Krahasim: Telefonata Kurti – Macron mes njoftimit të Qeverisë dhe Pallatit Elysee
Qeveria e Kosovës njofton se kryeministri Albin Kurti, ka shprehur besimin se Franca do ta mbështesë Kosovën – pa parakushte shtesë – për në Këshillin e Evropës. Ndërkohë, Pallati Elize, njoftoi se Macron, i kërkoi Kurtit ‘hapa të menjëhershëm’ për Asociacionin. Si dhe qëndrimi i Gjermanisë…
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ka treguar sot përmes një kumtese për bisedën telefonike që Kurti ka zhvilluar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Në një pjesë të saj, flitet lidhur me çështjen më të diskutueshme kohën e fundit – atë për mundësinë që Kosova të kushtëzohet me Draftin e Asociacionit (dërgimin në Kushtetuese) për anëtarësim në Këshillin e Evropës, faza e fundit që na pret në mesin e majit.
"…kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit”, thuhetn në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Por, në njoftimin e Pallatit Elize, u tha se presidenti Macron ka kërkuar ‘progres të shpejtë dhe të pakthyeshëm’ për Asociacionin – në kontekstin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Ai [Macron] nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe." - thuhet në komunikatë.
Qëndrimi i Gjermanisë
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë dhënë mbrëmë për Interaktiv, tha se ‘Kosova duhet t’i bindë 46 shtetet për ta votuar në Komitetin e Ministrave’ dhe këtë formë, të bëhet vendi anëtar i 47-të i Këshillit të Evropës.
“Mendoj se është detyrë e Kosovës për t’i bindur dhe të lobojë për kauzën e vet. Mendoj se Kosova bëri një punë shumë të mirë të lobimit me një votë shumë mbresëlënëse javën e kaluar në Asamblenë Parlamentare ku 131 deputetë votuan për dhe ishte votim shumë i madh. Por, prapë se prapë, ishte një votim konsultativ dhe vendimi është në 46 qeveritë e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.ju duhet shumica e 2 të 3-tës dhe tash nis ngritja e peshave të rënda.
Ju duhet t’i bindni 46 qeveritë të votojnë për ju.
Ju nuk i merrni të gjitha votat dhe e dimë këtë sepse janë vendet që votuan kundër transferimit të aplikacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare”, thaveç tjerash Rohde.
“Kosova i përket Këshillit të Evropës, por duam që Kosova të ndërmerr kryerjen e detyrave të shtëpisë.
Vendimi për pronat e Deçanit, ishte shumë me rëndësi, por ka shumë shtete anëtare që thonë e çka për të drejtat e minoriteteve?
Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës dhe sa më shumë që bën para votimit në Këshillin e Evropës, aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike, të votojnë në favor të Kosovës.
Dhe që Kosova të mos bëj asgjë, nuk besoj që është gjë e duhur.
Ta dërgoni këtë statut të Asociacionit te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim. Ky do të mund të ishte një hap i prekshëm dhe do të mund të ishte hapi i parë për të treguar një përkushtim të qartë nga Kosova se është për ta zbatuar atë marrëveshje”, tha tutje Rohde në një mesazh të qartë për Qeverinë e Kosovës", tha ai.
Letra që kanë dërguar liderët si zotim për Asociacionin
Gazeta Nacionale kishte publikuar ekskluzivisht letrën ku tre liderët; Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, zotohen ‘besnikërisht’ për Asociacionin.
A nuk mjafton ky zotim, për aleatët? Qe qëndrimi i ambasadorit gjerman:
“Çfarë mendoj unë nuk ka shumë rëndësi këtu. Unë po provoj të bëj një rast që të bëj 2/3 e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të votojnë pro Kosovës. Një dështim do të ishte një katastrofë.
Ne e duam Kosovës brenda Këshillit të Evropës dhe porosia jonë është që të bëni sa më shumë që mundeni.
Ju e dini që vendimi për Manastirin erdhi në momentin e fundit. Vetëm atëherë kur u mor vendimi për pronat e Manastirit, Asambleja në të kundërtën nuk do ta konsideronte vendimin që mori”, thotë ai.
Asociacioni kusht shtesë?
Ajo që në vazhdimësi përmend ambasadori Rohde, si një togfjalësh që e gjejmë edhe të Raporti i znj.Dora Bakojanis – ‘hapa të prekshëm’ – nënkupton dërgimin e Draftit në Kushtetuese për validim.
“Po, hapa të prekshëm sepse Këshilli i Evropës i kushton rëndësi të veçantë çështjes së të drejtave të pakicave. Mënyra më e mirë që Kosova tregon se është e përkushtuar, është fillimi i Asociacionit.
Pas pranimit, nuk është kusht por rekomandim. Janë qeveritë ato që e vendosin se si do ta bëjnë ato. Porosia ime është që sa më shumë që e bëni, aq më e madhe është mundësia e votimit në Këshillin e Ministrave”, thotë Rohde.