Kur Besnik Bislimi i foli BE-së: Mos na detyroni ta eskalojmë situatën
“Mos na detyroni ta eskalojmë situatën…” – kishte thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në tendencë për t’u treguar ndërkombëtarëve që e deeskalojnë sërish, deklaratë kjo që kishte shkaktuar shumë reagime në shkurt të këtij viti.
Pas më shumë se tre muajve, Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqetësohen se tensionet mund të jenë sërish në rritje.
Krejt kjo, pas një operacioni të Policisë së Kosovës në veri.
Çka ndodhi?
Policia e Kosovës të hënën njoftoi janë mbyllur gjashtë njësi të të ashuquajtures “Banka Postare Kursimore".
Aty, u bë e ditur se janë konfiskuar prova materiale, në mesin e tyre euro, dinarë e dollarë.
“…rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin.
Gjashtë filiale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.” – thuhej në komunikatë.
Bislimi, 15 shkurt 2023
Në këtë datë, zëvendëskryeministri, njëherit kryenegociatori, Besnik Bislimi kishte dhënë një deklaratë që ishte lexuar si kërcënim ndaj BE-së dhe shqetësimeve të saj sa i përket eskalimit të situatës.
“Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni ta eskalojmë situatën për t’iu treguar që e de-eskalojmë prapë. Situata në Veri ka de-esklauar, tregoni që masat që janë vendosur për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjishkme të futen.” – kishte thënë ai.
Ja si ishte arsyetuar më pas Bislimi për këto fjalë të tij:
“Ftesa ime është lutje, mos na detyroni, dmth mos na detyroni që të merremi ende me deeskalim, sepse situate në terren është e mirë, s’është kërcënim, është lutje. Do të thotë hiqni masat, sepse krijohet përshtypja që ende merreni me deeskalim, po nuk ka. Nuk është kërcënim, Kosova nuk ka kapacitete as interesim të kërcënojë BE-në”.
ShBA e BE
Në një reagim në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës, BE-ja mes tjerash do t’i shkruant edhe këta rreshta të ashpër:
“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet më shumë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”.
Nga Departamenti amerikan i Shtetit ndërkaq, janë shprehur të zhgënjyer, pasi që sipas tyre, aksioni nuk ka qenë i koordinuar.
"I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj - duke përfshirë ato të minoritetit serb - të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat.” – thuhej në përgjigje.