Qysh na shpjegoi Igli Hasani më shumë se krejt qeveria për 'ngecjen' aktuale të Kosovës para KiE-së
Raporti i Dora Bakoyanis është lexuar vetëm në pjesët e këndshme.
Publikut qeveria ia këndoi vetëm ato pjesët më melodike “ku na shkon zani”.
Pika e 11-të e atij raporti u bë refreni i vetëpëzgjedhur, ndërsa proza e hidhët ku ndërtohet vija argumentuese e saj u la për tekst të palexueshëm.
P.sh kur vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet se “Brukseli nuk është Strasburg”; kjo bie katërcipërisht në kundërthënie me Opinionin e Bakoyanis.
Pse? Sepse pika 35 e saj. Argumentimin e saj të trajtimit të aplikacionit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës ajo e ndërton saktësisht nga “Brukseli” dhe Marrrëveshja e Bruksel/Ohrit.

Madje, ajo aty e shkruan pa-nje-pa-dy që “në vetë vendimin për ta bartur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në Asamblenë Parlamentare, Komiteti i Ministrave iu referua atyre (Marrëveshjeve të Bruksel/Ohrit) dhe dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
“Kjo është hera e parë në historinë e Organizatës (KiE-së) që, në konsiderimin e një aplikimi për anëtarësim, bëhet lidhje direkte me një proces politik që fascilitohet nga një organizatë tjetër politike” (Pika 35, Opinioni i Bakoyanis).
Prozë kjo e pakëndueshme në vokalin qeveritar...
Tjetra. Pika 39 e Opinionit të Bakoyanis. Ajo u drejtohet 46 ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të KiE-së, që janë nivel qeverish dhe instanca e fundit vendimmarrëse të kenë parasysh që për të pranuar ose jo anëtarësimin e Kosovës të shohin a është bërë progres drejt Asociacionit. Por, këtë pjesë e ka heshtur qeveria, duke iu referuar vetëm pikës 11 që është qëndrim i Asamblesë Parlamentare, e jo instancë e fundit vendimmarëse.

“Themelimi i Asociacionit duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsideratën e ardhshme të Komitetit të Ministrave rrweth aplikimit për t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës”.
Këtë më së miri e shpjegoi edhe Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani në një intervistë me gazetarin e Nacionale-s, Muhamet Koci kur ky i fundit ia shtron pyetjen se pse nuk është (ende) në agjendën e ministrave të jashtëm në takimin ministerial të 16-17 majit, datë kjo supozohej të sillte epilog pozitiv të aplikimit.
“Finalizimi i procesit me anëtarësim do të duhej të vijonte në mënyrë të menjëhershme, por në rastin e Kosovës, ekziston një situatë specifike ku ka dhe një pakicë mosnjohëse vendesh anëtare”, tha Igli Hasani, për të vijuar me shtjellim.
“Kjo do të thotë se, procesi nuk është thjesht procedural, por ka nevojë të kalojë për vendimmarrje në nivelin më të lartë të përfaqësimit, që është ai i Ministrave të Jashtëm në Ministerial”.
“Negociatat për ta vendosur në agjendë çështjen e Kosovës nuk janë ndërprerë në asnjë moment dhe ka pasur një intensifikim të tyre në ditët e fundit. Arsyeja përse nuk është futur në agjendë deri në këtë moment, është sepse këto negociata synojnë gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale, jo vetëm për Kosovën, por edhe për organizatën në përgjithësi. Për më tepër, kemi të bëjmë me një organizatë ku janë 46 vende anëtare dhe secili prej tyre ka jo vetë një opinion dhe qëndrim, por edhe një votë në Komitet të Ministrave”, vazhdoi Igli Hasani.
“Thënë këtë, vendimmarrja kolektive është më komplekse se një marrëveshjeje mes dy palëve. Është e rëndësishme për momentin të theksohet se, ajo që ka ndodhur deri tani, dhe që është mjaft pozitive, është se Këshilli i Evropës në aspektin institucional dhe të ekspertizës që ka, i ka thënë ‘po’ legjitimitetit të Kosovës për t’u anëtarësuar”, përfundoi Igli Hasani.