Kremlini: Sa më shpejt që i pranon Ukraina kërkesat, aq më shpejt mund të mbarojë konflikti
Kremlini tha të enjten se sa më shpejt që Ukraina i pranon kërkesat e Rusisë, aq më shpejt mund të përfundoj konflikti në shtetin evropian.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do t’i arrijë qëllimet e veta “në një mënyrë ose në një tjetër” dhe se është më mirë që Ukraina ta pranojë pozicionin e Rusisë dhe të ulet në tavolinën e bisedimeve.
“Sa më shpejt që regjimi ukrainas e tregon gatishmërinë e vet për t’i plotësuar kërkesat e Rusisë – të cilat do të arrihen në një mënyrë ose në një tjetër – aq më shpejt do të përfundojë gjithçka dhe aq më shpejt populli ukrainas mund të fillojë që të rimëkëmbet pas kësaj tragjedie, e cila është nisur nga regjimi në Kiev”- tha para gazetarëve zëdhënësi rus.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paraqitur një plan me dhjetë pika për zgjidhjen e konfliktit, duke filluar nga tërheqja e ushtarëve rusë nga territori i pushtuar i Ukrainës.
Megjithatë, Rusia e ka refuzuar këtë plan. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha muajin e kaluar se Kievi ende nuk është i gatshëm për bisedime të vërteta të paqes.

