Draft-statuti i Asociacionit po vjen: A do të arrijë Kurti që ta përfshijë Gjykatën Kushtetuese si Isa Mustafa? - NACIONALE

Draft-statuti i Asociacionit po vjen: A do të arrijë Kurti që ta përfshijë Gjykatën Kushtetuese si Isa Mustafa?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Takimi i 2 majit është vetëm dy ditë larg por pikëpyetjet pa përgjigje janë të shumta. Mes këtyre pikëpyetjeve është edhe ajo nëse draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë javë u mor vesh që Qeveria e Kosovës – respektivisht, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – i kishte dërguar ftesë për takim Ekipit Menaxhues që ka për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit vetëm më 18 prill.

Pikërisht më 18 prill u themelua Komiteti i Përbashkët Monitorues që do ta ketë për detyrë të mbikëqyr se cila palë po zbaton e cila nuk po zbaton marrëveshjet.

Kjo vonesë absurde dhe e pakuptueshme vjen mes një konfuzioni në rritje në lidhje me gjithë atë që po ndodh në këtë proces jotransparent.

Nacionale kishte marrë vesh më herët me anë të burimeve se edhe Kurti edhe Vuçiqi mun të liheshin jashtë loje në këtë proces të hartimit të statutit. Sipas burimeve, ShBA-ja dhe BE-ja do ta përgatisnin atë.

Megjithëse nuk dihet kush do ta prezantojë dhe qysh do të prezantohet statuti i Asociacionit, dihet se Kosova ka një mekanizëm për ta parandaluar ‘më të keqen’: Gjykata Kushtetuese.

Klauzola

Në marrëveshjen e 25 gushtit të vitit 2015 mbi Parimet e Përgjithshme për Asociacionin, ekzistonte edhe një klauzolë që kërkonte që ajo t’i nënshtrohej Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

A do të vlejë e njëjta edhe për statutin e ri të propozuar?

Nacionale ka dërguar pyetje në Presidencë dhe në Qeveri të enjten, por deri tash nuk ka marrë përgjigje nga asnjëri institucion.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, madje është shprehur se drafti i statutit të Asociacionit duhej të shkonte në Kushtetuese para se të shkonte në takimin Kurti-Vuçiq.

“Bojkoti i serbëve në zgjedhjet në veri i orkestruar nga Vuçiqi ka si qëllim që Asociacionit t’i jepen kompetenca ekzekutive, por Qeveria Kurti nuk guxon ta bëjë këtë sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, draft-statuti i Asociacionit (që po hartohet fshehtas) duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese para se të shkojë në takimin e Kurtit me Vuçiqin më 2 maj.” – ka thënë ajo me anë të një postimi në Facebook.

VV-ja

Vetëvendosje vazhdon të thirret në tri parimet e prezantuara nga kryeministri Kurti, mes të cilave është edhe letra që i kishte dërguar Federica Mogherini nga BE ish-kryeministrit Isa Mustafa ashtu siç ndodhet edhe një opinion nga ana e zyrtarëve amerikanë Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

“Kryeministri ka deklaruar prej takimit të Ohrit se është i gatshëm të prezantojë një draft-statut në bazë të tri parimeve të cilat nuk janë assesi në kundërshti as me vendet e Bashkimit Evropian…” – ka thënë së fundi znj. Kusari Lila, shefe e deputetëve të VV-së.

Kryeministri Kurti në shkurt të këtij viti në fakt kishte shpalosur edhe gjashtë kushte për Asociacionin – mes të cilave ishte edhe ajo që Asociacioni të zbatohej pas njohjes reciproke – por ato nuk ishin përfillur në marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel dhe atë të 18 marsit në Ohër.

Lehtësia me të cilën Kurti kishte hequr dorë nga gjashtë kushtet e tij paraprake e bën pak të besueshme mundësinë që statuti i ri i propozuar i Asociacionit të kalojë sërish përmes Gjykatës Kushtetuese.

Së fundi, Kurti ka deklaruar se në Ohër kishte propozuar që ta shkruante vetë draft-statutin por që nuk e kishin lënë.

Lajme të ngjashme