“Nuk kemi kapacitet për ta kërcënuar BE-në”: Bislimi pyetet për fjalët e rënda që i tha para pak ditësh
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se nuk ka “kërcënuar” Bashkimin Evropian, por sipas tij, ky është “ndoshta konotacioni” që dikush nga spektri politik dëshiron t’ia jap deklaratës së tij.
Ai të mërkurën para mediave ka deklaruar që ftesa e tij ka qenë lutje, e jo kërcënim. Kjo pasi, sipas tij Kosova nuk ka kapacitete për ta kërcënuar Bashkimin Evropian.
“Ftesa ime është lutje, mos na detyroni, dmth mos na detyroni që të merremi ende me deeskalim, sepse situate në terren është e mirë, s’është kërcënim, është lutje. Do të thotë hiqni masat, sepse krijohet përshtypja që ende merreni me deeskalim, po nuk ka. Nuk është kërcënim, Kosova nuk ka kapacitete as interesim të kërcënojë BE-në.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, në një intervistë të dhënë para pak ditësh, Bislimi la të kuptohet se kërcënoi BE-në, duke përmendur mes tjerash, “mos na detyroni ta eskalojmë situatën”.
“Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni ta eskalojmë situatën për t’iu treguar që e de-eskalojmë prapë. Situata në Veri ka de-esklauar, tregoni që masat që janë vendosur për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjishkme të futen.” – kishte thënë ai.