Krasniqi: Një vit i thyer, i humbur dhe i dështuar nga Pallati i Ëndrrave i asgjëbërësve të veshur me pushtet - NACIONALE

Krasniqi: Një vit i thyer, i humbur dhe i dështuar nga Pallati i Ëndrrave i asgjëbërësve të veshur me pushtet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë, në të cilët kanë biseduar për raportet me aktualitetin, sfidat me të cilat po përballet Kosova në pjesën Veriore.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky vit ka qenë i thyer, u humbur, i dështuar nga Pallati i Ëndrrave, ku janë mbyllur e po lavdërojnë njëri-tjetrin asgjëbërësit e veshur me pushtet.

Një vit i thyer, i humbur, i dështuar, e që, fatkeqësisht, nuk po shihet akoma nga Pallati i Ëndrrave ku janë mbyllur e po lavdërojnë njëri-tjetrin asgjëbërësit e veshur me pushtet. Megjithatë, kjo tashmë nuk është asgjë e re nga fronti i fjalamanëve. Gjithsesi, dy janë prioritetet shtetërore, të cilat kërkojnë urgjencë, maturi dhe lidership. Barrikadat në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogu me Serbinë. Për të dyjat, si çdo herë, unë dhe PDK e vendosim Kosovën të parën, duke i mbështetur proceset dhe veprimet e duhura”, ka thënë Krasniqi.

Rreth të parës, Krasniqi ka kërkuar reagim dhe veprim institucionale për t’i hequr menjëherë barrikadat në Veri.

Për të parën kërkojmë reagim dhe veprim institucional për t’i hequr menjëherë barrikadat e grupeve kriminale, të instrumentalizuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si tentim i tij për ndarjen e Kosovës. Në këtë pikë, i ofrojmë mbështetjen e plotë Qeverisë. Për të dytën, marrëveshjen finale Kosovë – Serbi, kërkojmë maturi e lidership, për çka edhe kemi ofruar propozimin tonë për pesë rezultatet që duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje: Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues; njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

Tutje Krasniqi ka folur pak edhe për partinë e tij, duke thënë se si PDK kanë ndërmarr një numër të vendimeve të cilat kanë fuqizuar dhe rritur partinë brenda dhe jashtë Kosovës.

Kemi marrë vendimin për barazi të plotë gjinore në struktura dhe vendimmarrje - 50/50, rinisë i kemi dhënë zë, përmes një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe demokratik, kemi gati për të përmbyllur Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ndërsa Komisioni për Organizimin e PDK-së në Mërgatë ka bërë një punë të shkëlqyeshme në rritjen dhe shtrirjen e PDK-së në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët”, ka shkruar Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka përmendur edhe Rrjetin e Liberalëve të Evropës Juglindore dhe Aleancën e Liberalëve dhe Demokratike të Evropës, ku ka thënë se PDK-ja është pranuar me të drejta të plota.

Në kontekstin e jashtëm, PDK është pranuar me të drejta të plota në Rrjetin e Liberalëve të Evropës Juglindore (LIBSEEN) dhe në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratike të Evropës (ALDE). Ky është një hap i madh drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të ngjashme