Kurti dhe lista e zezë e ShBA-së: Abazi e rikthen temën e nxehtë, çka thoshte Grenelli? - NACIONALE

Kurti dhe lista e zezë e ShBA-së: Abazi e rikthen temën e nxehtë, çka thoshte Grenelli?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një intervistë në T7, më saktësisht në emisionin “Pressing”, Haki Abazi, deputet i rebeluar i VV-së, ka folur për një temë të nxehtë, e cila, dorën në zemër, rikthehet në mënyrë periodike në qendër të debatit. Z. Abazi foli për përfshirjen e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, në lista të zeza e mosdhënien e vizës për shefin e ekzekutivit, gjë të cilën ai thotë ta ketë kundërshtuar në ShBA e BE. Çka të vërtetë në këtë temë?

Gjatë fjalës së tij, z. Abazi deklaroi se ka qenë ndër të vetmit që e ka mbrojtur në ShBA, kur z. Kurti i “ka qenë në lista të zeza”.

“Mos harro që në kohën kur zoti Kurti ka qenë në lista të zeza, unë kam qenë ndër të vetmit që në ShBA e BE, nga pozita ku kam qenë, që e kam mbrojtur edhe veprimin, edhe aktivitetin politik të LVV-së.” – deklaroi ai.

Tutje, z. Abazi theksoi se kishte protestuar edhe kur nuk i ishte dhënë viza.

“Mundeni me pa, ballafaqimi në State Department ku ka qenë Lajcaku në panel, në të cilin rast zotit Kurtit nuk i është dhënë viza, para të gjithë pjesëmarrësve kam bërë notë proteste për mos-dhënien e vizës ndaj zotit Kurti”, tha ai në Pressing të T7.

Nuk është hera e parë që kjo temë kthehet në fokus. Edhe vitin e kaluar ishte debatuar gjerë e gjatë në lidhje me “Kurtin në listën e zezë të ShBA-së”, pas një deklarate të Florin Krasniqit, ish-deputet i VV-së e ish-bashkëpunëtorë i kryeministrit.

“Kur t’shtijnë në listën “no-fly list”, s’do me thanë që s’munesh me hy në aeroplan, që s’munesh me shku në Amerikë. Por, kur ti je në aeroplan, duhesh me kalu nëpër disa procedura të veçanta, kontrolli është i veçantë, është një flying marshall me ty. Ai flying marshall e ka alltinë me veti, vjen e hungjet ngat teje, ose mas teje, edhe ai t’përcjell çka po bon.” – e fillonte sqarimin e tij Krasniqi.

Megjithatë, z. Krasniqi atëbotë theksonte se një gjë e tillë i kishte ndodhur edhe gjatë kohës sa kanë udhëtuar bashkë me Kurtin për në ShBA.

“Po, dy herë, nashta ma shumë, por dy herë. Mue m’kanë çue prej karrige, e kam pasë konfirmimin me u ulë pranë tij, ma kanë ndërru karrigen, është ardhë një njeri aty, është ulë afër tij dhe ka nejtë tan' kohën afër tij. Na kanë shti nëpër procedura të veçanta kontrolli.” - tha Krasniqi.

Por çfarë thoshte Grenell?

Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i Administratës Trump për Dialogun mes Kosovës e Serbisë, e kishte komentuar këtë temë muaj më parë. I kontakuar nga gazeta Nacionale, Grenell e kishte mohuar se Kurti është në ndonjë listë të ndalimit të fluturimeve.

“Albin Kurti nuk është në kurrfarë liste të ndalimit të fluturimit për Amerikë. Nëse je në atë listë, atëherë nuk ka mundësi të fluturosh fare. Fakti që ai po udhëton, po fluturon, tregon që ai nuk është në këtë listë”, tha Grenell për Nacionale.

Ndryshe, Kurti ka disa herë që ka shkuar në ShBA si kryeministër i Kosovës, madje atje qëndroi për 19 ditë vitin e kaluar vetëm gjatë një udhëtimi, ku kishte takuar kongresmenë, biznismen e shoqatat shqiptaro-amerikane.

Por vitin e kaluar, ministrat e Qeverisë Kurti II e bashkëpartiakët e tij patën probleme me viza udhëtimi në Amerikë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, 4 muaj më parë u njoftuan nga ambasada e ShBA-së në Prishtinë se vizitat e tyre në Amerikë nuk mund të realizohen në këtë kohë. E gjithë lidhej me krizën e targave në veri të vendit, që atëbotë ishte në kulm.

“Ne jemi në një krizë tani. Ne jemi shumë të fokusuar në këtë krizë; ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar këtu”- deklaronte zëdhënësja e ambasadës amerikane, Katherine Judd.

Lajme të ngjashme