‘Kryetari i Grupit të Miqësisë me ShBA-në’: Kalojnë disa orë, Basha s’reagon për shtyrjen e vizitave në Amerikë - NACIONALE

‘Kryetari i Grupit të Miqësisë me ShBA-në’: Kalojnë disa orë, Basha s’reagon për shtyrjen e vizitave në Amerikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dimal Basha, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Grupit të Miqësisë me SHBA-në, ndonëse kanë kaluar më shumë se tri orë prej raportimeve, ende s’e ka bërë asnjë reagim për shtyrjen e vizitave të ministrave Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për në Amerikë.

Basha, i cili reagon thuajse për secilën çështje për t’i dalë në mbrojtje Qeverisë së udhëhequr nga shefi i tij partiak, Albin Kurti, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk ka reaguar në lidhje me shtyrjen e vizitave.

Reagime deri më tani, nuk ka pasur as nga deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pse u shtynë vizitat?

Nacionale raportoi pasditen e së mërkurës, se ministres Albulena Haxhiu i është anuluar udhëtimi për në SHBA, pas zhvillimeve në vend dhe situatës së tensionuar në veri.

"Ministrja Haxhiu tashmë është njoftuar nga ne për pamundësinë që ajo të udhëtojë. Kjo është bërë vetëm para pak çastesh", tha një burim pranë Ambasadës Amerikane për Nacionalen.

Haxhiu ndërkaq, në reagimin e saj për këtë çështje, vetëm pas raportimit të mediave, deklaroi se vendimi është marrë bashkarisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas burimeve të Paparacit, vizita për në SHBA i është shtyrë edhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Nacionale tentoi të bisedojë me Norë Fetoshin nga kabineti i Sveçlës, por kjo nuk u përgjigj, duke ndalur telefonin.

Vizita i është shtyrë edhe kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, çështje për të cilën Nacionale raportoi eksluzivisht.

Zëdhënësi i kësaj komune, Fatri Zhitia, e konfirmoi një gjë të tillë, duke thënë se kërkesa për shtyrje është bërë nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Takimin e ka shty ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi që me sa kam informacione kanë pasë me marrë pjesë edhe disa komuna të tjera. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet, ka qenë i planifikum takimi për javën e ardhshme. Por sipas informacioneve që i kam unë, ministri Elbert Krasniqi ka kërku që vizita me u shty”, na tha ai.

Por një tjetër arsyetim e dha vetë kryetari Bulliqi, duke pretenduar se do të kthehet të premten nga Austria, derisa parashihej që të shtunën të udhëtonte për në SHBA, gjë që sipas tij ka shkaktuar edhe shtyrjen e vizitës.

“Unë aktualisht jam në një vizitë zyrtare në Austri. Jemi bashkarisht me delegacion nga komuna e Podujevës. Jemi duke marrë pjesë në një forum të bizneseve të Austrisë. Unë tek ditën e premte kthehem në Kosovë. Duke marrë parasysh se mua menjëherë, mu dashke me lëvizë për në Amerikë, duke e pasur agjendën shumë të ndeshur, kam kërkuar që takimin ta shtyj. Është më kërkesën time. Mund t’ua jap edhe komunikimin me zyrtarë të IOWA, me sa po kuptoj nga komunikimet zyrtare, më duket që pamë plot delegacione, që për shkak të situatës e ka shtyrë takimin”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se ka qenë ai që e kërkoi shtyrjen e vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zhvillimeve në veri të vendit dhe dorëheqjes së kryetarëve të komunave atje.

“Jo nuk është e vërtetë, aspak. Në fillim të këtij viti, ne kemi pasë një delagacion nga IOWA në Kosovë edhe për fundvit, për tash, ishte planifikuar një vizitë atje me 6-7 kryetarë që kanë binjakëzime me IOËA. Unë kam kërkuar më datën 7 nga kabineti që kjo vizitë të shtyhet për në pranverë, pasi kam vlerësuar që si ministër i komunave, të jem këtu kur janë dorëhequr kryetarët e 4 komunave”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Lajme të ngjashme