"NO" e ShBA-së, çka kërkuan Haxhiu, Sveçla e Bulliqi përtej oqeanit? - NACIONALE

"NO" e ShBA-së, çka kërkuan Haxhiu, Sveçla e Bulliqi përtej oqeanit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ai i brendshëm, Xhelal Sveçla dhe zyrtari i lartë i partisë në pushtet, respektivisht kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi do ta kenë të pamundur udhëtimin në ShBA.

Kështu ka mësuar Gazeta Nacionale nga burimet e saj pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë. Arsyeja për këtë është situata momentale në vendin tonë.

"Ministrja Haxhiu tashmë është njoftuar nga ne për pamundësinë që ajo të udhëtojë. Kjo është bërë vetëm para pak çastesh", tha një burim pranë Ambasadës Amerikane për Nacionalen.

Ky refuzim duket të ketë ardhur si shkak i zhvillimeve në veri të Kosovës.

Për një çështje të tillë ka folur edhe ambasadori Hovenier që ka thënë këto fjalë:

“Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, ka thënë ambasadori Hovernier në një bisedë me disa gazetarë të pritur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë".

Veç kësaj, ai shtoi se momentalisht duhet përqendruar në zgjidhje të krizës e jo të mendohet për diçka tjetër.

"Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”.

Nacionale, me të mësuar nga burimet se edhe Shpejtim Bulliqit iu refuzua një vizitë e tillë, kontakoi me zëdhënësin e komunës së Podujevës, z.Fatri Zhitia, i cili konfirmoi se vizita është shtyrë.

Pyetur nga Nacionale nëse e njëjta është vendosur për një kohë tjetër nga ShBA-të, z.Zhitia tha se sipas informacioneve që ai posedon, kërkesa i ka shkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Takimin e ka shty ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi që me sa kam informacione kanë pasë me marrë pjesë edhe disa komuna të tjera. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet, ka qenë i planifikum takimi për javën e ardhshme. Por sipas informacioneve që i kam unë, ministri Elbert Krasniqi ka kërku që vizita me u shty”, na tha ai.

Duhet përmendur faktin se Nacionale tentoi të bisedojë me Norë Fetoshin nga kabineti i Sveçlës, por kjo nuk u përgjigj, duke ndalur telefonin.

Çka kërkuan?

Ende nuk dihet. Në fakt, këto udhëtime ishin të parapara të bëheshin në mënyrë të ndarë, pra veç e veç.

Siç ka mësuar gazeta, Shpejtim Bulliqi ishte pjesë e ekspeditës së kryetarëve që do të merrnin pjesë në një vizitë binjakëzimi.

Kurse, ministrja Haxhiu, në reagimin e saj, që me plot gojë mund të konsiderohet banal, shtoi se ShBA-të kishin bërë një ftesë të tillë, por që në koordinim, të njëjtën e anuluan, ani pse gjatë ditës, Shefi i Kabinetit të saj, Genc Nimoni kritikoi mediat për lajme të pavërteta, por që nuk shkuan as shtatë orë të plota dhe u demantua tërësisht.

"Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën", shkroi ndër të tjerash ajo.

Lajme të ngjashme