Intervistë | Hasani: Janë intensifikuar negociatat për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës në KiE - NACIONALE

Intervistë | Hasani: Janë intensifikuar negociatat për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës në KiE

6 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, ka bërë me dije se ende ka shpresë për vendosjen e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet më 16-17 maj.

Ai ka treguar se negociata për këtë çështje janë intensifikuar ditëve të fundit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hasani ka deklaruar se këto negociata synojnë gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale për Kosovën dhe Këshillin e Evropës.

Kryediplomati shqiptar ka theksuar se e rëndësishme është që Këshilli i Evropës në aspektin institucional dhe të ekspertizës i ka thënë “po” legjitimitetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Lidhur me kushtin e ri që i është vendosur Kosovës në këtë proces, ai ka thënë se kjo kërkesë vjen nga disa vende të rëndësishme të KiE-së, të cilat në dy vitet e fundit kanë pasur një angazhim maksimal në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

I pyetur nëse Kosova duhet ta plotësoje këtë kusht, shefi i diplomacisë shqiptare ka thënë se Kosova është vend sovran dhe kjo është çështje e brendshme e saj.

Megjithatë, ai ka treguar se në procese të ngjashme Shqipëria gjithmonë i ka respektuar sugjerimet dhe rekomandimet e miqve të saj.

Në këtë intervistë të gjatë, Hasani ka folur për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në këtë proces.

Ai ka bërë me dije se të dy qeveritë janë duke punuar ngushtë për këtë çështje.

Nacionale: Z. Hasani, Kosova aktualisht nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Në takimin e fundit të zëvendësministrave ku u diskutua për agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave që mbahet më 16-17 maj, nuk u përmend fare Kosova. Pse ndodhi kjo?

Ministri Hasani: Këshilli i Evropës është një organizatë, e cila e bazon punën e saj në tre shtylla kryesore – mbrojtja e të drejtave të njeriut, parimet demokratike dhe shteti i së drejtës.
Këtë përqasje Këshilli i Evropës e ka provuar në rastin e Kosovës jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra dhe dëshiroj të kujtoj këtu se, gjatë procesit 2 vjeçar të anëtarësimit, që nga 12 maji 2022, kur Kosova paraqiti kërkesën për anëtarësim e deri tani, organe të ndryshme të specializuara të Këshillit të Evropës kanë prodhuar një opinion ligjor në shtator të vitit 2022, një tjetër opinion nga dy juristë me përvojë z.Thomas Markert dhe zj. Sia Spiliopoulou Åkermark, mbi përputhshmërinë e sistemit ligjor në Kosovë, me standardet e Këshillit të Evropës në nëntor 2023 dhe, së fundmi, raporti gjithëpërfshirës i raportueses znj. Dora Bakoyannis i marsit 2024, për legjitimitetin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim.

Të gjitha këto dokumente, në asnjë rresht nuk kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Kosovës për t’u anëtarësuar.

Në raportin final të raportueses, Bakoyannis dhe opinionin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në datës 16 prill 2024, opinion që mori një mbështetje të fuqishme me 131 vota në favor shkruhet shprehimisht se: “Asambleja konsideron se Kosova është në gjendje dhe e gatshme të përmbushë parashikimet e nenit 3 të Statutit të Këshillit të Evropës që nënkupton se ‘çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe se të gjithë personave brenda juridiksionit të tij u garantohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore”.

Në bazë të këtij përfundimi Asambleja Parlamentare i ka rekomanduar Komitetit të Ministrave të ftojë Kosovën për t’u anëtarësuar. Janë organet e Këshillit të Evropës që flasin, ato shprehen me gjuhën e standardeve dhe të pandikuar nga kontekste gjeopolitike dhe influenca të jashtme, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me misionin e Këshillit të Evropës. Në datë 30 prill, ky opinion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, iu përcoll ambasadorëve në Komitet të Ministrave, të cilët tashmë kanë kompetencën për të marrë vendimin final për anëtarësimin e Kosovës, i cili është edhe hapi përmbyllës i gjithë procesit.

Finalizimi i procesit me anëtarësim do të duhej të vijonte në mënyrë të menjëhershme, por në rastin e Kosovës, ekziston një situatë specifike ku ka dhe një pakicë mosnjohëse vendesh anëtare. Kjo do të thotë se, procesi nuk është thjesht procedural, por ka nevojë të kalojë për vendimmarrje në nivelin më të lartë të përfaqësimit, që është ai i Ministrave të Jashtëm në Ministerial. Negociatat për ta vendosur në agjendë çështjen e Kosovës nuk janë ndërprerë në asnjë moment dhe ka pasur një intensifikim të tyre në ditët e fundit. Arsyeja përse nuk është futur në agjendë deri në këtë moment, është sepse këto negociata synojnë gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale, jo vetëm për Kosovën, por edhe për organizatën në përgjithësi. Për më tepër, kemi të bëjmë me një organizatë ku janë 46 vende anëtare dhe secili prej tyre ka jo vetë një opinion dhe qëndrim, por edhe një votë në Komitet të Ministrave.

Thënë këtë, vendimmarrja kolektive është më komplekse se një marrëveshjeje mes dy palëve. Është e rëndësishme për momentin të theksohet se, ajo që ka ndodhur deri tani, dhe që është mjaft pozitive, është se Këshilli i Evropës në aspektin institucional dhe të ekspertizës që ka, i ka thënë “po” legjitimitetit të Kosovës për t’u anëtarësuar.

