Krejt gëzohen, pushteti, opozita e llapjanët "në festë" që po shtrohet magjistralja Podujevë-Prishtinë
38 milionë euro janë ndarë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë – Podujevë.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se presin që sa më shpejtë të vijojë puna për ndërtimin e kësaj rruge.
“Presim që sa më shpejtë të vijojë puna për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, një investim infrastrukturor me rëndësi madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, qarkullimin rrugor në përgjithësi, por dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.”- ka shtuar ai.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se i vjen mirë që ka lëvizur diçka në këtë drejtim.
Musliu tutje ka thënë për Gazetën Nacionale se uron që rruga Prishtinë – Podujevë të përfundojnë, pasi që sipas saj dëmet kanë qenë fatale viteve të fundit.
“Në rënd parë me vjen mirë qe po fillon me lëvizë diçka në këtë drejtim. Tri vitet e fundit pra 2020, 2021, 2022 nuk kemi asnjë projekt kapital dhe asnjë kontrate të nënshkruar nga kjo ministri. Uroj që Rruga Prishtine-Podujeve të përfundoj sepse dëmet kanë qenë fatale vitet e fundit. Numri i qytetarëve që kanë humbur jetën në këtë rruge tash me ka kaluar në dhjetëra. Është një rruge e frekuentuar dhe me rëndësi të veçantë. Sa i përket vlerës se çmimit do të rezervohem të flas në këtë faze”, ka thënë Musliu.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje për me marrë votën e llapjanëve ka mashtruar se rruga Prishtinë – Podujevë, do të përfundojë në dhjetor 2022.
Mustafa tutje ka thënë se tash në janar 2023 është prezantuar para llapjanëve hartimi i projektit të magjistrales.
“Për t’ua marrë votën llapjanëve në zgjedhje komunale, partia në pushtet i kishte mashtruar se magjistralja Prishtinë-Podujevë do të përfundohej komplet deri në dhjetor 2022. Tash, në janar 2023, e paskan prezantuar para llapjanëve HARTIMIN e projektit të magjistrales. Dmth tek tash paskan filluar ta vizatojnë në LETËR magjistralen! E realizimi i projektit? KUR del nga letra në terren? Garant duhet pritur zgjedhjet tjera”, ka shkruar Mustafa.
Shemsi Jashari, drejtor ekzekutiv i OJQ “Demokracia fillon këtu”, ka thënë për Gazetën Nacionale se është lajm i mirë hapja e një procedure prokurimi për dhënien e tenderit për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Podujevës, nëse do të ketë seriozitet për të kryer punë.
Jashari për Gazetën Nacionale ka thënë se tashmë ka shumë pikëpyetje rreth ndërtimit të kësaj rrugë, ku i njëjti ka pyetur se sa vite do të zgjas ndërtimi i rrugës.
“Hapja e një procedure prokurimi për dhënien e tenderit për ndërtimin e rrugës Prishtinë Podujevë, është lajm i mirë nëse ka seriozitet për të kryer punë! Është e çuditshme si ministria vetëm dy javë pasi miratohet buxheti ku janë vetëm 6 milion euro të buxhetuara për këtë projekt, pas një presioni të madh publik del dhe deklaron se u kryen shpronësimet, u qartësua projekti dhe tani është gati të ndahen vlera prej 38 milion eurosh, për këtë rrugë! Ka shumë pikëpyetje, sa do të zgjas 1,2 ose 3 vite ndërtimi i rrugës? Cili është projekti pasi s’ka pasur një informim të publikut.” – ka thënë Jashari.
Ai tutje ka uruar që të mos zhgënjehen si më parë, pasi sipas tij shumë lehtë mund të mos kryhet rruga dhe t’i lihet faji procedurave, si për shumë projekte tjera.
“Uroj të mos zhgënjehemi prap si deri me tani pasi shumë lehtë mund të mos kryhet dhe ti lihet faji procedurave, si për shumë projekte tjera. Qytetarët llapjan dhe diaspora kosovare që shfrytëzon këtë rrugë, duhet të gëzohet jo tani, por pasi të filloj dhe ndërtohet kjo rrugë sepse me vite të gjithë na kanë thënë se do të kryhet por ajo ende është e pa kryer. Uroj të mos ketë sinjale për zgjedhje të parakohshme, por të ndërtohet njëmend?” – ka përfunduar Jashari për Gazetën.

