"Kosova është leva e fundit e Moskës mbi Beogradin" - paralajmërimi i Chollet nëse s'arrihet marrëveshja
Në fillim të vitit 2023, krerët e shtetit kosovar dhe serb u përballen me një diplomat të rangut të lartë amerikan, i cili vizitoi rajonin me një mision të qartë; zgjidhjen përfundimtare të konfliktit mes dy vendeve nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
Bëhet fjalë për këshilltarin në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, i cili la mesazhe të qarta tek dy qeveritë e shteteve fqinje.
Derek Chollet është një këshilltar amerikan për politikën e jashtme. Aktualisht është këshilltar i lartë në fondin gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara. Në të kaluarën, ai ka shërbyer në poste të ndryshme në qeverinë e ShBA-ve.
Chollet, i cili ishte anëtar i ekipit të atëhershëm të Ndihmës Sekretarit të Shtetit Richard Holbrooke në vitet 1990, vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
Prestigjiozja ‘Politico’ e përshkruante Cholletin si një nga njerëzit që ka përjetuar ngjarjet e 30 viteve të fundit përkrah diplomatëve të rangut të lartë duke shërbyer në nivelet më të larta.
“Kur shikoni ngjarjet kryesore diplomatike të tridhjetë viteve të fundit, Derek Chollet i ka përjetuar të gjitha. Ai ka punuar me legjenda si James Baker, Strobe Talbott dhe Richard Holbrooke dhe ka shërbyer në disa nga nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë, Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit të SHBA. Nga Bosnja në Siri - dhe tani Rusia - Chollet ka ndihmuar në formësimin e qasjeve të Amerikës ndaj politikës së saj jashtë vendit.” – kështu shkruante prestigjiozja ‘Politico’ për z.Chollet vitin e kaluar.
“Shmangja e një tjetër krize në Evropë”
Në dhjetor, të nxitur në masë të madhe nga Beogradi, serbët në veri ngritën barrikada dhe nxitën mbylljen e kufijve pas tensioneve mes dy qeverie lidhur me çështjen e targave.
Ky qëndrim ngjalli shqetësime në Uashington dhe Bruksel për Evropën që mund të përballet me një kërcënim të ri të sigurisë në një kohë kur kontinenti është konsumuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Në ditën kur z.Chollet vizitoi Kosovën, prestigjiozja Financial Times, kishte intervistuar këshilltarin e DASh-it lidhur zhvillimet e fundit në rajon.
Të thënat e zyrtarit të lartë amerikan për mediumin prestigjioz shpërfaqen edhe një herë tjetër angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në gjetjen e një zgjidhje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë për të evituar kështu pasigurinë që mund të sjellë e ardhmja për të dyja vendet.
“Gjëja e fundit që secili prej nesh dëshiron tani është një krizë në këtë pjesë të botës, duke pasur parasysh se ne kemi krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore jo shumë larg. Ne nuk duam të jemi në një diplomaci krize. Së pari, targa, pastaj barrikada, ne nuk duam diçka tjetër javën e ardhshme." - i tha Chollet mediumit britanik.
Çka është tashmë e qartë për Kurtin?
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, këshilltari Chollet e bëri të qartë para gazetarëve duke thënë se Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Chollet konfirmoi edhe njëherë tjetër se Uashingtoni është në favor të fokusimit në propozimin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
''Shtetet e Bashkuara mbrojnë vënien në fokus të agjendës sipas së cilës palët në dialog duhet të fokusohen në bisedimet për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman për zgjidhjen e krizës në Kosovë, si dhe në formimin e shpejtë të Komuniteti i Komunave Serbe”, tha ai në një deklaratë.
Megjithatë, ai tha se ndonëse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim ligjor i Qeverisë së Kosovës, ShBA nuk do të përkrahin aranzhime si ato të Republikës Serbe.
Ai po ashtu tha se nuk erdhi në Prishtinë dhe Beograd për të lëshuar ndonjë ultimatum, por për të shprehur mbështetjen e tij të fortë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për të eksploruar mënyrat se si dialogu mund të përparojë.
Deklaratat që zhgënjyen serbët
I pyetur nga mediet serbe nëse është e vërtetë që Prishtinës i është dhënë ultimatum për formimin e Asociacionit deri në pranverën e ardhshme, Chollet nuk u dha detaje si do të bindet Prishtina për zbatimin e marrëveshjeve.
Ai i “rëndoi” serbët me një deklaratë tjetër, se formimi i Asociacionit duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Asociacioni duhet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk mund të zbuloj se si do të bëhet zbatimi i marrëveshjes, është një hap që besojmë se do të zbatohet në një kohë të caktuar”, tha ai, raportoi Tanjugu serb.
Diplomati i rangut të lartë të diplomacisë së jashtme të ShBA-së kërkoi nga Serbisë që të ketë qasje konstruktive ndaj situatës, duke theksuar se Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë një mënyrë për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore dhe se Serbia duhet të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe të vazhdojë dialogun me Kosovën për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.
“Kosova, leva e fundit e Moskës mbi Beogradin"
Deklaratat e këshilltarit të lartë të Departamentit Amerika lënë të kuptohet se ShBA beson që Serbia do të distancohet nga Rusia nisur nga fakti që Serbia ka filluar t’i diversifikojë burimet e saj të energjisë.
“SHBA e di mirë rolin përçarës të Rusisë, e cila ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen e saj për aleatin e saj sllav Serbinë. Çështja ka rënë nën një dritë të re, pasi Serbia, e varur prej kohësh nga energjia ruse, ka filluar të diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe ta zvogëlojë atë mbështetje. Kjo e ka lënë çështjen e Kosovës si levën e fundit që Moska ka mbi Beogradin, një aspekt që nuk humbet për Uashingtonin. Një arsye pse ne duam të gjejmë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që ta heqim atë levë nga Rusia,” tha Chollet për FT.