Nacionale: Kjo mbledhje pritet të vazhdojë edhe javën tjetër. A ka gjasa që Kosova të bëhet pjesë e agjendës së Komitetit të Ministrave?
Ministri Hasani: Ambasadorët po vijojnë punën për përmbylljen e dokumenteve që do të miratojmë ne Ministrat e Jashtëm, në Ministerialin e 17 majit në Strasburg. Mbledhja e datës 7 maj ishte parashikuar si mbledhja e fundit e ambasadorëve përpara Ministerialit, por edhe këtu, për të forcuar argumentin, zhvillohen negociata intensive për të gjetur një gjuhë të gjithëpranuar për dokumentet që do të finalizohen dhe miratohen nga Ministrat e Jashtëm. Këto negociata sollën nevojën për shtyrjen e takimit, dhe javën tjetër kur është parashikuar që ambasadorët të mblidhen, në datë 14 maj për të përmbyllur të gjitha praktikat e parashikuara. Kjo krijon edhe një tjetër dritare mundësie dhe disa ditë më shumë, në ndihmë të negociatave që po zhvillohen për futjen e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në agjendë.

Nacionale: Çfarë mund të bëjë Shqipëria në këtë drejtim?
Ministri Hasani: Shqipëria është një nga 46 vendet anëtare, por në dallim nga shumë prej tyre, Shqipëria ka qenë dhe vijon të mbetet një lobuese e zëshme në tryezat e diskutimeve si në Strasburg, ashtu edhe në të gjitha vizitat dhe kontaktet e mia me homologët në vende të ndryshme të Evropës. Në të njëjtën kohë strukturat tona diplomatike si në Tiranë, Prishtinë dhe Strasburg, por edhe në kryeqytete të tjera të Evropës, kanë një koordinim të vazhdueshëm me ato të Kosovës në shërbim dhe mbështetje të përpjekjeve të saj në këtë drejtim.

Nacionale: Franca dhe Gjermania publikisht kanë kërkuar procedimin e draftit-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për anëtarësim në KiE. Si e keni parë këtë kërkesë të këtyre shteteve?
Ministri Hasani: Ka një kërkesë nga disa vende të rëndësishme që buron nga angazhimi maksimal, sidomos gjatë dy viteve të fundit, në mbështetje të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe për kontributin e drejtpërdrejtë që ato kanë dhënë edhe në rastin e Projekt-Statutit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Është e vërtetë që është investuar së fundmi në negociata intensive gjithashtu me zyrtarët më të lartë në Kosovë.

Së pari, është se korniza e kritereve të anëtarësimit në Këshillin e Evropës bazohet në strukturën e konventave dhe mekanizmave të Këshillit të Evropës. Trajtimi i të drejtave të minoriteteve në vende anëtare, apo ato që aspirojnë të bëhen anëtare si në rastin e Kosovës, kontrollohet, monitorohet dhe asistohet nëpërmjet shumë prej këtyre mekanizmave, por rol kryesor luan Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve dhe Komiteti Këshillimor i kësaj Konvente.

Kosova prej më shumë se 10 vjetësh ka një bashkëpunim të shkëlqyer me këtë mekanizëm, pavarësisht se nuk është anëtare e kësaj organizate dhe ajo ka përfshirë në legjislacionin e brendshme shumë prej parimeve dhe rekomandimeve të këtij mekanizmi, bile mund të them se ka bërë edhe më tepër se shumë vende që aktualisht janë anëtare të Këshillit të Evropës.

Së dyti, është konteksti politik, situata me dialogun Serbi-Kosovë dhe situata e përgjithshme e sigurisë, por edhe konteksti i qëndrimeve të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Nacionale: A e keni diskutuar këtë çështje me Qeverinë e Kosovës?
Ministri Hsani: Ne jemi në koordinim të përditshëm me Kosovën dhe kemi ofruar kontributin tonë në të gjithë këtë proces dhe vijojmë ta bëjmë.

Nacionale:
Çfarë duhet të bëj Kosova në këtë rast? A duhet të dërgojë Asociacionin në Kushtetuese për anëtarësim në Këshill të Evropës? Cila është këshilla e Shqipërisë?
Ministri Hasani: Kosova është tashmë një shtet i konsoliduar dhe i aftë të marrë vendime kurajoze dhe të drejta, i aftë të peshojë dhe vlerësojë rëndësinë dhe relevancën e hapave që ndërmerr. Nuk besoj se Kosova ka nevojë për një këshillë për rastin specifik, pasi kjo është një çështje vendimmarrja për të cilën i përket vetëm qeverisë së Kosovës. Unë mund të flas për Shqipërinë, e cila i ka ndjekur gjithmonë sugjerimet e rekomandimet e miqve të vet kur ka qenë e përfshirë në procese të ngjashme. E prandaj jemi sot aty ku jemi. Bashkëpunimi i ngushtë me miqtë më të afërt, ka sjellë gjithmonë sukses.

Nacionale: Lidhur me këtë kusht, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. A është e drejtë ndërlidhja e këtyre dy proceseve?
Ministri Hasani: Kornizat e veprimtarisë së organizatave ndërkombëtare në përgjithësi, dhe në veçanti në rastin e Këshillit të Evropës, është mjaft mirë e strukturuar dhe me rregulla të qarta procedurale.
Megjithatë veprimtaria e tyre nuk limitohet vetëm këtu, pasi gjithmonë ka edhe vendimmarrje politike. Në momentin që këto të dyja bashkohen, përqasja jo gjithmonë është objektive dhe jo domosdoshmërisht e gjithëpranuar. Kjo sjell me vete theksin përse negociatat në këto platforma ndërkombëtare janë më të ndërlikuara, pasi aty përfaqësohet interesi dhe qëndrimi i më shumë se dy shteteve. Edhe në Këshillin e Evropës ka qëndrime të skajshme për këtë çështje, ndaj negociatat vijojnë dhe zgjasin.

Lajme të ngjashme