Kronologjia: Mënyra shqetësuese qysh e kuptoi Kurti se ekipi menaxhues do ta prezantonte draft-statutin e Asociacionit - NACIONALE

Kronologjia: Mënyra shqetësuese qysh e kuptoi Kurti se ekipi menaxhues do ta prezantonte draft-statutin e Asociacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekipi menaxhues që ka bërë draftimin e statutit të Asociacionit u fut në gojën e kryeministrit Kurti vetëm pas Marrëveshjes së Ohrit. Ky ekip nesër do ta prezantojë draft-statutin në Bruksel, pa e prezantuar fare në Prishtinë para ministrit përkatës që do të duhej dhe para kryeministrit Kurti. Pse ndodhi një gjë e tillë dhe cila është kronologjia shqetësuese që mund të na lërë të kuptojmë se Kosova nuk ishte e përgatitur mjaftueshëm për dialog?

Në bazë të fjalëve që iu publikuan sot, kryeministri Kurti efektivisht e pranoi se nesër do të bëhej paraqitja e draft-statutit të Asociacionit nga Ekipi Menaxhues.

29 mars

11 ditë pas Marrëveshjes së Ohrit, në një paraqitje televizive, kryeministri i Kosovës do ta pranonte për herë të parë se ekzistonte një ekip menaxhues i ngarkuar me detyrën për hartimin e statutit të Asociacionit.

Në atë paraqitje telezivie, ai shpalosi shumë të panjohura, duke thënë mes tjerash se nuk e dinte as përbërjen e atij ekipi.

“Në bazë të marrëveshjes së 2015 ky ekip menaxhues do duhet ta draftojë statutin e Asociacioni. Nuk e di saktësisht kush është në përbërje, por është evidente që duhet të dihet statusi i ekipit,”- kishte thënë kryeministri i Kosovës.

Pas Kurtit, në lidhje me ekipin menaxhues kishin folur edhe zv. kryeministri Besnik Bislimi e kryekuvendari Glauk Konjufca.

Mes tjerash, u mor vesh se ekipi menaxhues kryesohej nga Danijela Vujiçiq që ishte deputete në Asamblenë e Serbisë nga radhët e partisë që drejtohet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

18 prill

Më 18 prill, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, do t’i dërgonte një letër anëtarëve të ekipit menaxhues për t’u takuar.

Aty ai kërkonte të informohej në lidhje me punën e këtij ekipi.

“...unë ju ftoj për një takim të përbashkët të punës me qëllim që të raportohet për punën e bërë dhe të prezantohen rezultatet e arritura.”

Nuk dihet se për çfarë arsyesh Qeveria e Kosovës është vonuar kaq shumë në takimin e anëtarëve të Ekipit Menaxhues.

18 prill

Po në ditën kur Elbert Krasniqi e kishte bërë ftesën e tij drejt anëtarëve të ekipit menaxhues, Bashkimi Evropian kishte marrë vendim që të themelonte Komitetin e Përbashkët Monitorues. Ky komitet do të mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjeve nga palët.

Nëse ftesa e mësipërme ka lidhje me formimin e Komitetit Monitorues nuk dihet. Por, megjithatë dihet se 20 prilli kishte ardhur.

20 prill

20 prilli kishte ardhur, por takimit nuk i ishte përgjigjur asnjëri nga anëtarët e Ekipit Menaxhues. Për rrjedhojë, Qeveria e Kosovës nuk ishte informuar në lidhje me “punën e bërë dhe rezultatet e arritura” nga hartuesit e statutit të Asociacionit.

25 prill

Më datë 25 prill, Kurti do të shprehej se kishte dashur të shkruante vetë një draft-statut për Asociacionin por nuk e kishin lënë.

“...ministri im Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim këtyre mirëpo ata nuk janë përgjigjur asnjëherë.”kishte thënë z. Kurti.

1 maj

Ndërkohë që sot, kryeministri i vendit u shpreh se “marrë parasysh insistimin e Brukselit” do të ishte i lumtur të shihte se çfarë drafti kanë përgatitur (nga ekipi menaxhues).

“...edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë,” – kishte shtuar ai.

Në fjalinë vijuese ai shprehej si vijon:

“Megjithatë, do të siguroj që ajo që është rënë dakord tashmë më shkurt 27 në Bruksel është përmbushur ekzistimi i një niveli të duhur të vetëmenaxhimit të komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve.”

Ai më pas përsëriti deklaratat se nuk do të lejonte Republika Srpska në Kosovë.

Reagon Serbia

E derisa Kurti ndodhet me shumë gjasë në fluturim drejt takimit të 2 majit, Petar Petkoviqi nga Qeveria e Serbisë ka deklaruar që “Kurti nuk ka asnjë bazë për të dalë me dëshirat dhe pikëpamjet e tij arbitrare për këtë çështje...”

“Kurti ose nuk i ka lexuar dokumentet e nënshkruara në Bruksel ose bën sikur nuk kupton se çfarë shkruhet në to,”ka vijuar Petkoviqi duke komentuar deklaratat e Kurtit.

2 maj

Nesër më 2 maj pritet të jenë dy tema kryesore: Asociacioni dhe Deklarata për Persona të Zhdukur.

Ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë që prej marrëveshjes së 18 marsit në Ohër.

Lajme të ngjashme