Kurti bëhet sikur s’e ka ditur për Njësinë Speciale në Skënderaj, ankohet se Policia e Prokuroria u vonuan
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po pretendon se nuk ka ditur asgjë për dërgimin e Njësive Speciale në Skënderaj.
Kjo ndërlidhur me rastin e sulmit ndaj Hysni Mehanit nga Sami Lushtaku.
Kurti ka thënë se nuk e di çka ka ndodhur në mesnatë, por që reagimi i Policisë e Prokurorisë ka qenë i vonuar.
“Në lokalin në Skenderaj, ku është rrahur e përgjakur Hysni Mehani, kandidat për deputet, ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë. Meqë mora vesh dy veta janë arrestuar. Për përshtypjen time, reagimi i policisë dhe prokurorisë është i vonuar. S’e di çfarë ka ndodhur pas mesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë më i shpejt. Aktivistët e VV-së për statusa në fejsbuk janë dënuar me nga një vit burg, ta shohim tash Prokuroria për ata që marrin gotë e përgjakin zv.ministra, çfarë ndëshkimi do të kërkojë e çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, ka thënë Kurti.
Kjo situate ka shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar për Njësitet Speciale në Skënderaj.
Ai ka kërkuar nga Albin Kurti t’i ndalojë këta skenarë përçarës.
“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force. E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin. Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, ka shkruar Hamza.
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë me dije se në incidentin e djeshëm në Skenderaj nuk ishte i përfshirë direkt kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku.
Ai ka deklaruar se kjo gjë do të zbardhet edhe nga organet përgjegjëse që po merren me rastin.
Në një konferencë për media, Nura ka kërkuar që këto organet të jenë në krye të detyrës gjatë këtij procesi.
“Sa i përket incidentit, sipas informacioneve që ne kemi, z. Lushtaku nuk ka qenë i përfshirë direkt. Por, këtë çështje do ta zbardhin organet përgjegjëse të cilat tash janë duke punuar në këtë drejtim. Si komunë e Skenderajt kërkojmë nga organet kompetente që të jenë objektive, sepse në momentin kur po flasim dy zyrtarë të cilët nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes janë dërguar në polici nga dje pas dite. Ekzistojnë edhe dëshmi për këtë çështje”, ka thënë Nura.
Ai e ka kritikuar prezencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës mbrëmë në Skenderaj.
Sipas tij, një gjë e tillë ishte e panevojshme.
“Po ashtu, shprehim indinjatën e thellë si institucion për prezencën e mbrëmshme të një mase policore të jashtëzakonshme që ka qenë në Skenderaj deri diku pas mesnatës, sepse një gjë e tillë konsiderojmë se është krejtësisht e panevojshme. Sepse edhe z, Lushatku, edhe ne jemi të gatshëm t`i përgjigjemi institucioneve të drejtësisë”, është shprehur ai.
Numri dy i Skenderajt ka shprehur keqardhje për incidentin e djeshëm.
Ai ka vlerësuar se incidenti ishte produkt i gjuhës së VV-së.
“Me lejoni që të shpreh keqardhje për incidenti e djeshëm të ndodhur në Komunën e Skenderaj. Fatkeqësisht, ky incident është produkt i një gjuhe të kontaminua të komunikimi publik, të cilin e ka instaluar dhe po e promovon VV-ja. Kjo nuk është hera e parë, ju e dini besoj që edhe në zgjedhjet e kaluara gjatë fushatës qytetarët e Skenderajt janë provokua me tre gishtërinjtë”, ka thënë Nura.
Ndër të tjera, Nura ka mohuar pretendimet se Sami Lushatku, nuk i është përgjigjur ftesës së prokurorisë për intervistim rreth incidentit të djeshëm.
Ai ka thënë se janë në pritje të një ftese të tillë.
Sipas tij, në momentin që do të ketë ftese, Lushatku do t`i përgjigjet ftesës së prokurorisë.
“Përndryshe ftesë zyrtare ende nuk kemi si institucion. Jemi duke e prit. Në momentin që e kemi ftesën zyrtare, sigurisht që zoti Lushtaku do t’i përgjigjet, qysh iu ka përgjigjur gjithmonë”, ka thënë Nura.
Ai ka treguar se edhe dje kanë qenë të gatshme t`i përgjigjen prokurorisë.
“Kjo s’është e vërtetë. Unë deri në ora 4 kam qenë në kontakt me komandantin e policisë dhe i kam shprehur gatishmërisë t’i përgjigjem intervistës nëse është nevoja. Rastin e kanë marrë nga niveli qendror, nga Prishtina dhe janë në procedurë të intervistimit të një pjesë të dëshmitarëve”, është shprehur Nura.
Edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushataku, dje e ka mohuar se e ka qenë i përfshirë në incidentin ku është rrahur kryetari i qendrës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehna.
Pas incidentit, Lushatku ka shkruar se qytetarët e Skenderajt nuk i durojnë fyerjet e rënda.
Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si "Sami Serbia" qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar Lushatku në profilin e tij në Facebook.