Çfarë është plani 10-pikësh i Zelensky-t dhe si i është përgjigjur bota?
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka promovuar fuqishëm planin e tij 10-pikësh, e ka diskutuar atë edhe me presidentin amerikan, Joe Biden, mes të tjerëve, dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të mbajnë një samit global të paqes duke u mbështetur në këtë plan.
Çfarë është plani 10-pikësh për paqe?
Presidenti ukrainas e bëri të ditur për herë të parë formulën e tij për arritjen e paqes në një samit të Grupit G20 në nëntor. Plani bën thirrje për:
1. Siguri bërthamore dhe të rrezatimit, të përqendruar në kthimin e sigurisë përreth centralit më të madh bërthamor, i cili ndodhet në Zaporizhia të Ukrainës dhe që tash për tash është i pushtuar nga rusët.
2. Siguri të ushqimit, përfshirë mbrojtjen dhe garantimin e eksportit të drithërave të Ukrainës në vendet më të varfra të botës.
3. Siguri energjetike, me përqendrim te kufizimi i çmimeve të burimeve ruse të energjisë si dhe te ndihma për Ukrainën për rregullimin e infrastrukturës energjetike, gjysma e së cilës është dëmtuar nga sulmet ruse.
4. Lirim të të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve, përfshirë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e deportuar në Rusi.
5. Kthim të integritetit territorial të Ukrainës dhe riafirmim të tij nga Rusia sipas Kartës së OKB-së. Zelensky ka thënë se kjo pikë “nuk është për t’u vënë në bisedime”.
6. Tërheqje të trupave ruse dhe ndërprerje të veprimeve armiqësore, kthim të kufijve shtetërorë të Ukrainës me Rusinë.
7. Drejtësi, përfshirë themelimin e një tribunali special për ndjekjen penale të krimeve të luftës të Rusisë.
8. Parandalim të ekocidit (shkatërrimit të mjedisit), nevoja për mbrojtjen e mjedisit, me përqendrim te deminimi dhe kthimi në funksion i objekteve për trajtimin e ujit.
9. Parandalim të eskalimit të konfliktit dhe ndërtim të infrastrukturës së sigurisë në hapësirën euroatlantike, përfshirë garancitë për Ukrainën.
10. Konfirmim të përfundimit të luftës, përfshirë një dokument të nënshkruar nga palët e përfshira.
Si ka reaguar bota?
Rusia e refuzoi propozimin e presidentit ukrainas për paqe këtë muaj dhe Moska përsëriti të martën se nuk do të japë ndonjë pjesë të territoreve që i ka marrë me forcë – rreth një të pestën e territorit të Ukrainës – për të cilat thotë se i ka aneksuar, shkruan "Reuters", përcjell "Nacionale".
Zelensky ka nisur një “stuhi” diplomatike për ta paraqitur planin e tij para udhëheqësve botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, atë francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin indian, Narendra Modi, vendi i të cilit e ka marrë presidencën e Grupit G20.
Përkrahja e botës perëndimore për ushtrinë ukrainase ka shkuar në miliarda dollarë, e udhëhequr nga Uashingtoni, dhe shtetet e kanë ndihmuar Kievin për të deminuar territore dhe për ta rregulluar infrastrukturën e energjisë. Megjithatë, reagimi për planin e Zelensky-t për paqe dhe për samitin e propozuar për paqe ka qenë më i matur.
Gjatë vizitës së presidentit ukrainas në Uashington më 22 dhjetor, Bideni tha në deklaratë publike vetëm që ai dhe Zelensky “e ndajnë saktësisht të njëjtin vizion” për paqen dhe se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për t’u siguruar që Ukraina mund ta mbrojë veten.
Modi, qeveria e të cilit nuk e ka dënuar haptazi pushtimin rus të Ukrainës, tha pas prezantimit të planit të Zelensky-t se ai “fuqishëm e ka përsëritur” rritjen e tij për përfundim të menjëhershëm të veprimeve armiqësore dhe se e ka përçuar përkrahjen e Indisë për secilën përpjekje për paqe.
Udhëheqësit e vendeve të Grupit G7 kanë thënë se janë të përkushtuar për të sjellë paqe në Ukrainë “në vijë me të drejtat e saj, të ruajtura në Kartën e OKB-së”.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se gjasat janë të vogla që të ketë bisedime të paqes së shpejti.
“Unë besoj se ballafaqimi ushtarak do të vazhdojë dhe mendoj se ende do të duhet të presim për një moment në të cilin bisedimet serioze për paqe do të jenë të mundshme”- tha ai këtë muaj.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

