Kosova nën kërcënim: Erdogan e armatos Serbinë me dronin “Bayraktar”
Pak javë pasi u përmend lufta në Kosovë, Serbia njoftoi se do të blejë dornin e famshëm turk “Bayraktar”, i cili u bë goxha temë kur Ukraina me të e gjymtoi Rusinë.
Vitin e ardhshëm, Serbia do ta blejë “Bayraktarin” nga Turqia. Madje kjo gjë, sipas presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi, s’është sekret.
“Nuk është sekret fakti se ne duam ta blejmë dronin “Bayraktar”. Të gjithë e duan, jemi duke pritur në radhë për ta blerë dhe jam i sigurt se Serbia do ta marrë vitin e ardhshëm. Jemi të gatshëm të paguajmë më shumë para sesa që patëm rënë dakord” – tha dje Vuçiq.
Kjo deklaratë e Vuçiqit erdhi pasi u takua me Erdoganin, ku një ndër temat ishet edhe biseda për bashkëpunim ushtarak mes Serbisë dhe Turqisë.
Pasi presidenti serb njoftoi se do ta blejë “Bayraktarin”, filluan reagimet ku përmendet kërcënimi ndaj Kosovës.
Ekonomisti austriak, Gunther Fehlinger, i cili njihet si përkrahës i madh i vlerave perëndimore dhe Pavarësisë së Kosovës, ishte një ndër më të zëshmit.
“Në vend se Vuçiqit të bëhet presion për njohjen e Kosovës, neosulltani i turpshëm Erdogan, po e armatos Serbinë me armën më të fortë, që kërcënon Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Ukrainën e NATO-n, me paratë e taksapaguesve”.
“Turqia s’është më aleat i NATO-s, SHBA-së dhe Kosovës”
“Turqia duhet të sanksionohet që po i shet armë Serbisë”
“... Erdogan duhet të rrëzohet për këtë tradhti ndaj Kosovës”.
Më 2013, Erdogan kishte vizituar Kosovën, ku një deklaratë e tij për relacionin Kosovë-Turqi komentohet ende, si pasojë e historikut të Perandorisë Osmane me shqiptarët.
“... Mos e harroni këtë, Turqia është Kosovë, dhe Kosova është Turqi” – pati thënë Erdogan në Prizren më 2013.
Vuçiq pas takimit gjithashtu tha se për “Bayraktarin” do të investojë qindra miliona euro.
Çmimi i “Bayraktarit” nuk dihet, por, besohet të kushtojë rreth 5 milionë euro.
Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelensky, së fundmi lavdëroi “Bayraktarin” pas namit të madh që bëri kundër ushtrisë së Rusisë, por, tha se nuk e bën dallimin kundër Rusisë.
“... me gjithë respektin për dronët Bayraktar, dhe për çdo armë tjetër, mund t’iu them, sinqerisht, se kjo është një luftë e ndryshme. Dronët mund të ndihmojnë, por nuk do të bëjnë dallimin”, deklaronte Zelensky.
Turqia në NATO kishte hyrë më 1952, bashkë me Greqinë, Gjermaninë Perëndimore dhe Spanjën, gjatë luftës së ftohtë botërore.
Ndërsa në raport me Kosovën, Turqia në krye me Erdoganin ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë më 17 shkurt 2008.
