderët institucionalë.

Të njëjta burime kanë thënë se Chollet liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së do t`i takojë ndaras.

Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, më herët ka takuar presidenten Vjosa Osmano, ndërsa tani është duke e zhvilluar takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Nënsekretari amerikan i shtetit, Derek Chollet, gjatë vizitës në Kosova ka qenë i shoqëruar zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, dhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.

Para ardhjes në Kosovë, Chollet ka vizituar Maqedoninë e Veriut. Kurse, pas vizitës në Kosovë ai do të udhëtojë për vizitë në Serbi.

Lajme të ngjashme