Krim i lulisur me vahabizëm ose vahabizmi me krim – një ekonomi e re?
Vrasje e plagosje zyrtarësh policorë, shkëmbim zjarri me armë, plaçkitje të armatosura e falsifikime parash bëhen bashkë nga vetëm një gjë: krimi dhe ekstremizmi fetar. Së paku nga 2023-a, ka disa raste notore kur grupe kriminale në Kosovë funksionojnë si vahabiste ose grupe vahabiste funksionojnë si kriminale. A është kjo një dukuri që shteti ende nuk ia ka gjetur çarenë?
Col Mehmeti
Vahabizimi i grupeve të organizuara kriminale ose anasjelltas është bërë realitet.
Veprimtaria keqbërëse dikur mbështetej në tradita kriminale e gjente forcë mes ‘vëllazërish’ kriminale.
Sidoqoftë, tani grupet kriminale po i veshin veprimtaritë e tyre si fetare duke përdorur ide, terma e parulla ekstremiste për të përligjur ose hequr përgjegjësinë nga veprimet e tyre.
Vlerësime të tilla Erlan Bakiev e Zairbek Kozhomberdiev i patën bërë në një studim për radikalizimin fetar në rastin e Kirgizstanit.
Sidoqoftë, një vandak me raste të viteve të fundit sikur e përfshijnë edhe vendin tonë në këso gazepi.
Së paku, dy nga shtatë personat e arrestuar sot në Kaçanik për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, shfaqen ballëpërfaqe si ekstremistë islamikë.
“Rinia Islame Kaçanik” (RIK) është sigla shquese për secilën nga videot me përmbajtje islamike që janë të afishuara në ‘TikTok’.
Në disa prej tyre diktohen edhe predispozime eksplicite drejt dhunës e jotolerancës.
Përveç dyshimeve për vrasjen e një zyrtari të Policisë, tre prej të arrestiarve sot akuzohen edhe për zjarrvënien e organizuar ndaj Gjykatës së Kaçanikut në mars të vitit të kaluar.
Në Siri si xhihadist, në Ferizaj si plaçkitës
Një histori e tillë ku islamizmi ekstremist bashkëjeton me krimin ishte edhe rasti i Muxhahid Bravës.
I rënë në duart e Policisë në mars të 2023-s, ai ishte pjesë e një grupi kriminal i cili, sipas Prokurorisë, kishte kryer grabitje të armatosura në pika karburantesh e në zyrat e KEDS-it në Shtime.
Transgresioneve të tyre iu shtoheshin edhe vepra të tilla, si armëmbajtje pa leje, kërcënime për përvetësim pasurish e deri te falsifikimi i parave.
Emri Muxhahid Brava doli nga obskuriteti kur në qershor të 2015-s ishin ngritur aktakuzat e para kundër shtetasve të Kosovës që ishin rekrutuar nga organizata terroriste në Irak e Siri.
“Me qëllim për t’iu bashkëngjitur grupit terrorist ISIS, në Siri, i pandehuri Muxhahid, së bashku me të pandehurit Hajrush Laçin dhe Zijadin Berishën me dt. 04.01.2014, përmes aeroportit të Prishtinës, ka udhëtuar drejt Stambollit, në Turqi, pastaj ka vazhduar në drejtim të qytetit Hatai afër kufirit turko-sirian, ku në mënyrë ilegale ka hyrë në Siri, me ç’rast i është bashkëngjitur organizatës terroriste të lartcekur e cila vepron atje, fillimisht kishte kryer stërvitje fizike dhe ato me armë në një qendër stërvitore në qytetin Iblin në Siri, e cila ka zgjat 20 (njëzet) ditë, pastaj është angazhuar direkt në luftimet që zhvilloheshin atje, ndërsa në fund të muajit mars 2014, është kthyer në Kosovë”, shkruhej në aktakuzën e ngritur më 7 maj 2015 kundër 11 personave.
Xhihadisti që shënjestroi argjendarinë në Therandë
Më 22 nëntor 2023, një grup kriminal i vuri syrin argjendarisë ‘Diakos’ në Therandë.
Duke grabitur ari në vlerë rreth 250 mijë euro, sipas dosjes së Prokurorisë, në mesin e keqbërësve të armatosur me armë të gjata ishte edhe Korab Gashi.
Ai ishte arrestuar gati një muaj më vonë në lagjen ‘Arbëria’ të kryeqytetit ku kishte pasur shkëmbime të rrepta zjarri.
Gashi, asokohe, qe apostrofuar si i dyshuar për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.
