Rusia i vë ultimatum Ukrainës: Plotësojini kërkesat tona ose i plotëson ushtria ruse - NACIONALE

Rusia i vë ultimatum Ukrainës: Plotësojini kërkesat tona ose i plotëson ushtria ruse

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ditë pas deklaratës së presidentit rus, Vladimir Putin, se ai është i hapur për bisedime rreth Ukrainës, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, dha një deklaratë të ashpër, duke thënë se Kievi dhe Perëndimi po mundohen që ta shkatërrojnë vendin e tij dhe se Ukraina duhet t’i plotësojë kërkesat e Rusisë, përndryshe ato do t’i përmbushë ushtria ruse.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë shpërfillur ofertën e Putinit për bisedime, kur forcat e tij po i godasin qytetet ukrainase me raketa dhe përderisa Moska po vazhdon që të kërkojë që Kievi ta njohë aneksimin rus të një të pestës së territorit ukrainas.

“Propozimet tona për demilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi, eliminimi i kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë, të cilat rrjedhin nga atje, përfshirë tokat tona të reja, janë mirë të njohura për armikun. Çështja është e thjeshtë: Plotësojini ato për të mirën tuaj. Përndryshe, çështja do të vendoset nga ushtria ruse”- citohet të ketë thënë të hënën vonë kryediplomati rus, Sergei Lavrov.

Javën e kaluar, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte për vizitë në Uashington, Shtetet e Bashkuara njoftuan për ndarjen e 1,85 miliard dollarëve shtesë për ndihma ushtarake ndaj Ukrainës, përfshirë dërgimin e një njësie të sistemit për mbrojtje ajrore, “Patriot”, duke e zemëruar Moskën, shkruan “Reuters”, përcjell “Nacionale”.

“Nuk është sekret për askënd që qëllimi strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe i aleatëve të tyre në NATO është që ta mposhtin Rusinë në fushën e betejës si mekanizëm për ta dobësuar dukshëm ose edhe për ta shkatërruar vendin tonë”- i tha agjencisë TASS ministri Lavrov.

Ai përsëriti se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbajnë lidhje normale, duke e fajësuar për këtë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Ndërkohë raportohet për luftime të ashpra në lindje të Ukrainës. Gjatë 24 orëve të fundit, forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulme ruse në zonat e dy vendbanimeve të rajonit Luhansk dhe në gjashtë vendbanime të rajonit Donetsk, tha të martën Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Në mesazhin e tij tradicional të mbrëmjes, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se situata përgjatë vijës së frontit në Donbas është “e vështirë dhe e dhimbshme”.

Oleh Zhdanov, analist ushtarak në Kiev, tha se luftimet e ashpra po vazhdojnë përreth zonave të larta afër Kreminës, në rajonin Luhansk.

Ai tha, gjithashtu, se luftimet janë shtuar edhe përgjatë Bakhmut-it dhe Avdivka-s, linjë kontakti më në jug të rajonit Donetsk, pas lehtësimit të shkurtër të tyre ditëve të fundit.

Zelensky tha se, si rezultat i sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së energjisë në Ukrainë, rreth nëntë milionë njerëz nuk kanë furnizim me rrymë. Ky numër përbën rreth një çerek të popullsisë së përgjithshme të vendit.

Lajme të ngjashme