Kosova s'u ndërtua për një ditë: Ndërron jetë "profesori i profesorëve", Ymer Muhaxheri
Ka vdekur në moshën 93-vjeçare Ymer Muhaxheri, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në komunën e Pejës dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Kush ishte Ymer Muhaxheri?
“Roma nuk është ndërtuar për një ditë” – është njëra prej fjalëve të urta më të popullarizuara e të moçme (1190). Sidoqoftë, as Kosova nuk është ndërtuar për një ditë pavarësisht nga zërat që përpiqen të përforcojnë një qëndrim të tillë nga të gjitha kampet politike.
E mes ndërtuesve të Kosovës ishte edhe Ymer Muhaxheri, xhaxha i kryetarit aktual të Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ai ishte mësues i ish-presidentit Rugova dhe njëri nga njerëzit më të afërt të tij në rrugëtimin e mëtejmë politik.
Lajmin e trishtë për vdekjen e Ymerit e dha pikërisht Gazmendi.
“Vdekja nuk është fjala e fundit, axhë. Falemnderit për gjithçka!” – ka thënë ai.

Edhe një tjetër figurë e respektuar, si Flamur Gashi, e shprehu dhimbjen e tij për humbjen e Ymer Muhaxherit duke e quajtur “profesor i profesorëve”.
“Patriot i dëshmuar në kohët më të vështira. Frymëzues i dhjetëra brezave të të rinjëve të Pejës dhe mbarë Kosovës” – ishin fjalët e tjera me të cilat e përshkroi Gashi figurën emblematike të Ymer Muhaxherit.
Respekti për të vlen të theksohet që shtrihet edhe te qytetarët e tjerë të Pejës.
Muhaxheri e kishte studiuar filozofinë dhe e kishte kryer Fakultetin Filozofik.

Ai kishte lindur më 15 tetor të vitit 1929 dhe i kishte shërbyer për tri dekada arsimimit të Kosovës. Duhet kujtuar se gjatë kohës së kontributit të z. Muhaxheri, Kosova lëngonte ende nga analfabetizmi masiv në shoqëri.
Muhaxheri ka qenë edhe profesor i filozofisë dhe njëri prej njohësve të parë të kësaj fushe në Kosovë.
Sa i përket kontributit politik, edhe një gjë e tillë është për t’u çmuar.

Muhaxheri kishte qenë kryetar i LDK-së gjatë viteve të ’90-a, kohë e rëndë e aparteidit në Kosovë. Nga shumë qytetarë, autoriteti i tij ishte krahasuar me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ymer Muhaxheri kishte kontribuar politikisht edhe pas luftës. Ai kishte qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën e dytë legjislative, prej 23 nëntorit 2004 e deri më 12 dhjetor 2007.
Në vitin 2019, për shkak të kontributit të lartë e të gjatë në sferën publike, z. Muhaxheri ishte shpallur qytetar nderi nga Komuna e Pejës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëshuar një komunikatë me të cilën e ka nderuar veprën e z. Muhaxheri.