Kurti e bën këshilltar Hysamedin Ferajn, "ideologu" i VV-së do t'i mbikëqyrë marrëveshjet mes Kosovës e Shqipërisë
Hysamedin Feraj është emër i njohur për publikun kosovar. Në qarqe të ndryshme, filozofi që ligjëron në Tiranë, së bashku me aktivistë të tjerë nga Shqipëria, jozyrtarisht njihet si ideolog i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ai tashmë zyrtarisht mban një funksion në Qeverinë e Kosovës.
Ish-kandidati për deputet nga LVV, që shpeshherë ishte në qendër të debatit për deklarime kontraverse, është pjesë e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.
Nga filozof në këshilltar
Afërsia me liderin e VV-së i është shpërblyer filozofit që u lind në Gjakovë, por që ligjëron filozofinë në Tiranë.
Hysamedin Feraj është emëruar këshilltar i kryeministrit Albin Kurti. Që nga muaji shkurt, ish-deputeti në tentativë, është i ngarkuar me përgjegjësinë e koordinimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tregoi se ai në këtë funksion është emëruar si këshilltar politik i Kurtit.
“Z. Hysamedin Feraj është i ngarkuar nga Kryeministri me përgjegjësitë e anëtarit të Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar në kapacitetin e tij si këshilltar politik i Kryeministrit Kurti. Ai mban këtë pozitë nga muaji shkurt i këtij viti. Detyrat e tij, si anëtar i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, janë të përcaktuara sipas Protokollit të Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Ndërkaq pozitën e Koordinatorit të Sekretariatit Ndërqeveritar e mban, z. Gentian Sala”, tha Kryeziu për Nacionale.
E themeluar nga dyshja Rama e Kurti, Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar ka për detyrë monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.
Aktivistët nga nëna Shqipëri
Grupi i aktivistëve nga Shqipëria, ku bëjnë pjesë krahas Ferajt, edhe Boiken Abazi, Elvis Hoxha, e Arbër Zaimi, për vite kanë qenë njerëz të zëshëm në debatin politik në Kosovë.
Edhe fuqia e tyre, së paku në aspektin ideologjik, brenda VV-së ishte koxha e madhe. Por, edhe pushteti praktik ishte po aq i madh.
Disa prej tyre, si p.sh. Dejona Mihali, ndonëse krejtësisht të panjohur për opinionin e gjerë në Kosovë, kanë fuqi të madhe në VV.
Të gjithë këta, arritën të fitojnë terren në VV pas ndarjes që kjo organizatë e pësoi në fund vitin 2017 dhe në fillim të vitit 2018, kur Dardan Molliqaj, Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, etj., u larguan nga partia që tash është në pushtet.
Analiza, filozofime, deklarata politike e thumbime, janë disa nga gjërat me të cilat Feraj merret në kohën e lirë në Facebook-un e tij.
Ndonëse nuk arriti të bëhej deputet në zgjedhjet e fundit, ai është shumë i zëshëm në Facebook-un e tij.
Postimi i fundit nga Feraj godet opozitën më 14 korrik, por frekuenca e postimeve tashmë ka rënë. Kuptueshëm, angazhimi i tij i ri e ka pasivizuar nga pak “ideologun” jo-zyrtar të VV-së.
Duhet të përmendet se në profilin e tij, z.Feraj ka një mbishkrim interesant në atë që njihet si “intro”.
“Unë mendoj se bashkimi kombëtar duhet bërë sot!”, shkruhet në profilin e Ferajt.
Duket se aktivisti Feraj nuk ka hequr dorë nga ideja e bashkimit kombëtar, siç tashmë ka bërë lideri i tij, Albin Kurti.
Herë pas here, ai komenton ngjarje të ndryshme politike në vend, duke mos kursyer nga gjuha e ashpër.
Andaj, duhet të përkujtojmë se një deklaratë e tij e kishte shtyrë Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ) të reagonte, duke e dënuar gjuhën e urrejtjes që Feraj kishte përdorur ndaj gazetarëve kosovarë.

