Ku ka qejf populli të jetojë në Prishtinë?
Prishtina karakterizohet nga tollovia, komunikacioni e ndërtesa të reja. Përkundër këtyre veçorive, kryeqyteti për shumë arsye vazhdon të jetë vendbanimi i ëndërruar. Ndonëse ka rënë shitblerja e banesave kohëve të fundit, ndërtimi i tyre po vazhdon me vrull.
Cilat janë lagjet më të preferuara në Prishtinë ose, thënë ndryshe, ku ka qejf populli të jetojë në Prishtinë? Agon Krasniqi nga kompania “Pro Real Estate” i rendit disa prej lagjeve më të preferuara.
“Dardania është një nga lagjet më të kërkuara, duke përfshirë edhe pjesën e Pejtonit dhe Lakrishtes, edhe pse te pjesa e Pejtonit pak ka apartamente. Te pjesa e Lakrishtes, këto ndërtimet e reja janë shumë të kërkuara, është problem me gjetë. Në qendër përfshihet normalisht edhe Ulpiana. Kjo konsiderohet top e kërkuar. Menjëherë pas qendrës është pjesa e Dragodanit. Dragodani dhe “Rruga B” qëndrojnë diku si afër” – deklaroi Agon Krasniqi nga kompania e patundshmërive “Pro Real Estate”.
Përtej kërkesave, pyetja legjitime është se cila është lagjja në të cilën ia vlen të jetohet në Prishtinë? Arkitekti Veton Haxhiu jep një shpjegim interesant.
“Vlerësoj që në Breg të Diellit dhe në Dragodan është më mirë për të jetuar për shkak të djellosjes që e kanë këto dy lagje” – deklaroi Haxhiu nga kompania “ARKITON”.
Natyrisht, pyetja më normale ndaj një arkitekti është se ku do të dëshironte ai të jetonte në Prishtinë.
“Në atë individual, mendoj që lagjja e Sofalisë është ndër lagjet më të mira për të jetuar, sa i përket strukturës së organizimit hapësinor të saj. Ndërsa si lagje me objekte kolektive mendoj që është lagjja e Ulpianës, për shkak të hapësirave të gjelbra, rekreacionit, parkingjeve, lirisë së lëvizjes” – deklaroi ai.
Në mendje kam një dilemë se si mund të shpjegohet sociologjikisht jeta në Prishtinë. Është koha ta takojmë Labinot Konushevcin, sociolog i ri nga Prishtina.
Por pse kanë qejf njerëzit të jetojnë në Prishtinë?
“Është pikëpamja demografike, është edhe pikëpamja kulturore. Në aspektin demografik, sigurisht që luan rol numri i banorëve, pra dendësia, banimi kolektiv, por mendoj që shumë më e theksuar është pikëpamja kulturore, pra se si funksionon një komunitet” – deklaroi Konushevci, ndër të tjera.
Jeta në Prishtinë, pra në tollovi e komunikacion, pa gjelbërim të mjaftueshëm, ndikon edhe në jetën psikologjike. Qe çka më tha psikologia Sabina Musliu për këtë temë.
“Më specifikisht, çfarë kanë vërejtur është që p.sh. në vendet ku janë më të dendura, ka më shumë njerëz, më kallaballëk, ka më shumë trafik, kjo po ndikon më shumë te simptomat e depresionit. Këta njerëz ka mundësi që kanë prirje më shumë me pasë simptoma të depresionit si rezultat i ambientit ku jetojnë. Nëse ka shumë zhurmë dhe sidomos mungesa e vendeve të gjelbëruara, në qoftë se ka parqe, lumenj ose det, te këta ndikon me pasë më të vogël ankthin. Në momentin që nuk kemi qasje në këto, njerëzit kanë më shumë prirje për të pasur simptoma të ankthit dhe të depresionit” – deklaroi Sabin Musliu nga Qendra për Këshillim dhe Psikoterapi “Muhsin”.