Njëri çeli portal, një tjetër përkthen vjersha: Me çka po merren aktivistët e shquar të VV-së nga Shqipëria? - NACIONALE

Njëri çeli portal, një tjetër përkthen vjersha: Me çka po merren aktivistët e shquar të VV-së nga Shqipëria?

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Aktivistët e Vetëvendosjes nga Republika e Shqipërisë për vite me radhë ishin mes zërave më kumbues në debatin publik në Kosovë në mbështetje të liderit të tyre Albin Kurtit. Por, muajt e fundit aktiviteti i tyre politik, shumë i dendur dikur, është bërë drastikisht më i vogël. Me çka po merren këta aktivistë?

Hysamedin Feraj, Boiken Abazi, Dejona Mihali, Elvis Hoxha e Arbër Zaimi ishin mes njerëzve më të pushtetshëm në Vetëvendosje pas daljeve nga partia të Shpend Ahmetit, Dardan Molliqajt dhe të tjerëve në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018.

Zërat e tyre do të ishin më kumbues se asnjëherë në mbrojtje të liderit të tyre, Albin Kurtit, që më vonë do të bëhej edhe kryeministër i vendit.

Feraj

Hysamedin Feraj do të kandidohej për deputet nga Kurti në zgjedhjet e fundit, por fatkeqësisht nuk do t’ia dilte mbanë që të fitonte.

Aktivititeti i tij politik në Facebook, megjithatë nuk do të ndalej edhe pas dy fitoreve të Kurtit në zgjedhje.

Për shkak të një deklarate të tij, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), madje edhe e kishte dënuar Ferajn për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve kosovarë.

Por, Feraj kohët e fundit është bërë gjithnjë e më i heshtur në postimet e tij në Facebook.

Postimi i fundit nga Feraj godet opozitën më 14 korrik, por duke mos ndjekur frekuencën e postimeve të mëhershme.

Si Intro në profilin e tij në Facebook, aktivist Feraj duket se shpreh tash e sa kohë një mospajtim me liderin e tij, z. Albin Kurti: “Unë mendoj se bashkimi kombëtar duhet bërë sot!” – shkruhet në të.

Feraj besohet që ka hapur një Institut (Instituti Politik për Studime Humane) në Kosovë ku punon si drejtues i tij.

Hoxha

Elvis Hoxha ishte një ndër njerëzit më elokuentë të Vetëvendosjes, aq sa u quajt edhe si “ideolog i partisë”. Sidoqoftë, jo rrallë edhe z. Hoxha ra në vëmendje të opinionit publik për arsye të gabuara: fyerje ndaj gazetarëve, apo fyerje me gjuhë të ulët ndaj oponentëve politikë.

Hoxha ka qenë këshilltar politik i kryeministrit Kurti gjatë Qeverisë Kurti I, derisa aktualisht merret po ashtu me institutin e lartpërmendur.

Edhe Hoxha i VV-së, i njohur për postime të përditshme e me raste edhe përorshme në Facebook, e ka rralluar ndjeshëm aktivitetin e tij.

Përveç institutit, Feraj duket se ka hapur edhe një portal të quajtur “Rrugapress”, postimet e të cilit i shpërndan në Facebook.

Ai kishte bërë jehonë të madhe vitin e kaluar kur votuesit e LDK-së dhe PDK-së i kishte quajtur të “inkriminuar”, gjuhë që ishte konsideruar si e mosdurimit.

“Kur Thaçi dhe Veseli janë në krye të partisë që del prej rezistencës së armatosur, kur Mustafa dhe Veliu janë udhëheqësit e partisë së dalë prej rezistencës paqësore, atëherë aleanca mes këtyre shefave nuk mund të prodhojë asgjë tjetër veçse rrënimin e pandalshëm të strukturave dhe inkriminimit të votuesve të tyre.

Çdo komentues që do të më tregojë të drejtën time për t’u shprehur për këto dy parti, do të dëshmojë injorancën e tij. Partitë politike nuk janë administrim subjektiv i pronës private.”

Ky postim megjithatë është fshirë më pas.

Mihali

Në të dhënat e znj. Mihali në Facebook shkruan se punon në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Tiranës.

Ajo vazhdon të luftojë opozitarët e kryeministrit Kurti, por jo me intensitetin e mëparshëm.

Mihali kishte qenë një ndër emrat e Vetëvendosjes që kishin kundërshtuar publikisht e zëshëm marrëveshjet e Energjisë të viteve 2013 dhe 2015, por megjithatë nuk kundërshtuan edhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e këtyre marrëveshjeve që u nënshkrua në qershor nga Zv. Kryeministri i Qeverisë Kurti II, z. Besnik Bislimi.

Abazi

Boiken Abazi ndoshta kishte qenë mes figurave më të spikatura nga Shqipëria të Vetëvendosjes. Ai ishte kandiduar vitin e kaluar për deputet nga Kurti në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Por, në muajin shtator ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv, edhe pse një gjë të tillë e kishte bërë publike vetëm muaj më vonë, për të mos dëmtuar Vetëvendosjen në Zgjedhjet Lokale në Kosovë.

Boiken Abazi nuk ka bërë asnjë postim në Facebook prej datës 20 qershor, kur shkruante si vijon:

“Edhe nëse Rama punon për ta rrëzuar Kurtin, marrëveshjet mes dy republikave shqiptare duhen çuar para, duhen thelluar e shtuar...”

Zaimi

Arbër Zaimi po ashtu ka qenë një ndër aktivistët më të shquar të Vetëvendosjes. Ai nuk ka marrë asnjë funksion publik në Qeverinë e Kosovës as tash, por as më herët megjithëse besohej të ishte personi përgjegjës për fjalimet e Albin Kurtit.

Edhe Zaimi ka rralluar aktivitetin e tij politik në Facebook, me postimin e tij të fundit që e jep një poezi nga Frederik Rreshpja të quajtur “Vetëm Rëra”.

Arbër Zaimi mban një “Fletore Shënimesh” në emrin e tij, dhe ku përkthehen vjersha të ndryshme nga autorë të mëdhenj ndërkombëtarë.

Lajme të ngjashme