Eksport-importi i radikalizmit islamik
Pavarësisht trazimeve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, Kosova rëndom nuk ishte bërë me gisht si vend që eksporton njerëz që përfshihen në luftra të huaja.
Ky imazh, sidoqoftë, u bë copë e grimë kur në nëntor të 2012-s Naman Demolli nga Prishtina, i cili ishte bërë pjesë e formacioneve që luftonin kundër regjimit të Bashar al-Assadit, u raportua i vrarë.
Ai ishte ‘index case’, si i pari i njohur në mesin e një dyzine të tjerësh, shtetas të Republikës së Kosovës, që u vranë duke luftuar përkrah organizatave terroriste në Siri e Irak, si ISIS, Al Nusra e Al Qaida.
Derisa ishte hapur një koridor i patrazuar me të cilin dërgoheshin rekrutë shqiptarë drejt Sirisë, një video që afishonte terroristin Lavdrim Muhaxheri shënoi thirrjen e parë publike për të luftuar kundër “të pafeve.”
Me një vonesë gati 1-vjeçare, më 13 nëntor 2013, Bashkësia Islame e Kosovës më në fund kishte lëshuar një kumtesë zyrtare me anë të së cilës të rinjve u bëhej thirrje që të mos bëheshin pjesë e luftës në Siri.
Megjithëse Policia e Kosovës në verën e 2014-s kreu aksione të gjera kundër rrjeteve që rekrutonin qytetarë të Kosovës për t’u bërë pjesë e luftrave në Siri e Irak, tashmë shqiptarët e ISIS-it dhe formacioneve të tjera islamike po bënin kërdi me dhunë e krime.
Më 29 korrik 2014, media vendore e ndërkombëtare qarkulluan pamje ku shihej Lavdrim Muhaxheri, i tjetërquajtur edhe si Abu Abdullah al Kosova, tek ekzekutonte një irakien 19-vjeçar.
Faqja e zezë e Kosovës
Kosova e para 10 viteve gjente vend në raportimet e medieve të huaja si vend që fabrikonte e eksportonte terroristë.
Faqja më e rëndë e këtij libri me histori terrori është ajo e Blerim Hetës nga Varoshi, afër Ferizajt, i cili në mars të 2014-s me anë të një sulmi kamikaz e hodhi vetën në erë midis Bagdadit.
Rrugët e kryeqytetit irakien kishin mbetur me 52 civilë të vrarë jeta e të cilëve u këput në mes nga sulmi i terroristit nga Kosova.
Më 7 maj 2015, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zejadin Berishës dhe Jeton Hajdinit për organizim grupesh terroriste, pjesëmarrje në to, dhe zotërim armësh.
Pak muaj më vonë, më 11 korik 2015, Policia e Kosovës arrestoi një grup prej katër personash të maskuar fare pranë liqenit të Badovcit.
Të ndaluarve iu gjetën armë, flamuj të ISIS-it, helm e dorëza, çka kishte ngritur dyshimet se ata kishin ideuar helmimin e ujit të pijshëm.
Në mesin e tyre ishte edhe Besnik Latifi që, në kumtesat e vetë Lëvizjes Vetëvendosje, ishte përmendur si aktivist nga Vushtrria.
Krim dhe ndëshkim ose kriminelë e ekstremistë
Në studimet për terrorizmin dhe radikalizmin fetar, bashkëjetesa mes ekstremizmit fetar dhe veprimtarisë kriminale është një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë.
Kështu, studiuesit vënë në spikamë raste grabitjesh e zhvatjesh kur të dyshuarit pranojnë se po bëjnë mbledhje para për xhematin, për besimtarë apo për ‘vëllezër’ që po bëjnë xhihad kundër ‘të pafeve’.
Sipas një studimi, “grupet e organizuara kriminale mund të legjitimojnë më lehtë veprimtarinë e tyre keqbërëse në sytë e shoqërisë dhe po bëhen gjithnjë e më efikase në kryerjen e biznesit e tyre të paligjshme.”
Shkrirja e grupeve kriminale dhe atyre ekstremiste fetare, sipas po këtij studimi, gjen vend sidomos në burgje përmes shpërhapjes së ideve fetare e ekstremiste mes të dënuarve.
Te libri ‘Terrorism and Organized Hate Crime’, Michael R. Ronczkowski, sektet e dhunshme fetare i përshkruan kësisoj: “Grupe ekstremiste fetare të prirura drejt dhunës. Këto grupe shpesh grumbullojnë armë, kryejnë ushtrime paraushtarake, dhe e bashkëndajnë një interpretim paranojak të ngjarjeve aktuale në botë, të cilat shpesh i lidhin me fundin e botës.” /NACIONALE/